Mbrojtja e votës, sprova e SPAK

Denada Jushi

Një herë në katër vjet, përmes votës, shoqëria zgjedh për të ardhmen, por kultura në Shqipëri nuk e ka parë votën si përfaqësim dhe zëri i gjithsecilit. Ndaj jo pak herë e shohim sesi ajo kthehet në instrument shit-blerjeje, duke kontaminuar zgjedhjet. Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 11 maj dhe shit-blerja e votës është një nga temat më të diskutuara të fushatës. Por ndryshe nga fushatat e kaluara, këtë vit vëmendja është përqendruar edhe te një aktor i rëndësishëm: SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka deklaruar që në nisje të kësaj fushate se ka marrë një rol aktiv në mbrojtjen e integritetit zgjedhor. Por pyetja që qëndron është: a mjafton ky angazhim për të garantuar votën e lirë dhe a do të mundet vendi ynë të çlirohet nga dritëhijet që kanë mbuluar rezultatet e zgjedhjeve sa herë zhvillohen?

Më 24 janar 2025, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, urdhëroi ngritjen e një Task-Force për zgjedhjet. Kjo strukturë përbëhet nga një njësi qendrore dhe ekipe hetimore në të 12 qarqet e vendit, të cilat përfshijnë prokurorë, hetues të BKH-së dhe hetues financiarë. Objektivat e paraqitura janë ambicioze: identifikimi i shpejtë i indicieve penale, ndalimi i ndikimit të krimit të organizuar, ndjekja e zyrtarëve të lartë të përfshirë në krim zgjedhor dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve. Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga 11 maji, SPAK ka hapur deri më tani regjistruar 115 materiale kallëzuese, ku përfshihen: Kallëzime nga subjekte politike,referime nga Policia e Shtetit, denoncime nga Platforma Online apo denoncime nga qytetarët. Materialet kallëzuese nga subjektet politike janë 25 thotë SPAK, në platormën online kanë mbërritur 35 materiale kallëzuese, po ashtu janë regjistruar 35 procedime penale.

Çfarë parashikon Task-Forca

Për “Sinjalizo”, SPAK ka zbardhur edhe metodologjinë dhe mënyrën se si do të veprojë kjo Task-Forcë, e cila ndahet në strukturën qendrore në njërën anë dhe grupet hetimore në anën tjetër. Grupet hetimore do të raportojnë tek struktura qendrore dhe më pas çdo informacion i marrë do t’i raportohet drejtuesit të Prokurorisë, Altin Dumani. Burime hetimore bëjnë të ditur se SPAK po ndjek edhe raste të ngjashme me ato të fushatave të kaluara. Gazetari Eni Ferhati sjell në vëmendje rastin në zgjedhjet vendore të vitit 2019, ku u zbuluan raste kur vota jepej në këmbim të legalizimeve apo certifikatave të pronësisë.

Me gjithë vullnetin që SPAK po tregon për përdorimin e metodës së flagrancës, Ferhati thotë se kjo metodë është tepër e vështirë, por zbarkimi i prokurorëve në terren shërben më shumë si formë parandalimi për organizime të tilla. Megjithatë, rastet nuk kanë munguar. Pak ditë më parë, një hetim i tillë u transferua zyrtarisht në SPAK, pasi lidhej me një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se po blinte vota në Lushnje.

Dëshmi: Si funksionon skema e shit-blerjes së votës

A.D është një 24-vjeçar i cili katër vjet më parë vendosi që votën e tij të parë ta shiste – kjo ndodhi përmes një miku të tij.

“Jetoj në rrethinat e Tiranës. Një shok më tha që një parti politike ofronte pagesë nëse votoja për të. Fillimisht e mora me shaka, por pastaj dërgova një foto të kartës së identitetit, tregova qendrën e votimit dhe më kërkuan ose të fotografoja votën nëse do më jepej mundësia, por duhej të mos bëja problem ditën e zgjedhjeve ose pas votimit të kryeja një ‘betim’.”

