Burimet minimale për fëmijët me çrregullime mendore dhe shërbimet private të kthyera në biznes

Në Shqipëri, fëmijët dhe adoleshentët me çrregullime mendore përballen me një sistem të brishtë, me kapacitete të kufizuara dhe burime njerëzore të pamjaftueshme. Teksa QSUNT ofron vetëm 8 shtretër për këtë grupmoshë dhe shërbimet komunitare mbeten të centralizuara, prindërit detyrohen të përballen me kostot e rënda të qendrave private. Mungesa e kontrollit, informaliteti dhe rritja e rasteve e kthejnë shëndetin mendor të të miturve në një krizë sociale me pasoja afatgjata.

Vivian Mançellari

Vendi ynë po përballet me shtim të të miturve me çrregullime mendore dhe emocionale, përfshirje të tyre në aktivitete kriminale dhe ulje të moshës së përdorimit të lëndëve psikotrope që shkaktojnë probleme të shëndetit mendor. Në një kohë kur kërkohet aksion për të rehabilituar problemet e shëndetit mendor, fëmijët dhe të rinjtë shqiptar e gjejnë veten përballë mungesës së kapaciteteve dhe burimeve njerëzore të pamjaftueshme, dhe prindërit e tyre përballë kostove të papërballushme dhe shërbimeve private të kthyera në biznes.

Viti që lamë pas u shoqërua me alarme të vazhdueshme përsa i përket çrregullimeve mendore dhe emocionale, shtimit të personave që kërkojnë shërbime psikiatrike dhe uljes së moshës së marrësve të këtyre shërbimeve. Për fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë të cilët kanë nevojë për këto shërbime, situata vështirësohet ndjeshëm me specifikat e Shqipërisë.

Të dhënat zyrtare në shifra: Kapacitetet dhe fluksi

Kapaciteti kombëtar i shërbimeve të shëndetit mendor të specializuar me shtretër për fëmijët dhe adoleshentët është 8 shtretër pranë Pavionit të Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Në fund të vitit 2024 ka filluar puna për rikonstruksionin e godinave të psikiatrisë dhe është bërë transferimi I pacientëve të Shërbimit të Psikiatrisë në ambiente transitore ku po operohet me kapacitete të ulura duke priorizuar rastet. Gjatë kësaj periudhe, janë ofruar vetëm shërbime ambulatore dhe spital ditor për të mitur. Sipas të dhënave të fundit nga Shërbimi Psikiatrik pranë QSUT rezulton se është i shtruar vetëm 1 pacient nën 18 vjeç.

Në 5 vitet e fundit, në Pavionin e Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë në QSUT janë shtruar 501 fëmijë, ndërkohë që sipas të dhënave të shërbimit në QSUT, rishtrimet zënë masën rreth 40% të shtrimeve totale.

Sipas të dhënave të QSUT, nga këta më shumë janë meshkuj dhe diagnozat më të shpeshta për të cilat trajtohen janë skizofreni paranoide, çrregullime të bipolaritetit dhe çrregullime të paspecifikuara ose kalimtare të humorit.

Në 5 vitet e fundit, pranë qendrave spitalore rajonale dhe spitaleve psikiatrike janë trajtuar për çrregullime mendore 8099 të mitur.

Përveç Pavionit të Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë në QSUT, Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët, Tiranë (QKTRF) ofron shërbim me shtretër, por jo sikurse spitalet psikiatrike. Shërbimi që ofrohet për fëmijët e shtruar është me natyrë rehabilituese dhe përfshin fëmijët e moshës 0-6 vjeç, duke përfshirë diagnoza të neurozhvillimit. Kapaciteti i shtretërve është për 25 fëmijë. Fëmijët e hospitalizuar qëndrojnë pranë qendrës për 2 javë dhe ndjekin seancat terapeutike çdo ditë, duke u rikthyer për ciklin e radhës të terapive pas 6 javësh. Në 5 vitet e fundit, në QKTRF janë shtruar 821 fëmijë.

Përveç shërbimit me shtretër, QKTRF ofron diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin për çdo person që i përket grupmoshave nga 0-18 vjec, që vuan nga çrregullime të shëndetit mendor si dhe luan rol parandalues të çrregullimeve dhe njëkohësisht promovues të shëndetit mendor pozitiv. Fëmijët, që marrin terapi ambulatorisht, ndjekin terapi me shpeshtësi 2 herë në javë. Në 5 vitet e fundit janë kryer 5959 vizita mjekësore.

