Vivian Mançellari
Personat me çrregullime të shëndetit mendor në vendit tonë përballen me kushte të rënda jetese, kapacitete të pamjaftueshme dhe mungesë burimesh njerëzore. Problemet që e shoqërojnë këtë kategori janë sistematike dhe barra ekonomike që bie mbi ta dhe familjet e tyre, është e paimagjinushme.
Kapacitetet dhe të dhënat zyrtare në shifra
Në vendin tonë janë 4 spitale që ofrojnë shërbim psikiatrik me shtretër të cilët kanë një kapacitet prej 635 shtretërish në total. Në shërbimet e shëndetit mendor të specializuar me shtretër në 5 vitet e fundit janë realizuar rreth 15000 shtrime, sipas një sistemi referimi mjek familje – Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor (QKSHM) – Spital Psikiatrik ose nga urgjenca e spitaleve Rajonale, në Spital Psikiatrik.
Shërbimi Psikiatrik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka një kapacietet prej 90 shtretërish. Prej disa muajsh ka nisur rikonstruktimi i këtij spitali dhe shërbimi është transferuar në ambjente të përkohshme deri në përfundim të punimeve. Për këtë arsye dhe kushteve në të cilat po operohet, është ulur kapaciteti i shtretërve në 55 në ambjentet tranzitore, duke priorizuar rastet. Në Shërbimin e Psikiatrisë aktualisht janë të shtruar 52 pacientë.

Spitali Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan ka një kapacitet prej 310 shtretërish dhe aktualisht janë 302 persona të shtruar në këtë spital.
Kapaciteti me shtretër në spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë është 200. Brenda kësaj shifre numërohen kapacitetet me shtretër të dy Shtëpive të Mbrojtura pranë këtij shërbimi, ku qëndrojnë të sëmurët kronik burra me kapacitet 61 shtretër dhe 43 pacientë të shtruar aktualisht dhe gra me kapacitet 60 shtretër me 58 paciente të shtruara. Aktualisht pranë këtij spitali janë të shtruar 150 pacientë në total, ndërsa në gusht të këtij viti raportoheshin 434 pacientë.
Shërbimi i Shëndetit Mendor me Shtretër Shkodër ka një kapacitet prej 35 shtretërish dhe aktualisht janë të shtruar 28 persona.
Në nivel kombëtar funksionojnë gjithsej 10 Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor të cilat ofrojnë shërbime multidisiplinare për komunitetin në fushën e shëndetit mendor.
Këto qendra janë të shpërndara në 4 rajone dhe mbulojnë zonat përkatëse si më poshtë:
- Rajoni Tiranë – 4 qendra: QKSHM Nr. 1 Tiranë, QKSHM Nr. 2 Tiranë, QKSHM Nr. 3 Tiranë dhe QKSHM Kavajë;
- Rajoni Elbasan – 4 qendra: QKSHM Elbasan, QKSHM Gramsh, QKSHM Berat dhe QKSHM Korçë;
- Rajoni Shkodër – 1 qendër: QKSHM Shkodër;
- Rajoni Vlorë – 1 qendër: QKSHM Vlorë.
Vetëm në periudhën 2022 dhe janar–shtator 2023, janë raportuar mbi 108,000 vizita në të gjitha qendrat së bashku.
Problemet e raportuara në vite
Vendi ynë raportohet të ketë numrin më të ulët të psikiatërve për 100000 banorë në Europë. Në Regjistrin Themeltar të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, janë të regjistruar 57 mjekë të cilët janë të licensuar dhe të specializuar në psikiatri. Me një rritje të lehtë krahasuar me disa vite më parë, Shqipëria tani ka 2.4 psikiatër/100000 banorë, përballë mesatares së BE-së që është rreth 18 psikiatër/100000 banorë.
Sipas profesionistëve, numri i ulët i burimeve njerëzore, jo vetëm psikiatër, por edhe psikologët, punonjësit socialë, dhe infermierët e trajnuar për të punuar në shërbimet të shëndetit mendor, e ulin cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarët.
Për psikiatrin Neli Demi, problem nuk është vetëm sasia, por edhe cilësia e shërbimeve që ky numër i kufizuar profesionistësh ofrojnë.
“Mendoj që është e rëndësishme mënyra se si trajnohen këta specialistë, gjë që për mendimin tim ka vend për t’u përmirësuar.”, thotë Demi.
