Jeta e ndërprerë e Klodian Rashës. Vrasja e tij, arsyeja se përse nisi testi antidrogë në Policinë e Shtetit

Autor: Merxhan Daci

Pa zbardhur ende dita Kombëtare e Rinisë, Klodian Rasha, vraponte rrugicave të lagjes ku prindërit e tij ndërkohë po flinin, me shpresën se përmes këtij nxitimi ai po i shpëtonte policisë. Nëpër natë, Klodiani refuzoi thirrjet e dy oficerëve që dyshuan se i riu po kryente veprime të dyshimta dhe kishte shkelur Aktin Normativ për ndalimin e lëvizjes pas orës 22:00 për shkak të pandemisë COVID-19. Brenda pak minutash kjo ndjekje u mbyll me vrasjen e të riut, që me plumbin në shpinë u rrëzua në hyrje të rrugicës së shtëpisë. Për pak minuta ai ndërroi jetë në këmbët e policëve që jepnin e merrnin në radio dhe çdo lëvizje u filmua nga një kamera sigurie, e instaluar në autoservisin që u kthye në dëshmitarin e ftohtë të vrasjes së 8 dhjetorit. E njëjta provë e pakundërshtueshme midis të tjerave që gjatë një viti mbas këtij krimi, iu nënshtruan shqyrtimit gjyqësor, dhe që në këtë një vjetor nga vrasja e Klodian Rashës, e gjen policinë në testin më të rëndësishëm të kryer ndonjëherë, pikërisht atë të drogës, por edhe në pyetje që hapën diskutimin, mbi reagimin policor. “Është e sigurtë se si fillim informacionet që binin ndesh me njëra-tjetrën sollën të dhëna se polici i ri në detyrë mund të kishte qenë nën efektin e drogës, por kjo nuk u konfirmua nga analizat – thotë një zyrtar pranë Ministrisë së Brendshme që merret me hetimin administrativ të efektivëve. Por megjithatë, kjo ngjarje solli inspektimin e parë ndaj veprimeve të policisë “Shqiponja” dhe mbas shumë diskutimesh për muaj të tërë në korridore diskutohej kjo gjë bazuar në burimet e hapura sic janë mediat që flisnin për efektivë që përdornin drogë. Dhe këtu nisi ideja për kontroll” mbyll rrëfimin me kushtin e anonimitetit zyrtari.

Fashikujt e hetimit të shqyrtuara në gjykatën penale të Tiranës ekspozuan të akuzuarin Nevaldo Hajdaraj, një polic me karrierë të shkurtër që e qëlloi të riun me armën e shërbimit me dy plumba. Vdekjeprurësi ishte ai që e kapi Klodianin në shpatull dhe që i përshkroi zemrën. Raportimi ishte që 25 vjeçari ndërrroi jetë në spitalin e traumës, por e vërteta është se i riu i kishte minutat e fundit të jetës të numëruara aty në rrugicën e zonës së Laprakës, ku ai ra përtokë pa asnjë shpresë për të marrë frymë më tej. Vrasësi i tij, një efektiv i forcave “Shqiponja”, ndonëse u shfaq i penduar, dhe ndonëse kërkoi ndjesë, ai fitoi ulje dënimi jo për këtë arsye, por nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar. Nevaldo Hajdaraj u shpall fajtor dhe u dënua me 15 vite burgosje, dhe në aplikim të uljes së një të tretës së dënimit, shkalla e parë i vendosi 10 vjet burgim. Aktualisht çështja është në Apel, pasi Hajdaraj ka kërkuar ndryshimin e vendimit dhe dënimin për vrasje në tejkalim të nevojës për t’u mbrojtur, por jo vrasje me dashje.

Dinamika e ngjarjes, hetimi dhe gjykimi që pasoi

Prej 12 vitesh, L.K, i cili ka një dyqan afër vendit të ngjarjes, kishte montuar kamera sigurie për ta ruajtur biznesin e tij. Në dëshminë e tij, ai thotë se që prej kohës kur janë montuar kamerat e sigurisë ai nuk ka parë ndonjëherë pamje filmike të regjistruara nga kamerat pasi nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë. Këto kamera kapën atë mëngjes vrasjen e të riut Klodian Rasha.

Në dosjen e ngjarjes, jepen të dhëna që tregojnë se e gjithë ngjarja është zhvilluar për rreth 9 minuta.