Sipas QKTRF, ajo çfarë vërehet është rritje e numrin të vizitave mjekësore, që përfshin konsulta psikiatrike për problematika të ndryshme të shëndetit mendor të grupmoshës 0-18 vjeç.

Prej disa vitesh Shqipëria po punon për dehospitalizim të shërbimeve në sektorin e sëmundjeve të shëndetit mendor, me synimin që këto problematika të trajtohen pranë komunitetit. Për këtë, është ulur numri i shtretërve në psikiatri dhe janë ngritur Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor (QKSHM). Në nivel kombëtar funksionojnë gjithsej 10 qendra të tilla të shpërndara në 4 rajone, Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, dhe ofrojnë shërbime për komunitetin në fushën e shëndetit mendor.

Në të gjitha QKSHM-të ofrohet shërbim për të mitur dhe adoleshentë përvec QKSHM Berat e cila ofron shërbim vetëm për persona mbi 18 vjec.

Sipas të dhënave të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), në 5 vitet e fundit kanë kërkuar trajtim psikiatrik 6200 të mitur në QKSHM Korçe, 3308 në QKSHM Elbasan dhe 12808 në QKSHM Tiranë dhe Kavajë. Vetëm gjatë viteve 2022-2023, në të gjitha qendrat kanë marrë shërbime psikosociale dhe psikiatrike 17819 fëmijë dhe adoleshentë.

Në rang kombëtar në vendin tonë janë 6 qendra zhvillimi që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuar, të cilat ndodhen në Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat, Korçë dhe Shkodër.

Në 5 vitet e fundit janë 47 përfitues nën 18 vjeç, të cilët janë trajtuar me diagnoza të ndryshme të shëndeti mendor të vlerësuar sipas KMCAP-it dhe QKSHM-ve.

Institucionet e përkujdesit shoqëror për personat me aftësi të kufizuar ofrojnë shërbime afatgjatë për fëmijët pa kujdes prindëror deri në moshën 21 vjeç. Për shkak se një pjesë e përfituesve janë braktisur nga familjarët e tyre, këto qendra trajtojnë edhe përfitues mbi moshën 21 vjec. Kryesisht këta përfitues  marrin shërbime në qendrën e zhvillimit Korçë dhe Shkodër.

Në këto qendra ofrohen shërbime social-psikologjike, strehim, terapi zhvillimi, terapi okupacionale dhe shërbime mjekësore. Pranimet nuk bazohen në protokolle mjekësore, pasi qendrat nuk janë institucione shëndetësore, por ofrojnë shërbime për aftësimin dhe riintegrimin e personave me aftësi të kufizuar, të cilëve familjet biologjike ose kujdestarët ligjor nuk mund t’u ofrojnë kujdes për arsye të ndryshme sociale.

Kapacitet dhe burimet njerëzore përballë nevojave

Duke ju referuar të dhënave zyrtare, për fëmijët dhe adoleshentët me çrregullime të shëndetit mendor, Shqipëria jo vetëm që ka një mungesë kapacitetesh, por edhe centralizim të tyre, duke e bërë të pamundur aksesin për të gjithë popullatën. Shërbimi me shtretër në psikiatri gjendet vetëm në Tiranë, por edhe shërbimet komunitare janë të vendosura në 4 rajone.

Sipas raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se në vendin tonë nuk janë ngritur të gjitha Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor në funksion të mirë administrimit të pacientëve psikiatrikë në shërbimin shëndetësor.

“Pavarësisht këtij angazhimi për të ngritur e fuqizuar shërbimet shëndetësore në të gjitha nivelet, në praktikë ka rezultuar se, nga 25 Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor që duhet të ishin ngritur për të ndjekur ambulatorisht pacientët me çrregullime të shëndetit mendor, janë ngritur vetëm 10, në mos zbatim të Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor 2013 – 2022.”, thuhet në raportin e auditimit të KLSH.

Profesionistët e shëndetit mendor për fëmijë dhe adoleshentë shprehin shqetësim për gjendjen që shkaktojnë kapacitetet e kufizuara.

