Ida Ismalaj
Tezat që dalin, përgjegjësia që mungon dhe një brez i humbur.
Çdo qershor, zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore, një moment kyç për të rinjtë, që ndikon drejtpërdrejt në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm arsimor dhe profesional. Por ky moment, që dikur shihej si simbol i përpjekjes dhe meritës, si kurorëzim i mundit të nxënësve dhe mësuesve sot po kthehet në një farsë..
Arsyeja?
Rënia e vazhdueshme e numrit të maturantëve, publikimi i rregullt i tezave në rrjetet sociale, mungesa e përgjegjësisë dhe rrënimi i çdo standardi
Në vitin 2015, mbi 45 mijë maturantë iu nënshtruan provimeve. Sot, në 2025, janë vetëm 27 mijë. Pra, 18 mijë maturantë më pak në një dekadë, një rënie që flet qartë për krizën demografike, emigrimin masiv, dhe braktisjen e shkollës.

Shkollat e mesme, në qytete por edhe në kryeqytet, po përballen me klasa bosh. Dhe ato që mbeten, gjithnjë e më shpesh, i shohin nxënësit me sy nga jashtë vendit. Si Adela, maturantja që thotë:
“Mendoj të studioj për juridik jashtë shtetit. Këtu shoh korrupsion dhe mungesë të drejtësisë.”
PISA: Shqipëria në fund të klasës
Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA (2022) e konfirmojnë krizën. Shqipëria renditet ndër vendet me performancën më të ulët në Europë në të gjitha lëndët bazë:
Lexim: 58% e nxënësve nuk arrijnë nivelin minimal të kuptimit të tekstit.
Matematikë: 74% janë nën nivelin bazë.
Shkencë: Mbi gjysma nuk arrijnë të kuptojnë konceptet elementare.
Kjo është fotografia reale e sistemit arsimor. Dhe kur në këtë panoramë shtohet edhe kopjimi i organizuar në Maturë, fotografia bëhet e trishtë.
Në tri vitet e fundit (2023, 2024, 2025), tezat e provimeve kanë dalë online pak minuta pas nisjes së testit. Këtë vit (2025), ato qarkulluan në rrjete sociale vetëm 20 minuta pas fillimit.

Etleva Doka, mësuese në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” thotë me shqetësim:
“Nëse në shkolla jepen nota të fryra dhe në provime kopjohet, atëherë nuk kemi më sistem që mat dijen. Në shumë shkolla futen celularë. Vetë administratorët e komprometojnë procesin. Madje qarkullojnë lista me emra që ‘duhen ndihmuar’.”
Ministria reagon si çdo vit: “Procesi nuk është cënuar”
Ministria e Arsimit dhe Sportit, pas publikimit të tezave në 2025, përsëriti refrenin e zakonshëm:
“Provimi është zhvilluar në kushte të sigurta dhe publikimi pas fillimit nuk ndikon në rezultat.”
Një deklaratë që ofendon inteligjencën publike, kur është e qartë se procesi është i komprometuar që në rrënjë.
Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit e quan këtë “grabitje në mes të ditës” dhe thekson:
“Kemi të bëjmë me një krim të organizuar mes Ministrisë, administratorëve dhe prindërve që pajisin fëmijët me më shumë se një celular. Matura është privatizuar nga një rreth i vogël përfituesish.”
Kolindo Vjerdha nga Qendra Qytetar ngre një pyetje thelbësore:
“Pse nuk ndëshkohet askush? Nuk kemi asnjë të identifikuar. Tezat dalin, qarkullojnë, zgjidhen dhe shpërndahen. Kjo nuk është vetëm kopjim, por një grabitje e të ardhmes së nxënësve që kanë mësuar.”
Pedagogia dhe ish-zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, propozon një model më të avancuar:
“Në Europë përdoren teste të personalizuara, shpesh të zhvilluara edhe në shtëpi. Edhe sikur të dalin, nuk ka kuptim kopjimi. Ne thjesht nuk kemi vullnet për ta bërë këtë. Kopja është bërë sistem.”
Këtë vit, Ministria e Arsimit aplikoi për herë të parë testime të personalizuara për maturantët me aftësi të kufizuara dhe ngriti 145 qendra testimi. U angazhuan 640 mësues për vlerësim.
Një hap i mirë, por që mbetet pikë në oqean përballë një sistemi që lë pa mbrojtje shumicën e të rinjve.
Sistemi i meritës, në rënie të lirë
Kur provimi nuk është më garë, por pazar, kur rezultati nuk lidhet me mundin, por me lidhjet, kur maturanti i ndershëm penalizohet dhe ai i që nuk ka mësuar shpërblehet, atëherë sistemi nuk është më arsimor, por deformues.
Matura po shndërrohet në një skenë ku aktorët janë të njëjtët, por besimi i publikut do të mungojë gjithmonë e më shumë sa kohë vijon shfaqja: “të gënjejmë veten”.