Sfidat e tregut të punës, mospërputhja mes kërkesës dhe ofertës

 Autore: Ina Allkanjari

Erisa, 31-vjeçarja nga Tirana tregon sfidat me të cilat është përballuar teksa trokiste dyerve të zyrave të punësimit në një moment të vështirë në jetën e saj.

Pas 8 vitesh pune si operatore ne call center mora lejen e lindjes. Ne vitin 2021 u riktheva në punë dhe pas një muaji më pushuan nga puna për shkurtim stafi. Ishte një periudhë shumë e vështirë për mua, vajza ishte vetëm 13 muajshe dhe shpenzimet ishin të larta. Vendosa t’i drejtohem zyrës së punës në Tiranë. Dërgova letrat për asistencë dhe për të kërkuar punë”, tregon Erisa teksa shprehet se me vështirësi arriti të përfitonte asistencën për një periudhë 4-mujore.

Erisa është një nga rreth 150 mijë qytetarë të cilët rezultojnë të jenë punëkërkues, 79,517 prej të cilëve punëkërkues të papunë të regjistruar pranë zyrave publike të punësimit. Shifër e cila ka shënuar rritje të vazhdueshme përgjatë dekadës së fundit. Kryeqyteti, mban barrën më të lartë të punëkërkuesve me 78%, duke treguar një hendek të theksuar krahasuar me rajonet e tjera. Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11.0%.

31-vjeçarja tregon se pranë zyrës së punës kërkoi punësim të kualifikuar, pasi kishte përfunduar arsimin e lartë dhe dëshironte një të ardhme më të sigurt, duke tentuar të gjente punë në profesion.

“Për punë nuk më njoftuan asnjëherë. Nuk mora asnjë telefonatë apo njoftim nga zyra e punës për oferta pune. Unë kam përfunduar studimet e larta për Gjeologji në Tiranë dhe kërkova nga zyra e punës mundësi punësimi në profesion. Por asnjëherë nuk mora një përgjigje nga ata. Sot punoj sërish në call center si operatore”. 

Erisa është një prej punëkërkuesve në Shqipëri, rasti i së cilës tregon nevojën për veprime të koordinuara dhe përpjekje të përbashkëta për të adresuar sfidat e tregut të punës.

Rritja e vazhdueshme e punëkërkuesve

Në platformën “Dua Punë” paraqitet grafiku i punëkërkuesve të regjistruar në këtë sistem përgjatë dekadës së fundit, konkretisht nga viti 2015 deri në vitin 2023.  Nga të dhënat e indeksit vihet re se numri i tyre ka pësuar rritje nga viti në vit, ku aktualisht rezultojnë 146,856 qytetarë të regjistruar si punëkërkues.

 

Eljana Mete, Drejtore Ekzekutive e duapune.com, tregon për sinjalizo betejen me të cilën përballen punëkërkuesit, dhë konkurrencën që paraqitet në tregun e punës në Shqipëri.

“Ne kemi çdo ditë 40-50 pozicione të reja, atëherë po të shumëzohet kjo me gati nga 50-100 aplikime për secilin pozicion, sepse varet disa pozicione është më e vështirë për të aplikuar, ju e imagjinoni dhe e shikoni vet se sa i madh dhe sa e rëndësishme është kërkesa e punëkërkuesve për të gjetur punë”. 

Ndërsa ka rreth 11,075 kompani të regjistruara pranë kësaj platforme, që ofrojnë afërsisht 82,975 vende pune, numri i punëkërkuesve është thuajse dy fish më i lartë në krahasim me hapësirat e punësimit që ofrohen në Shqipëri. Kjo mospërputhje nxjerr në pah çekuilibrin midis punëkërkuesve dhe mundësive të disponueshme në tregun e punësimit në vend.

“Vëmë re se çfarë janë punë të kualifikuara e kanë pak më të lehtë për të qenë të orientuar. Ndërsa për punët që janë më të ulëta ose më pak të kualifikuara e kam pak më të vështirë për tu orientuar ose për të aplikuar”. 

Punët që kërkohen më së shumti nga qytetarët janë punët e kualifikuara, ku mbizotërojnë kërkesat në sektorin e financës, inxhinierisë, artit dhe televizionit, por ndryshe paraqiten kërkesat e punëdhënësve.