Sipas informacioneve të ardhura nga spitalet, ka mjaftueshëm trajnime të disponueshme për stafet psikiatrike, ndërkohë që trajnimet e detyrueshme financohen më së shumti nga vetë personat.
Avokati i Populllit e vlerëson si nevojë urgjente shtimin në organikat e spitaleve të mjekëve psikiatër, infermierëve “kujdestarë/task forcë”, stafit të sigurisë, sanitarëve dhe berberit, me qëllim ofrimin e një shërbimi të përshtatshëm për specifikat e këtij shërbimi të shëndetit mendor me shtretër.
Nëpërmjet një komunikimi me zyrën e Avokatit të Popullit, na bëhet me dije se: “Avokati i Popullit vazhdon të vlerësojë se është i nevojshëm shtimi i menjëhershëm dhe në vitet në vijim i kuotave për specializantë në Psikiatri; riformulimi i kritereve të punësimit për funksionet klinike “kujdestar” dhe “task forcë”, me edukim infermieristik dhe njohuri të thelluara në rehabilitim psikiatrik spitalor, si dhe me aftësi moshore e fizike të përshtatshme për menaxhimin e axhitimit dhe riskut të lartë, si dhe trajnimin e punonjësve aktualë.”
“Kërkohen me shumë punonjës social të atashuar pranë shërbimit, për shkak të problematikave komplekse sociale që kanë pacientët kur janë përgatitur për daljen nga spitali.”, thuhet në një përgjigje të ardhur nga QSUT, përsa i përket mangësive të shërbimit.
Ndërkohë që sipas Spitali Psikiatrik “Ali Mihali”, Vlorë, ka nevojë për rritje të stafit shëndetsor; Infermier dhe Kujdestar pranë këtij shërbimi.
Avokati i Popullit ndër vite ka ngritur shqetësimin se kushtet e jetesës në të cilat janë të akomoduar pacientët me çrregullime të shëndetit mendor në Shqipëri, vazhdojnë të jenë të rënda dhe të papranueshme.
Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka inspektuar institucionet e shëndetit mendor si Spitali Psikiatrik Vlorë, Spitali Psikiatrik Shkodër, Spitali Psikiatrik Elbasan dhe Spitali Psikiatrik “Xhavit Gjata” Tiranë.
Nga këto inspektime, problematikat kryesore të konstatuara janë:
- Mungesa e kushteve strukturore të përshtatshme për trajtimin dhe rikuperimin e të sëmurëve në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, Spitalin Psikiatrik “Xhavit Gjata” në Tiranë dhe Spitalin me shtretër në Shkodër;
- Kushtet infrastrukturore në pavijone, ngrohje, dushe dhe tualete në mënyrë që të ofrohet një shërbim sa më dinjitoz të personave që trajtohen në spitalet psikiatrike, si dhe sigurimin e bazës së nevojshme materiale për stafet psiko-sociale;
- Mungesa në pajisje me shtretër dhe dyshekë të rinj për të gjitha dhomat në Shërbimin e Shëndetit Mendor me Shtretër Shkodër;
- Mungesa e aktiviteteve rikuperuese apo ambienteve të zhvillimit të aftësive okupacionale në Spitalin Psikiatrik “Xhavit Gjata” në Tiranë, Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan dhe Spitalin me shtretër në Shkodër;
- Mungesa në medikamente si dhe marrja e furnizimit të plotë me medikamente të parashikuar nga Spitalet Psikiatrike sipas nevojave;
- Mungesa të Laboratorëve klinik bio-kimik, si dhe sigurimi i pajisjeve për kabinetet stomatologjike.
Për të adresuar nevojën për përmirësim të kushteve infrastrukturore dhe shërbimeve të ofruara brenda spitaleve, ka nisur puna për rikonstruktimin e Spitaleve Psikiatrike dhe shërbimeve psikiatrike me shtretër.
Megjithatë, nga lista e gjatë e rekomandimeve të dala nga zyra e Avokatit të Popullit, mbetet shqetësues numri i pamjaftueshëm i kapaciteteve për të akomoduar personat në fazë rikuperimi.