“Për fat të keq ende shumë fëmijë nuk arrijnë të kenë akses në qendrat komunitare të shëndetit mendor, çfarë bën që të mos marrin ndihmën e duhur në kohë, të mos diagnostikohen, të mos trajtohen dhe kjo reflektohet më vonë në ecurinë e tyre klinike.”, thotë Elona Dashi, psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë. “Në raste të tjera ndodh që pavarsisht se mund të paraqiten si fillim në qendrat komunitare, nuk vazhdojnë dot ndjekjen e rregullt, qoftë kjo për shkak të largësisë apo mungesës së ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e shëndetit mendor.”, shton Dashi.

Në Regjistrin Themeltar të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë janë të regjistruar 7 mjekë të cilët janë të licensuar dhe specializuar në psikiatrinë e fëmijëve dhe adoleshentëve. Profesionistët thonë se kjo shifër zyrtare kaq e ulët është e pa përditësuar dhe nuk pasqyron realitetin, ndonëse dakordësohen që burimet njerzore janë të pakta.

“Nëse i referohemi vendeve të rajonit e më gjerë, është e vërtetë që kemi burime njerëzore më të ulëta sesa nevojat.”, thote Elona Dashi, e cila shton se “në shumë raste për shkak të mungesës së psikiatërve për fëmijë, nevoja bën që shërbimi të mbulohet nga specialistë të tjerë, si p.sh psikiatri i adultëve, dhe kjo bën që të ndikohet dhe cilësia e shërbimit.”

Anisa Dizdari, specialiste e zhvillimit të fëmijës dhe drejtuese e qendrës jopublike TISS, dëshmon faktin që shërbimet publike lejnë për të dëshiruar. Sipas Dizdarit, në qendrën që ajo drejton, e cila ofron shërbime për fëmijët me nevoja të veçanta, ka patur raste kur kanë shkuar prindërit e fëmijëve të cilët nuk kanë arritur t’i marrin shërbimet pranë qendrave publike.

“Na vjen keq që e themi këtë, por kanë qenë prindër të cilët kanë patur probleme ekonomike dhe shteti ka qenë dera e parë që kanë trokitur. Shërbimi në shtet nuk I mohohet askujt, por fluksi dhe ndoshta mungesa e stafit në numër, bën që prindërit mos e marrin në kohë shërbimin për fëmijën e tyre.”, thotë Dizdari.

Kostot e përballueshme të familjeve të fëmijëve me nevoja të veçanta

Nuk janë të pakta rastet kur të miturit me çrregullime të shëndetit mendor, qëndrojnë në kujdesin e familjarëve të tyre dhe nuk marrin asnjë lloj trajtimi apo shërbimi profesional.

“Minimalisht duhet që prindi të trajnohet, të marri informacion, rekomandimet e duhura që të dijë të ndihmojë fëmijën në përditshmëri. Në momentin që ky hap është bërë, prindi gjithmonë në bashkëpunim me ekipin e shëndetit mendor mund të kujdeset për fëmijën.”, thotë Elona Dashi.

Më tej Dashi shprehet se në të tilla raste, kosto është komplekse, me natyrë sociale, emocionale dhe sigurisht, ekonomike.

“Nëse i referohemi të ardhurave mesatare në vendin tonë, kostoja ekonomike për këto familje është e madhe dhe nëse flasim për familje me të ardhura nën mesatare, kjo kosto bëhet edhe më e madhe.”, thotë Dashi.

Në mungesë të burimeve njerëzore, kapaciteteve apo mundësisë ekonomike për të paguar shërbimet, familjet e fëmijëve me nevoja të veçanta detyrohen të kërkojnë ndihmën e komunitetit apo organizatave të bamirësisë. Fondacioni “Dhuro me zemër” është një nismë e cila i shkon në ndihmë qytetarëve shqiptare dhe nevojave të ndryshme që rastet mund të kenë.

Gëzim Allushi, themeluesi i këtij fondacioni, kujton rastin e një familjeje me një fëmijë me nevoja të veçanta, me të cilin është njohur gjatë një aksioni për shpërndarje ndihmash ushqimore në zonën e Devollit, vitin e kaluar.

Sipas Allushit, bëhet fjalë për një fëmijë i cili asokohe ka qenë 6 vjeç dhe ka patur nevojë për trajtim logopedik.

“Fëmija kishte vështirësi të theksuara në të folur dhe shqiptim, që e pengonin në komunikim dhe në zhvillimin e gjuhës. Nuk kishin një diagnozë të saktë mjekësore, por ishte e qartë që kishte nevojë për trajtim profesional logopedik.”

