Ida Ismalaj
Rritja e numrit të qendrave after school në Tiranë, përtej premtimeve të reklamave për edukim cilësor dhe kujdes të plotë, ka nisur të nxjerrë në pah probleme shqetësuese. Me një kosto të shtuar financiare për prindërit, por shpesh pa efektet e pritura tek fëmijët, këto qendra operojnë kryesisht pa licenca dhe pa monitorim institucional.
Në një qytet ku ritmi i punës nuk përputhet me oraret shkollore, qendrat after school janë bërë një zgjidhje e domosdoshme – por jo gjithmonë një zgjidhje cilësore.
Për sigurinë, por edhe mirëedukimin e fëmijëve, prindërit po zgjedhin shkollat jopublike dhe programet after school (pas shkolle) Një kosto financiare e shtuar për prindërit, por si duket pa rezultat pozitiv tek fëmijët. Këtë e dëshmon një prind 42 vjeçar, babai i një djali në klasën e 3, i cili ankohet për “Sinjalizo”, në lidhje me programet after school, që në Tiranë lënë për të dëshiruar.
“Që në klasë të parë, e regjistrova djalin në shkollë private dhe në programin after school, për të studiuar dhe për të bërë detyrat e shtëpisë. Por, vura re se fëmija im kishte mungesë të theksuara njohurish”-shton prindi. Kjo pasi sipas tij, nxënësit lihen të lirë dhe detyrat nuk kontrollohen nga mësuesit, të cilët janë edhe të mbingarkuar pasi japin mësim edhe në shkollën private.
Si funksionojnë qendrat after school në Tiranë ?
Fenomeni i regjistrimit të fëmijëve në after school ka ardhur në rritje, pasi oraret e mësimit në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët nuk përshtaten me oraret e punës së prindërve. Kjo ka “detyruar” prindin të paguajë për këto qendra, për të cilat rregullatorët ligjorë dhe kontrollues mungojnë.
Në një vëzhgim në disa qendra after school në Tiranë, ajo çfarë pretendohet se iu ofrohet fëmijëve janë detyrat e shtëpisë, ushqim, transport. Kostoja për prindërit varion nga 7-17 mijë lekë në muaj, nga e hëna në të premten për 3-4 orë. Nxënësit mësojnë në grupe, klasat e para me të dytat, të tretat me të katërtat e kështu me radhë. Ndërsa sipas deklarimeve të marra në këto qendra, mësuesit kanë mbaruar ciklin e ulët dhe punojnë me kohë të plotë në after school.
Një tjetër shqetësim për funksionimin e qendrave after school e ndan edhe Arta, nënë e 2 vajzave. “Në qendrën after school në zonën e Freskut, ku regjistrova vajzën 7-vjeçare, mësimi zhvillohej në grupe kolektive dhe me një numër të lartë nxënësish”- thotë Arta, e cila shton se qendra nuk ofronte as programe argëtuese për fëmijën, siç i ishte komunikuar në momentin kur kishte bërë regjistrimin e fëmijës.
Si licencohen qendrat after school?
Një qendër after school në Tiranë thotë se licencën për ushtrimin e aktivitetit e ka marrë në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Administratorja, me profesion psikologe ka ngritur një qendër after school, në zonën e Freskut me një kosto 25-30 mijë lekë në muaj. “Ofrojmë studim, ushqim, aktivitet psiko-social, asistencë mjekësore”-shprehet administratorja.
Qendrat after school të palicencuara si të tilla
Çdo biznes regjistrohet fillimisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit që të disponojë një Nipt, për të ushtruar aktivitetin. Në faqen zyrtare të QKB sqarohen rastet kur jepen licenca nga ky institucion, si psh për kopshte, por në asnjë rast nuk flitet për licenca për after school.

“Sinjalizo” i dërgoi kërkesë për informacion Qendrës Kombëtare të Biznesit në lidhje me regjistrimin apo licencimin e qendrave after school, kriteret që duhet të plotësojnë dhe nëse janë licencuar si qendra kursesh apo kopshte. Në përgjigje, QKB sqaron se në regjistrin tregtar janë regjistruar 390 subjekte, nga të cilat, 210 janë leje/licenca vetëm për kopshte.