Sipas një raporti nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, publikuar në vitin 2024, 60% e shtretërve në institucionet shëndetësore ku ofrohet shërbim i specializuar me shtretër, shfrytëzohet nga pacientë kronikë rezidentë, të cilët prej vitesh jetojnë e trajtohen pranë këtyre strukturave. 58.6% e pacientëve kronikë rezidentë kanë më shumë se 10 vite qëndrimi në shërbimin spitalor.
Kjo dukuri është me e theksuar në spitalin psikiatrik të Elbasanit dhe të Vlorës ku pacientë kronikë rezidentë strehohen nga këto struktura në mungesë të një sistemimi alternativ për ta. Sipas këtij raporti, 37.5% e pacientëve kronikë rezidentë janë të braktisur nga familja.
Një problematikë të tillë e konfirmojnë edhe vetë spitalet psikiatrike. Nga informacionet e marra nga Spitali Psikiatrik i Vlorës, për personat me qëndrim disa vjeçar nuk është i pamundur rehabilitimi, por janë persona të braktisur ose pa bërthamë familjare.
Për Shërbimin e shëndetit mendor me shtretër në Shkodër, problematika kryesore është se ku shkon pacienti pas daljes nga spitali, për shkak të rasteve të shumta të braktisjes nga ana e familjes.
Një problematikë tjetër është edhe riintegrimi i tyre nëpërmjet rifitimit të aftësive të kujdesit për vete dhe aftësise për punë.
Sipas Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor vlerësojnë si problem kryesor mungesën e rezidencave sociale për personat e vetmuar e të braktisur.
Raporti i KLSH evidenton një tjetër problem përsa i takon procesit të kufizimit fizik pranë shërbimeve shëndetësore të specializuar me shtretër në vendin tonë, i cili kryhet në mungesë të kushteve dhe mjeteve që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.
Më konkretisht grupi i auditimit në terren ka vëzhguar që dhomat që duhet të jenë të dedikuara për këtë qëllim, nuk i përmbushin kriteret dhe praktikat më të mira në këtë fushë për të siguruar që pacienti mos të dëmtohet dhe traumatizohet nga ky proces. Gjithashtu mungojnë edhe mjetet të tjera kufizimi, si për shembull këmishat e forcës, krevatet e karrocat mobilizuese etj.
“Në këtë drejtim Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka miratuar një protokoll të unifikuar për kryerjen e këtij procesi, por ka miratuar vetëm Protokollin për Menaxhimin e Pacientëve të Axhituar nëpërmjet medikamenteve përkatëse. Ndërsa vetë strukturat shëndetësore të specializuara me shtretër nuk kanë dokumentuar në mënyrë sistematike dhe me saktësi të dhënat mbi rastet e kufizimit fizik, duke lënë të paqartë se si kryhet praktikisht kjo ndërhyrje në rastet kur është e nevojshme.”, thuhet më tej në raportin e KLSH.
Gjatë inspektimeve të kryera nga Avokati i Popullit, janë konstatuar mungesa në trajnimin e stafeve mbështetëse për përdorimin e mjeteve fizike konform standardeve të parashikuara në paketën e Akteve Nënligjore të ligjit Nr. 44/2012 ”Për Shëndetin Mendor”, si dhe nevoja për përmirësimin e kushteve aktuale për izolimin e pacientëve me kriza akute. Sipas informacioneve nga spitalet psikiatrike, pranë Shërbimit të Psikiatrisë në QSUT nevojitet shtimi i stafit infermieror dhe atij të taskforcës, të trajnuar për menaxhimin dhe ndërhyrjen për rastet ekstremisht agresive dhe të dhunshme. Në spitalin psikiatrik të Elbasanit dhe në Shërbimin e shëndetit mendor me shtretër në Shkodër mungojnë dhomat e izolimit, por janë parashikuar në rikonstruksionin e spitaleve.
Plane Veprimi të pazbatuara
Deri në vitin 2022 çështjet e shëndetit mendor janë bazuar në Planin e Veprimit për Zhvillimin e Shërbimeve të Shëndetit Mendor 2013 – 2022, i cili është shoqëruar me hartimin e Planit të Veprimit për Shëndetin Mendor 2023 – 2026 me synim promovimin e kujdesit për shëndetin mendor dhe mirëqenien e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë.
Realizimi i këtij synimi bazohet në përmbushjen e dy objektivave madhorë strategjikë, decentralizimin e shërbimeve të shëndetit mendor përmes shtrirjes dhe pasurimit të rrjetit ekzistues me shërbime sa më pranë komunitetit dhe deinstitucionalizimi, përmes reduktimit të numrit të shtretërve psikiatrik dhe ngritjes dhe fuqizimit të shërbimeve komunitare të shëndetit mendor.