Më poshtë një kronologji e ngjarjes me momentet më të rëndësishme që pas shkrepjes së armës ndaj të ndjerit Rasha deri tek ikja e autoambulancës në drejtim të spitalit, sipas minutazhit të kamerës që ka kapur ngjarjen:

Në orën 02:02:57 minuta deri në orën 02:03:08 minuta, është konstatuar i riu Rasha i cili hyn me vrap në drejtim të rrugicës. Gjatë vrapimit ai hidhet përpjetë, dhe prek me dorën e majtë anën e djathtë të tij. Klodiani ndalon vrapin pak metra në brendësi të rrugicës, përkulet me krah të mbledhura, duke shtërnguar anën e djathtë, dhe afrohet tek muri.

Në orën 02:03.08 minuta deri në orën 02:03.25 minuta, punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj, hyn në rrugicë dhe afrohet tek Klodiani, i cili ndërkohë është ulur në tokë.

Në orën 02:03:25 minuta deri në orën 02:03:38 minuta, është konstatuar se Hajdaraj del në hyrje të rrugicës, më pas kthehet dhe sërish afrohet në drejtim të Klodianit.

Në orën 02:03:30 minuta, Hajdaraj vjen nga rruga automobilistike, në këmbë, duke ecur paralel me trotuarin në drejtim të vendit ku është pozicionuar kamera.

Në orën 02:03:58 minuta deri në orën 02:04:08 minuta, në hyrje të rrugicës, shfaqet një punonjës me uniformë policie, i cili afrohet në drejtim të punonjësit të policisë Hajdaraj, si dhe të riut Rasha, të shtrirë në anën e djathtë të  tij.

Në orën 02:04:59 minuta, shfaqen disa punonjës me uniformë policie, si dhe mjete të Policisë, të parkuara në rrugën kryesore, të cilët hyjnë në rrugicë, ku i afrohen punonjësve të policisë dhe Klodianit.

Në orën 02:09:04 minuta, është konstatuar se ka mbërritur autoambulanca.

Në orën 02:09:11 minuta deri në orën 02:10:38 minuta, është konstatuar autoambulanca e cila hyn në rrugicë, merr Klodianin dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Autoambulanca rezulton që të ketë ardhur për gjashtë minuta. Megjithatë kjo nuk ndryshoi fatin e të ndjerit Rasha, i cili deklarohet se ndërroi jetë vetëm pak më vonë në spital.

Polici që nuk vepron

Në pamjet e kamerës së sigurisë shihet ish-efektivi Hajdaraj i cili pasi e sheh Klodianin të plagosur rëndë, nuk vepron për t’i dhënë ndihmën e parë.

Profesori i Kriminologjisë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Ervin Karamuço hedh dyshime se arma që u gjet në vendngjarje, që në fillim u raportua se i përkiste të ndjerit Rasha, është inskenuar për të nxjerrë “duarlarë” punonjësin e policisë.

I kanë hedhur një armë, e kanë inskenuar, e kanë hedhur në pellgun me ujë, që edhe po të gjendej arma, ti adresohej viktimës por mos të gjendeshin gjurmët. Alibia e policit, e ndihmuar nga shokët e vet, dhe kjo kriminalizon gjithë segmentin policor që e ka ndjekur atë çështje, dhe ajo çështje nuk është hetuar, madje ajo është mbuluar sesa hetuar. Duhet të shpërthenin protestat që të bëhej ai gjyq aq i shpejtë, të kërkohej falje, etj. Se mos të ishte ngritur në këmbë i madh e i vogël, polici do quhej i pafajshëm, dhe e dyta kamera e sigurisë, ka dashur të zhduket me gjithë server. Këto janë gjërat që humbin besimin te Policia”, tha ai për Sinjalizo.

Sa e trajnuar është Policia shqiptare?

Në 1 dhjetor u hap në mjediset e Pallatit të Kongreseve testimi për përzgjedhjen e 500 punonjësve të rinj të Policisë së Shtetit, për tu pranuar në Akademinë e Sigurisë për Patrullë të Përgjithshme. Ata që u shpallen fitues në këtë fazë, vijojnë garën me testimin fizik e psikologjik.

Sipas VKM-së nr. 185, të datës 25 shkurt 2015, Akademia e Sigurisë është i vetmi institucion përgjegjës i arsimit të lartë publik policor, që ka për mision formimin, specializimin, dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit si dhe ofrimin e specializimeve dhe kualifikimeve për institucione të tjera të zbatimit të ligjit.