Me ndihmën e personave lokalë, është gjetur një qendër pranë zonës dhe fondacioni “Dhuro me zemër” i ka ardhur në ndihmë familjes duke paguar trajtimin logopedik për gati 6 muaj.

“Ata kishin kërkuar ndihmë sociale, por nuk kishin marrë asnjë përgjigje deri në atë kohë.”, thotë Allushi, i cili më tej shton: “Në dijeninë time nuk morën asnjë ndihmë apo përgjigje nga institucionet shtetërore gjatë kohës që i kemi ndjekur.”

Kërkesa e lartë për shërbime private – Shërbime që kthehen në biznes

Anisa Dizdari, drejtuese e qendrës TISS, thotë se ka disa arsye përse prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta i drejtohen shërbimeve private. Këtu përmend ofrimin e një shërbimi më të shpejtë dhe efektiv, komoditeti, cilësinë e shërbimeve dhe përdorimin e metodave bashkëkohore të trajtimit, mbështjetja për prindërit etj.

“Mund të rendis disa faktorë, por në thelb, zgjedhja e një qendre private vjen nga dëshira e prindit për një shërbim më të specializuar, efektiv dhe të personalizuar për zhvillimin e fëmijës.”, thotë Dizdari.

Sipas saj, një nga faktorët që i afron prindërit tek qendrat jopublike është se mjekët dhe specialistët kanë më shumë kohë për t’i kushtuar vëmendjen e duhur fëmijës dhe problematikave të tij dhe vlerësimi dhe dignostikimi mund të bëhet më I plotë dhe I saktë.

Por ndonëse qendrat jopublike janë tërheqëse për një sërë arsyesh, as ato nuk janë gjithmonë një zgjedhje e sigurt e as nuk garantojnë domosdoshmërisht cilësi të shërbimeve të ofruara.

“Kemi patur raste të cilat kanë qenë jo të mirëvlerësuara apo të nënvlerësuara nga specialistë të tjerë. Raste që I është vendosur një diagnozë jo e saktë apo pa diagnozë fare (në momentin kur fëmija ka patur të nevojshme vendosjen e një diagnoze) …vijnë fëmijë të cilët marrin terapi në qendra të tjera për vite të tëra dhe prindi nuk di cfarë emri t’i vëri problemit të fëmijës sepse nga goja e mjekut nuk del diagnoza.”, thotë Dizdari.

Sipas saj, në Shqipëri ekziston një mungesë e ndjeshme e kontrollit dhe politikave të mirëstrukturuara shtetërore për sa i përket ofrimit të shërbimeve për fëmijët me nevoja të veçanta, veçanërisht në sektorin privat.

“Jemi një grup qendrash që ofrojmë prej vitesh shërbim dhe cdo ditë e më shumë e ndjejmë këtë problem, duke e ngritur cështjen sa herë na është dhënë mundësia edhe në tryeza diskutimesh në rangje politike.”, tregon Anisa Dizdari, e cila më tej shton: “Për mendimin tim problematikat janë: Informalitet i lartë – Shumë qendra dhe individë operojnë pa licencë, pa standarde të qarta profesionale dhe pa mbikëqyrje të duhur; Mungesë e akreditimit të stafit – Nuk ka mekanizma të detajuar për të verifikuar trajnimet, certifikatat apo përgatitjen profesionale të terapistëve dhe edukatorëve që punojnë me këtë kategori fëmijësh; Shërbime që kthehen në biznes – Mungesa e mbështetjes publike i shtyn shumë prindër drejt ofruesve privatë, duke krijuar një treg ku në disa raste interesi financiar prevalon ndaj cilësisë dhe etikës profesionale: Mungesë inspektimesh dhe standardesh të unifikuara – Nuk ka një strukturë shtetërore që monitoron rregullisht qendrat për standardet e terapisë, kushtet fizike, raportet terapist-fëmijë apo etikën e ndërhyrjes; dhe prindërit pa informacion të mjaftueshëm – Në mungesë transparence, shumë prindër nuk arrijnë të dallojnë midis një shërbimi cilësor dhe një shërbimi të dëmshëm ose joefektiv.”