Agjencia Kombëtare e Arsimit, nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë thotë se japin licenca vetëm për qendra të formimit, të cilat ofrojnë kualifikime profesionale, të moshave mbi 16 vjeç.
Kjo do të thotë se nuk janë të certifikuara, pasi legjislacioni shqiptar nuk e njeh ende si njësi biznesi që ofrojnë shërbimin after school.
Ministria e Arsimit nuk ka nën kontroll Qendrat after school
Shqetësuese është fakti se kush i administron këto qendra, si bëhet përzgjedhja e stafit dhe a e kanë kualifikimin e duhur për të dhënë mësim. Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion përgjegjës për kontrollin e institucioneve edukative në vend nuk ju përgjigj kërkesës për informacion në lidhje me licencimin apo kontrollin e qendrave after school.

Por, burimet pranë institucionit bëjnë të ditur se Ministria e Arsimit nuk i ka në monitorim këto qendra, por vetëm shkollat dhe kopshtet publike dhe jo publike.
Qendra kursesh dhe qendra after school në të njëjtin ambient
Në mungesë të kontrolleve në vend, bizneset regjistrohen si qendra kursesh në Tiranë dhe ushtrojnë aktivitet edhe si after school. Në të njëjtin ambient, krahas mësimit të gjuhëve të huaja, ofrohet edhe mësim pas shkolle.


Si po e dëmtojnë qendrat after school sistemin arsimor
Presidenti i Sindikatës për Arsimin Isa Halilaj thotë për “Sinjalizo” se në mungesë të kontrollit nga Ministria e Arsimit, qendrat after school po rrezikojnë të kthehen në një minë me sahat.
“Prindi duke qenë se është në punë dhe për shkak të mësimit në shkolla me dy turne është i detyruar ta çojë fëmijën në after school. Janë qendra që nuk kanë asnjë program, kanë vetëm një numër Nipti. Puna me fëmijët është shumë delikate dhe këto qendra duhet patjetër të jenë nën kontrollin e Ministrisë së Arsimit”, thotë Halilaj.
Raporti i Qendresës Qytetare, për nismën “Të bëjmë detyrat e shtëpisë”
Kolindo Verdha nga Qëndresa Qytetare thotë për “Sinjalizo” se nisma e 3 ministrive, të Arsimit, Shëndetësisë dhe Bujqësisë “Të bëjmë detyrat e shtëpisë”, ndërmarrë që në 2018 ka dështuar të implementohet.
“Deri në vitin 2023 kjo nismë ka qënë e përhapur vetëm në 13.4% të numrit total të shkollave dhe ka angazhuar vetëm 2.6% të nxënësve.
Shkollat publike sot duhet të ofrojnë jo vetëm këtë shërbim, por edhe shërbime të tjera që formojnë talentet e nxënësve, të cilat kështu të rrisin orarin e qëndrimit produktiv të nxënësit në shkollë”-thote Kolindo Verdha.
Qendrat after school po ndikojnë në marrëdhënien prind-fëmijë
Ardiola Bodinaku psikologe dhe lektore në një universitet jopublik shprehet se qendrat after school janë model i gabuar, pasi shkëputin totalisht fëmijën nga prindi. Bodinaku thotë: “Duhet më shumë ndërgjegjësim dhe sakrificë, fëmijët duhet të kenë në dispozicion të pakten njërin prind. Të ketë komunikim me fëmijën, për të qenë në dijeni të ditës së tij dhe sa më vigjilentë për çdo problematikë që mund të ketë fëmija”.
Standardi i jetesës është rritur dhe prindërit të gjendur në pamundësi përballë kohës për të qëndruar apo mësuar fëmijët, “i detyrojnë” ata t’i çojnë në qendra after school. Por, deri në momentin kur mungojnë licencat, nuk ka program apo kontroll ndaj këtyre qendrave dhe nuk dihet nëse personat që japin mësim kanë kualifikimin e duhur, këto qendra kthehen në rrezik për fëmijët. Ndaj duhet të ketë ndërgjegjësim dhe monitorime në terren në mënyrë që të kemi qendra after school me standardet e duhura.