Autore: Ina Allkanjari
Lojërat janë pjesë e pazëvendësueshme e fëmijërisë, duke ofruar gëzim dhe mundësi të mëdha për zhvillim. Por, pas buzëqeshjeve dhe argëtimit, fshihen rreziqe të padukshme që mund të kërcënojnë shëndetin e fëmijëve. Materialet e pasigurta dhe mungesa e çertifikimeve të duhura mund të çojnë në dëme serioze për jetën e fëmijëve.
S.H., mamaja e një vajze dyvjeçare, tregon për Sinjalizo përvojën e saj të vështirë kur, rreth një vit më parë, dërgoi vajzën në urgjencë për shkak të një reaksioni të shkaktuar nga një lodër.
“Vajza ime ishte 10 muajshe kur për 1 qershor mori dhuratë një lodër plastike,” kujton S.H. “Në momentin që filloi të luante me atë, nuk e kuptova nga i erdhën njolla të kuqe në trup. Situata u përkeqësua kur vajza filloi të kishte vështirësi në frymëmarrje, ndaj e dërgova menjëherë në urgjencë”.
30-vjeçarja tregon se pas ekzaminimeve të detajuara dhe diskutimeve për çdo kontakt që vajza kishte pasur, mjekët arritën në përfundimin se reaksioni ishte shkaktuar nga materiali i lodrës.
“Atë ditë vajza nuk kishte bëra asgjë ndryshe, nuk e kisha ushqyer me ndonjë produkt që nuk e kishte provuar më përpara. Pas ekzaminimeve mjekja konfirmoi dyshimet e mia, se njollat ishin shkaktuar nga një reaksion ndaj materialit plastik të lodrës,” tregon S.H.
S.H. shpjegon se që nga ajo kohë, ajo është bërë shumë më e kujdesshme në zgjedhjen e lodrave për vajzën e saj.
“Që atëherë, lodrat që i marrim vajzës janë vetëm të certifikuara,” thotë ajo. “Më së shumti i marr lodra me material druri dhe gjithmonë kontrolloj çertifikimin për siguri.”
Rreziku i intoksikacionit kronik
Mjeku toksikolog Alert Drishti tregon për Sinjalizo mbi rrezikun e intoksikacionit kronik prej lodrave për fëmijë.
“Intoksikacioni akut me lodrat nuk është shfaqur as te ne as në botë, por janë intoksikacione kronike ato që vijnë më gradualisht duke e përkeqësuar situatën”.
Mjeku thekson se prodhuesit e lodrave në komunitetin evropian, që ndjekin standardet CE, janë të detyruar të respektojnë rregulloret e certifikimit për të siguruar se lodrat janë të sigurta për përdorim nga fëmijët që të mos marrin substanca toksike.
Ai paralajmëron se disa lodra që nuk kalojnë nëpër kontrolle të tilla mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore:
“lodrat të cilat nuk kalojnë në certifikime të tilla, apo të mos kenë testime serioze, mund të kenë problematika nga më të ndryshme te femijët të cilët e kanë këtë vesin për ta futur lodren ne gojë”.
Gjithashtu mjeku toksikolog thekson se disa substanca të përdorura në lodra kanë potencialin të shkaktojnë efekte toksike të rënda.
“Është folur për shumë lloje substancash, por disa prej tyre japin mjaft probleme toksike kronike të cilat shfaqen me patologji të ndryshme ku një prej tyre mund të jetë siç thuhet në gjuhën popullore kancer në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Sigurisht këto substanca bëhen shkak edhe për sëmudje të tjera sistemike”.
Importi i lodrave në Shqipëri, Kina partneri kryesor
Sipas të dhënave nga Agjencia Doganore Shqiptare, importet e lodrave kanë pësuar ndryshime të dukshme gjatë pesë viteve të fundit. Në vitin 2019, vlera e importeve për këto produkte ishte 2,220 milionë lekë. Ky numër u rrit lehtë në vitin 2020, duke arritur në 2,237 milionë lekë. Rritja më e madhe u vu re në vitin 2021, me një vlerë totale prej 3,671 milionë lekë, një rritje e dukshme krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, pas këtij kulmi, vlera e importeve filloi të bjerë në vitin 2022, duke arritur në 3,394 milionë lekë, dhe vazhdoi të binte në vitin 2023, duke arritur në 3,180 milionë lekë.