Komuniteti përballë një plage sociale

Shqipëria po përballet me një problem social me tipare alarmante. Çdo vit e më shumë fëmijët dhe të rinjtë shqiptar shfaqin shenja të shendetit emocional dhe mendor të rënduar, përfshirje në aktivitete të dhunshme dhe herë si shkak, e herë si pasojë, përdorim të lëndëve narkotike dhe ulje të moshës së përdoruesve të lëndëve psikotrope që shkaktojnë probleme të shëndetit mendor.

Në Shqipëri, një përqindje e konsiderueshme e të miturve që paraqiten për trajtim në Shërbimin e Toksikologjisë Klinike vuajnë nga pasojat e përdorimit të substancave psikoaktive që kanë filluar në moshë shumë të re.

Sipas QSUT, si pasojë e përdorimit të substancave të dëmshme, te të miturit shfaqen këto tipare, “Adoleshentët meshkuj me sjellje kriminale ndajnë tendenca të përbashkëta në lidhje me përdorimin e substancave: rreth 90% e tyre pinin cigare me fillim në një moshë dukshëm të ulët (12.4 vjeç), të ndjekur nga alkooli (86%) dhe kanabisi (79%), që filluan në moshën 13-14 vjeç. Ndër pasojat e konsumit të këtyre substancave renditen: rritja e shkallës së mungesës në shkollë, sjelljen e dhunshme dhe çështjet e shëndetit mendor.”

Në përgjigjen e ardhur nga QSUT, theksohet se është thelbësore ndërhyrja e hershme për të miturit që abuzojnë me substanca, për të ndërprerë ciklin e varësisë dhe për të reduktuar rrezikun e komplikimeve afatgjata. Gjithashtu, sipas kësaj komunikate, synohet që për pacientët që kanë nevoja për trajtime rehabilituese dhe që aktualisht ndiqen ne poliklinika, të ngrihet një qendër rehabilituese afatgjatë, jashtë strukturës spitalore.

Sociologu Gëzim Tushi gjithashtu evidenton një situatë shqetësuese, por sipas tij duhen adresuar rrënjët sociale të problemit.

“Në shoqërinë Shqiptare për fat të keq ka filluar të shfaqet një proces regresiv që ka të bëjë me uljen e moshës së njerëzve që shfaqin devijacione mendore, që shfaqin sjellje asociale, dhe deri tek sjelljet kriminale.”, thotë Tushi.

Sipas sociologut Tushi, shoqëria Shqiptare është përballë një fenomeni të cilin ai e quan “dobësim i amortizatorëve social”.

“Para se të kërkojmë llogari tek spitalet psikiatrike, më mirë është të kthehemi te disa institucione parësore që janë të prevencës; e para është familja. Eshtë shkolla pa diskutim një institucion i rëndësishëm i sigurisë morale dhe i forcimit të shëndetit mendor të adoleshentëve dhe të rinjve.”, nënvizon ai.

Duke ndjekur këtë linjë llogjike, duhet kuptuar se çrregullimet emocionale të mbetura të pa adresuara nga ana e këtyre institucioneve parandaluese, derivojnë në çrregullime mendore. Për fat te keq vendi ynë, disa muaj më parë u trondit nga një ngjarje tragjike, ku konflikti i disa të miturve fare pak metra larg shkollës, rezultoi në humbje jete për njërin prej tyre.

Në vitin 2020 është bërë riorganizimi i shërbimit psiko-social në institucionet e arsimit parauniversitar duke rritur numrin e punonjësve të shërbimit psikosocial në institucionet arsimore në vend.

Sipas këtij urdhri parashikohet se numri i psikologëve/punonjësve sociale, në njësinë e shërbimit psiko-social, përcaktohet si vijon: “a) një psikolog/punonjës social për 300-499 nxënës;

b) dy psikologë/punonjës socialë për çdo shkollë me 500 ose më shumë nxënës; c) një psikolog/punonjës social për çdo shkollë që ka të paktën 8 nxënës me aftësi të kufizuara të përcaktuar me raport të Komisionit Mjeko-Ligjor; ç) një psikolog për çdo shkollë të arsimit special; […] e) në rastet kur shkollat janë me numër të vogël nxënësish, një psikolog/punonjës social do të mbulojë disa shkolla dhe numri i nxënësve do të jetë nga 80-299.”

Pa analizuar efektivitetin e këtij shërbimi, është e vlefshme të thuhet që ky mbetet një numër i lartë nxënësish për t’u ndjekur nga një punonjës social.