Ky rrëfim tregon qartë se si zhvishet procesi nga çdo iluzion idealist dhe e vendos votën në terrenin e pazareve.

E ndërsa kjo ndodh në kryeqytet, realiteti në pjesën tjetër të vendit është edhe më problematike.

Kanosja e votuesve, sidomos në zonat rurale, mbetet një problem serioz, i përmendur prej vitesh, por ende i pazgjidhur. Hetimet janë të ndërlikuara dhe kërkojnë infiltrime, përgjime dhe bashkëpunim të qytetarëve, gjë që në praktikë mungon për shkak të frikës dhe mungesës së besimit te drejtësia. Një tjeter formë që banorë të zonave rurale në qarkun e Shkodrës rrëfejnë se ka politikanë të cilët ndihmojnë për gjatë viteve me pagesa të prapambetura, dhe që ata zgjedhin me dëshirë që në formën që ata e quajnë “mirënjohje”  t’i mbështesin në kohë zgjedhjesh.

Një problem që nuk është vetëm ligjor: Dimensioni social i shitjes së votës

Shitja e votës nuk është thjesht një shkelje ligji, por më shumë tregon për një plagë më të thellë, një fenomen që ka rrënjë kulturore dhe sociale. Në zonat ku varfëria është e theksuar, 200 euro mund të peshojnë më shumë se një ideal demokratik. Mungesa e besimit, nënvlerësimi dhe mosdëgjimi i qytetarit e ka kthyer këtë raport në një marrëdhënie konformizmi dhe përfitimi. Kjo është një e vërtetë që pak institucione e thonë hapur, por që çdo gazetar në terren e has në çdo cikël zgjedhor.

SPAK dhe KQZ: Partneritet institucional, por sa efektiv?

Më 27 shkurt u nënshkrua një protokoll bashkëpunimi mes SPAK, KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ky protokoll synon shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe ndjekjen penale të çdo shkeljeje zgjedhore. KQZ e ka përshkruar votën si “shprehjen më të drejtpërdrejtë të sovranitetit qytetar”. Por, kur kjo votë blihet,sa mbetet nga sovraniteti?

Diaspora është një terren i ri për hetim, për herë të parë, SPAK ka deklaruar se do të ndjekë edhe krimet zgjedhore jashtë territorit shqiptar. Nëse ky angazhim do të përkthehet në rezultate konkrete, mbetet për t’u pare, por është një hap i rëndësishëm në një kohë kur vota e emigrantëve shihet si çelës elektoral. Në këto zgjedhje  janë regjistruar 232,613 zgjedhes për të cilën është ende e paqartë sesi do të veprohet në raste ku do të ketë abuzime me votën.

Megjithatë, as SPAK dhe as KQZ nuk iu përgjigjën pyetjes se si do të veprohet në rastet jashtë vendit. Ditët e fundit në rrjete sociale janë shfaqur jo pak raste të fotografimit të votës dhe të subjekteve për të cilat votojnë emigrantët.

Vota mbrohet me ligj, por fitohet me kulturë

SPAK është në terren. Ka ngritur struktura, ka strategji, ka bashkëpunime. Por mbrojtja e votës nuk është betejë vetëm ligjore, është edhe morale, sociale dhe kulturore. Një votë shitet kur njerëzit ndihen të harruar, të zhgënjyer dhe kur një thes miell vlen më shumë se premtimet boshe elektorale.

Pyetja që mbetet për 11 majin është: a do të jetë kjo dita kur Shqipëria do të zgjedhë me votë të lirë apo me zarfe të mbushura?

Kjo nuk varet vetëm nga SPAK, por nga secili prej nesh. Çdo qytetar duhet të ndërgjegjësohet se vota e tij nuk është për t’u shitur, por është një mjet i shenjtë që ndan lirinë nga nënshtrimi.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/