Sa i përket volumit të importeve, trendi është disi i ngjashëm. Në vitin 2019, volumi ishte 3,484 ton. Në vitin 2020, ky numër mbeti pothuajse i njëjtë me 3,488 ton. Në vitin 2021, volumi i importeve u rrit ndjeshëm në 4,229 ton, duke pasqyruar rritjen e vlerës së importeve për të njëjtin vit. Vitin 2022 solli një rënie të vogël me 4,205 ton, ndërsa në vitin 2023 volumi ra në 3,902 ton.
Sipas të dhënave, Shqipëria importon mesatarisht rreth 4,000 ton lodra në vit, ku pjesën më të madhe të këtyre importeve e zë Kina.
Pavarësisht kontrolleve të herëpashershme të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, viti 2020 paraqet vlerën me të lartë të tërheqjes nga tregu të lodrave toksike. ISHMT në këtë vit konfiskoi dhe asgjësoi mijëra lodra pas analizave të kryera në një laborator të BE-së për të paktën 42 produkte.
Siguria e lodrave
Siguria e lodrave është një shqetësim kryesor për prindërit dhe tregtarët, të cilët duan që fëmijët e tyre të luajnë me produkte të sigurta dhe cilësore. Endri, pronari i “Dyqanit të Lodrave” me pesë vite përvojë, tregon për Sinjalizo eksperiencën e tij dhe rëndësinë e lodrave të certifikuara.
“Ne merremi kryesisht me lodra zhvillimore dhe edukative,” thotë Endri. Dyqani i tij ofron lodra nga marka ë ndryshme evropiane si Clementoni, Chiço, Fisher-Price, dhe Janod. “Lodrat plastike që janë CE dhe nga brendet më të mira evropiane përdoren nga fëmijët pavarësisht se mund t’i fusin në gojë, pretendohet që të mos marrin substanca toksike.”
Një aspekt i rëndësishëm që ai nënvizon është kontrolli i rreptë i cilësisë. “Lodrat që janë evropiane vijnë me patent, me kontroll cilësie. Nuk dalin pa kontollin e cilësisë, ai që e fut. Detajet per keto ti jep kompania importuese që ka të drejtën ekskluzive. Po këto që janë evropiane, nuk kanë shanse që të hyjnë produkte të pa kontrolluara sepse nuk e nxjerrin vetë ata. Nuk u intereson.”
Kjo përfshin lodrat prej druri dhe ato plastike të cilat janë të certifikuara CE dhe BPA free.
“Më së shumti i marr lodra me material druri, i shoh gjithmonë çertifikimin nëse janë të kontrolluara. Materialet që prodhohen me dru dhe bëhen me pjekje janë materiale që nuk thërrmohen dhe mbas shumë vitesh këputen kur prishen, nuk bëhen si tallash.”
Më tej ai ndalet te kontrollet dhe verifikimet që ndodhin në Shqipëri për të garantuar cilësinë e lodrave.
“Me thënë të drejtën unë nuk mund të flas dhe nuk mund të them kush fut dhe kush nuk fut lodra të krontrolluara sepse secili e di vet për punën që bën, por ne kemi kaluar mbi 2-3 herë kontrolle gjatë këtyre viteve nga drejtoria e plastikës, fiks nuk e di se si quhet, por i kanë parë të gjitha produktet, dhe i kanë analizuar. Ca i kanë marrë edhe në laborator dhe na e kanë konfirmuar që produktet tona janë në rregull”, thotë Endri.
Ai gjithashtu këshillon prindërit në lidhje me zgjedhjen e lodrave.
“Unë di t’ju them që të përdorin sa më shumë lodra edukative, sa më shumë lodra zhvillimore, kryesisht druri sepse nuk kanë përbërje plastike dhe nuk kanë materiale toksike. Por janë edhe brendet ndërkombëtare që janë plastike duke filluar që nga 0 muajsh që mund t’i fusin në gojë, sepse janë pa rrezik”.
Endri thekson rëndësinë e lodrave edukative për zhvillimin e fëmijëve.
“Ne rekomandojmë prindërve që nuk është e nevojshme të blejnë shumë lodra njëkohësisht, sepse më shumë se dy lodra është e dëmshme për fëmijën. Lodrat me përqendrim dhe me forma gjeometrike janë përdorur gjerësisht në studio logopedike për përmirësimin e përqendrimit dhe koordinimit të syrit me dorën.”
Lodrat janë më shumë se thjesht objekte argëtimi, ato janë pjesë e formimit dhe zhvillimit të fëmijëve. Prandaj, zgjedhja e lodrave të sigurta dhe të certifikuara është një detyrë që kërkon vëmendje dhe përgjegjësi. Vetëm informimi dhe kujdesi i prindërve dhe institucioneve përkatëse mund të garantojë që fëmijët të luajnë dhe të rriten në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, larg rreziqeve të padukshme.