“Nëse flasim sot për resortet apo turizmin në tërësi, është një dhimbje e madhe koke kur flasim për mungesën e fuqisë punëtore sidomos për kamarier, banakier apo sanitar, recepsion dhe këto janë pozicione që këtë vit janë kërkuar më së shumti. Ndryshime ka tani tregu imobilar, ndryshime shumë ka sektori i ndërtimit, sektori i turizmit. Për të folur edhe për “boom-in” që ka patur edhe turizmi këtë vit dhe nevoja e pozicioneve të punës që duhej plotësuar nëpër resorte apo kudo në Shqipëri”.

Përsa i përket grupmoshës së punëkërkuesve, peshën më të lartë të tyre të regjistruar në këtë platformë e zënë grupmosha 35-44 vjeç, pasuar nga grupmosha 25-34 vjeç.

Luneda Lamaj, Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregon mbi sfidat e përafrimit të kërkesave të tregut me grupet e aftësive të punëkërkuesve. Ajo nënvizon natyrën dinamike të tregut të punës, ku kërkesat për aftësi ndryshojnë me shpejtësi, duke çuar në mospërputhje midis ofertave të punës dhe profileve të aplikantëve.

“Mund të themi që një nga sfidat që ne hasim më së tepërmi mund të jetë mospërputhja e ofertës me kërkesën e tregut të punës. Duke qenë se aftësitë të cilat kërkohen në treg çdo ditë lëvizin vrullshëm. Pra çfarë kërkon tregu i punës për shkak të këtij dinamizmi që ndihet mund të mos përputhet me aftësi të cilat personat që drejtohen pranë zyrës së punës për të kërkuar një punë, mund të mos i kenë”. 

Sipas raporteve të publikuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, numri i ofertave për punë është 52% e numrit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në të gjitha ZP, por nëse në rajonet Tiranë dhe Fier kjo shifër shkon përkatësisht 86% dhe 62%, në qarqet Kukës dhe Dibër varion nga 9-18% të totalit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar.

Gjatë vitit 2022 zyrat e punës kanë mundësuar punësimin e 28,984 punëkërkuesve të papunë. Prej këtyre punësimeve, vetëm 12,363 janë realizuar me ndërmjetësim direkt nga zyrat e punësimit dhe 2,176 punësime janë realizuar nëpërmjet zbatimit të PNP-ve të reja, ndërsa 14,391 qytetarë të tjerë janë punëkërkues të papunë të cilët kanë gjetur vetë punë.

58% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar, janë të grupmoshës mbi 40 vjeç. Ndërsa vihet re që 31% e totalit të punëkërkuesve të papunë të punësuar janë të rinj deri në 29 vjeç. Shanset më të vogla në punësim duket që i kanë grupmoshat e mëdha mbi 50 vjeç, të cilat zënë vetëm 14% të totalit të të punësuarve, pavarësisht se përbëjnë rreth 34% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar.

“Detyrimisht tregu i punës është dinamik dhe e gjithë kjo lëvizje që ndodh në tregun e punës nuk mund të varet vetëm nga një institucion që është Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, pasi siç e thash tregu është dinamik dhe janë shumë aktorë të tjerë të cilët veprojnë në të. Sektorët që dominojnë më së tepërmi janë sektori i hoteleri turizmit, sektori i fasonerisë ku ka nevojë tregu i punës, sektori i teknologjisë së informacionit, të cilat kanë më së tepërmi nevojë për forcën punëtore”, tregon Luneda Lamaj.

Ndërkohë në raportet e publikuara nga Agjencia e Punësimit vihet re se 33,769 individë rezultojnë të regjistruar si të papunë afatgjatë, duke treguar për sfida të vazhdueshme në sigurimin e punësimit.

Nga ana tjetër shumë të rinj që sapo kanë përfunduar shkollën apo universitetin hasin vështirësi në gjetjen e një mundësie pune, duke shkaktuar vështirësi në integrimin në tregun e punës.

“Përmes programeve të praktikave profesionale të gjithë të sapo diplomuarit trajtohen edhe u jepet mundësia që të kryejnë një praktikë të paguar në institucione publike dhe private”, tregon Luneda. 

Klea Teokolici, tregon për sinjalizo se ju drejtua zyrës së punësimit në qytetin e Elbasanit për të siguruar një praktikë pune pranë universitetit ku ajo studionte.