Sipas planeve të veprimit të shëndetit mendor ishte parashikuar ngritja e pavijoneve psikiatrike në të gjitha spitalet rajonale të vendit duke synuar krijimin e rreth 325 shtretërve psikiatrikë pranë këtyre strukturave deri në vitin 2022. Ky objektiv nuk është realizuar, duke shkaktuar mbingarkesën e shërbimit shëndetësor të specializuar me shtretër.
Përsa i përket centalizimit të shërbimit psikiatrik me shtretër, psikiatri Neli Demi vlerëson se ka nevojë për një riformatim të kapaciteteve.
“Unë mendoj që është një numër i lartë për një institucion me shtretër, pasi mendoj që shtretërit psikiatrik duhen gjithashtu shpërndarë në spitalet rajonale.”, thotë Demi, i cili më tej shton se “një numër i caktuar shtretërish në spitalet e përgjithshme, do bënte të mundur aksesin e shpejtë dhe të përshtatshëm të këtyre nevojave për shtretër në të gjithë Shqipërinë.”
Rruga drejt deinstitucionailizimit dhe ulja e numrit të shtretërve psikiatrik, do të shoqërohej me ngritjen dhe fuqizimin e shërbimeve komunitare, siç janë Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor.
Pavarësisht këtij angazhimi për të ngritur e fuqizuar shërbimet shëndetësore në të gjitha nivelet, në praktikë ka rezultuar se, nga 25 Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor që duhet të ishin ngritur për të ndjekur ambulatorisht pacientët me çrregullime të shëndetit mendor, janë ngritur vetëm 10, në moszbatim të Planit të Veprimit për Shëndetin Mendor 2013 – 2022.
“Burimet e disponueshme janë të përqëndruara në 4 rajone që janë Tirana, Vlora, Shkodra dhe Elbasani. Duke qenë të përqëndruara kryesisht në 4 apo 5 qarqe, aksesi i popullatës në përgjithësi, është i reduktuar.”, thotë psikiatri Neli Demi.
Buxhetimi i ulët për shëndetësinë dhe pasojat për sektorin e shëndetit mendor
“Together for Life” është një organizatë e cila ushtron aktivitetin e saj në nivel kombëtar për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi, dhe kategorive të brishta shoqërore në veçanti.
Sipas raportit të monitorimit të shpenzimeve publike për sektorin e shëndetësisë, të realizuar nga TFL, Shqipëria është ndër vendet më pak financuese për shëndetësinë në Rajon dhe BE, duke rënduar barrën financiare mbi qytetarët dhe duke rrezikuar aksesin në shërbime për shtresat në nevojë.
Edhe pse në dukje buxheti për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale ka ardhur në rritje nominale në vitet e fundit, rezulton se përqindja ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe Shpenzimeve të Përgjithshme Publike (SHPP) është ulur ndjeshëm.
“Në Bashkimin Europian, mesatarja e shpenzimeve ndaj PBB është 10.4%, ndërsa Shqipëria qëndron në fund të listës me vetëm 2.8% për vitin 2024. Po ashtu Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi në rajon, me 51.3% të totalit të shpenzimeve në shëndetësi të mbuluara drejtpërdrejt nga qytetarët.”, thotë Alma Lahe, eksperte pranë Together for Life.
Në Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 parashikohet që buxheti I shëndetësisë deri në vitin 2024 do të arrinte në nivelin e 4% të PBB, ndërkohë që duke filluar nga viti 2021 e në vazhdim përqindja ka ardhur në ulje.
“Për fat të keq, në vetë parashikimet në buxhetin afatmesëm 2026-2028 pritet sërish ulje.”, thotë Lahe, e cila më tej thekson se “ulja e buxhetit për shëndetësinë është shqetësuese sepse ka ndikim të drejtëpërdrejtë në uljen e aksesit në shërbime shëndetësore cilësorë veçanërisht të grupeve vulnerabël dhe që vijnë nga familje me të ardhura të ulta.”
Deri në shtator të vitit 2024, Plani I Veprimit për Shëndetin Mendor 2023–2026 ka patur implementim të pjesshëm dhe të kufizuar, kryesisht për shkak të mungesës së financimit adekuat dhe prioritizimit institucional.