“Dy vite më parë në muajin tetor, ju drejtova zyrës se punës në Elbasan për të kërkuar praktikë punë Universitetin e Elbasanit, pasi ndiqja studimet Për Master Shkencor për Mbrojtje Mjedisi. Në momentin që u regjistrova si punëkërkuese, dërgova dokumentat që më kërkuan dhe i thash që jam e interesuar për çdo lloj punë mjafton që oraret të jenë fleksibël, por primare për mua ishte praktika në Universitetin e Elbasanit. Më thanë që do kërkonin për mundësi punësimi ose praktike me pagesë që përshtaten me profilin tim”, tregon 23-vjeçarja teksa thekson se gjatë periudhës që ishte në pritje, nëse gjente vetë punë dhe deklarohej me sigurime, automatikisht i hiqej emri nga lista e pritjes.

“Duke qenë se isha studente, nuk kërkova punë në forma të tjera por qëndrova 8 muaj në pritje të një përgjigjeje nga zyra e punës. Në muajin maj të vitit 2022 më kontaktuan dhe më thanë rreth mundësisë së praktikës me pagesë pranë universiteti të Elbasanit. Fillova praktikën në 16 qershor deri në 16 dhjetor, pra praktika më zgjati 6 muaj”.

Tregu i punës dhe mospërputhja e aftësive

Eksperti i ekonomisë Enriko Ceko tregon për sinjalizo zhvillimin e tregut të punës në Shqipëri dhe ndryshimet që ka pësuar kjo sfere gjatë viteve të fundit.

“Tregu i punës në Shqipëri gjithmonë ka qenë në një situatë amorfe, asnjëherë nuk ka qenë një treg vërtet i kristalizuar, për shkak të ndryshimeve të njëpasnjëshme që ka ndodhur në ekonominë shqiptare duke filluar që nga vitet 90’”.

Ai vë në dukje se mungesa e specializimit ka ndikuar në aftësitë e forcës punëtore dhe ka bërë që kërkesat e aplikantëve për punë të mos përputhen me nevojat e bizneseve. ”Në përgjithësi shqiptarët specializimin e marrin në vendin e punës në një kohë që në të vërtetë ato duhet ta kenë specializimin përpara se të futen në vendin e punës për të cilin ata kërkojnë”, thekson ai.

Mungesa e lidhjes midis universiteteve dhe sektorit privat ka qenë një problem themelor në sistemin arsimor. Ceko pohon se shumë rrallë bizneset kërkojnë studentë të cilët mund të përputhen me nevojat e tyre për punësim. “Duhet ndryshuar jo thjesht qasja e sektorit publik ndaj punësimit por edhe qasja e sektorit privat në lidhje me bashkëpunimin midis institucioneve, qoftë institucione të arsimit të lartë por edhe të organizatave të biznesit”.

Ai gjithashtu shprehet për problemet në zyrat e punës, duke theksuar se ato ofrojnë shumë pak ndihmë reale për kërkesat e punës.

Zyrat e punës në fillim kur u ndërtuan kishin konceptin që të ndihmonin njerëzit të cilët e humbin vendin e punës për shkak të reformës. Jo për ata njerëz të cilët sapo mbarojnë në bankat e shkollës të shkojnë të regjistrohen të zyrat e punës që zyra e punës ti ofrojë disa mundësi. Një pjesë e mirë e shqiptarëve që kërkojnë punë e kanë humbur shpresën për të gjetur punë dhe shpresa e tyre e vetme është që ti drejtohen emigracionit apo punës në të zezë”.

Eksperti i ekonomisë shpreh nevojën e një rikonfigurimi të konceptit të zyrës së punës në Shqipëri.

“Një i ri që sapo mbaron shkollën, që për një periudhë 3-6 mujore të kërkimit të punës, nuk ka mundur të gjejë punë, të shkojë dhe të regjistrohet te këto zyra pune, të ketë të drejtën të regjistrohet në këto zyra pune dhe t’i ofrohen siç ka qenë rregulli të paktën 3 mundësi. Nëse ai nuk i shfrytëzon këto tre mundësi, atëherë ai nuk ka pse të kërkojë më shërbim nga zyrat e punës”, tregon Ceko.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/