“Burimet financiare nuk janë përshtatur me rritjen e nevojave reale.”, shpjegon Lahe.
Sipas raportit të KLSH, për vitin 2023 pesha që ka zënë trajtimi i të sëmurëve të shëndetit mendor në spitalet psikiatrike është 2,5% e buxhetit të përdorur në spitalet e vendit: “Ka patur një buxhet të vogël për këta pacientë, kjo ka sjellë dhe mos plotësimin e plotë të nevojave që kanë këta të sëmurë me probleme të shëndetit mendor.”
Barra financiare për qytetarët
Shumë qytetarë me çrregullime të shëndetit mendor janë nën kujdesin e familjarëve, qoftë kjo për mungesë të kapaciteteve, apo për zgjedhje të vetë atyre për t’u kujdesur për të afërmit e tyre. Kosto financiare për këto familje është e jashtëzakonshme.
Për shkak të shperndarjes së shërbimeve komunitare dhe atyre me shtretër, shpesh atyre i duhet të udhëtojnë drejt shërbimeve dhe në rastet të largësive të mëdha nga vendbanimet, familjarëve të pacientëve i duhet të shpenzojnë për akomodim pranë shërbimeve.
“Po të llogarisim koston e ditëve të humbura të punës, dhe shpenzimeve që njerëzit bëjnë, dhe nganjëherë detyrohen dhe të marrin borxhe, këto janë sigurisht që janë kosto të mbuluara të cilat fatkeqsisht nuk dalin ndonjëherë në siperfaqe.”, thotë psikiatri Neli Demi.
Familjarët të cilët kujdesen për këta persona shpesh llogariten si një e ardhur financiare e munguar në shtëpitë e shqiptarëve, pasi ata janë kthyer në kujdestarë të dedikuar dhe nuk janë të punësuar.
Një tjetër kosto për këtë kategori qytetarësh është blerja e medikamenteve që i duhet për çrregullimet e ndryshme emocionale dhe mendore. Një pjesë e mirë e tyre janë të rimbulsueshme, por kjo nuk shmang praktikat abuzive të tregut.
“Për shkak të disa dinamikave që për mendimin tim mund t’i quaja dhe kriminale, monopolizuese të tregut farmaceutik, nga dita në ditë një medikament që përdoret shumë zhduket dhe pacientët detyrohen të kërkojnë jashtë, dhe mjekët pastaj detyrohen të gjejnë alternativa të atij medikamenti apo të cilësisë së medikamenteve që fatkeqsisht në përshtypjen time nuk ka një kontroll rigoroz.”, thotë psikiatri Demi.
Raporti i KLSH, ka gjetur se dështimi për të ngritur kapacitete në spitalet rajonale të vendit ka shkaktuar mbingarkesën stafeve mjekësore, pasi mjekët psikiatër të këtyre strukturave, në veçanti në Elbasan, Vlorë e Shkodër jo vetëm që mbulojnë problematikat e spitaleve ku aktualisht ofrojnë shërbim, por ato janë në suport edhe të spitaleve rajonale.
Më konkretisht në rastin e mjekëve psikiatër të spitaleve të Elbasanit dhe Vlorës, si edhe të shërbimit shëndetësor të specializuar me shtretër Shkodër, pavarësisht faktit se ofrohet shërbim edhe për spitalet rajonale, mjekët psikiatër nuk paguhen shtesë për këtë qëllim. Sipas këtij raporti, kjo situatë ka ndodhur për shkak se në VKM nr. 555, datë 11.08.2011 nuk janë përfshirë shërbimet e urgjencës që ofrohen nga mjekët psikiatër të spitalit psikiatrik të Elbasanit, Vlorës dhe të Shërbimit shëndetësor të specializuar me shtretër të Shkodrës, të cilët nuk përfitojnë pagesën e nevojshme për këtë shërbim.
Problematikat që shoqërojnë këtë sektor të shëndetësisë dhe këtë kategori vulnerabël qytetarësh, janë komplekse. Nga të gjitha të dhënat e analizuara më lartë, ekspertët vlerësojnë se ka nevojë për një rikonceptim, riformatim të shërbimeve dhe një nevojë për rritje të buxhetimit në shëndetësi, e veçanërisht për shëndetin mendor.