Ilirjan Mandro, profesor i Kriminalistikës në Akademinë e Sigurisë shpjegon për “Sinjalizo” se oficerët e policisë janë të trajnuar që gjatë shkollës bazë edhe në Akademinë e Sigurisë që të menaxhojnë situata të ndihmës së shpejtë nga më të lehtat deri tek më të rëndat, si përshembull dhënia e ndihmesës në proçesin e lindjes në kushte të papritura. E njëjta sipas tij vlen edhe për protokollin e përdorimit të armëve që efektivët trajnohen vazhdimisht gjatë akademisë.

Më tej, Skënder Kalemi, drejtor i Kolegjit të Policisë në Akademinë e Sigurisë i tha “Sinjalizo” se trajnimet dhe kurrikulat mësimore në Akademi janë rigoroze dhe të përditësuara.

Viti akademik në Akademi përbëhet nga gjashtë muaj teori dhe tre muaj praktikë. Kurrikulat e studimit përditësohen çdo vit nga 20 deri në 30 për qind. Për më shumë përditësime, vendimet i merr Ministria e Arsmit. Janë marrë manualet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Ndihmës së shpejtë i kushtohet një rëndësi të veçantë në Akademi. Ka një department të vecantë për këtë”, tha ai.

Një burim i “Sinjalizo” brenda “Shqiponjave”, tha se trajnimi që këto forca marrin është ai në Akademi.

Forcat “Shqiponja” janë strukturë e Patrullës së Përgjithshme. Nuk bëjnë trajnim shtesë përveç trajnimit në akademi për 9 muaj ku përfshihet baza ligjore, përdorimi i armës, kursi i ndihmës së shpejtë etj.”

Protokolli për raste të ngjashme me të të riut Rasha, sipas burimit jo zyrtar brenda forcave “Shqiponja” është i qartë.

“Protokolli kur plagoset një person është që, lajmërohet salla operative, kërkohet Ambulanca dhe jepet ndihma e shpejtë aq sa ke mundësi. Janë në lëndën “Policim i Përgjithshëm”. Në raste si ai i Klodianit, nuk ka shumë për të bërë. Lajmërim i sallës operative dhe ambulancës, dhe maksimumi, ndonjë fashim plagësh. Gabimi ishte te polici, që shtiu. Nuk lejohet që ti të qëllosh kur personi është duke ikur me vrap dhe të ka kthyer kurrizin. Nuk është në proporcion dhe as sulm i drejtpërdrejtë”, thotë burimi i “Sinjalizo”.

Policia e Shtetit, në një përgjigje zyrtare për “Sinjalizo” këmbëngul se të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit kanë njohuritë e duhura në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit.

“Në programin e Kolegjit Profesional të Formimit Policor, çdo punonjës policie që ka mbaruar këtë Kolegj ka zhvilluar 105 orë mësimore vetëm për armët e zjarrit. Çdo vit, të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, në mënyrë të veçantë strukturat e nivelit zbatues zhvillojnë trajnime të ndryshme sipas Programit të Trajnimit të Detyrueshëm në Shërbim, ku një modul më vetë është vetëm njohja, përdorimi i armëve të zjarrit, si dhe qitje me armët e zjarrit”.

Por Ervin Karamuço, Profesori i Kriminologjisë i tha “Sinjalizo” se Policia e Shtetit ka shumë punonjës të pakualifikuar për të kryer detyrën që u përcakton ligji në mbrojtje të qytetarëve.

Ne kemi policë të patrajnuar që për përdorimin e armëve të zjarrit nuk dinë rregullat bazë. Edhe po të kishte armë personi, nga mbrapa nuk qëllohet. Është për të ardhur keq që ne kemi një djalë të ri që i ka vënë shpatullat dheut, kemi një polic brenda në burg dhe kemi ende një sistem të parregulluar ligjor se si duhet vepruar në këto raste, kemi procedura standarte që ngrenë supet policët, që i mësojnë në shkollë dhe i harrojnë që ti zbatojnë”, tha ai.

Karamuço shtoi se Policia e Shtetit dhe punonjësit e Policisë duhet të veprojnë gjithmonë sipas manualeve dhe protokolleve të miratuara për tu zbatuar sipas rastit.

Policët amerikanë thonë “by book”, pra me rregull, me ligj, me manual, duhet ta fusin në zhargon. Ne jemi shtet ligjor dhe duhet të ecim sipas rregullave dhe normave, nuk mund të mënjanojmë ligjet dhe rregullat dhe ti fryjmë policët në rrugë dhe ti bëjmë arrogantë, ata thonë jam unë ligji, ai zbaton ligjin, ligji është sovrani. Ai thotë skam kontroll dhe rrit arrogancën”, tha Karamuço.

Ndër të tjera, ai shtoi se kemi policë me shumë probleme të tjera psikologjike dhe sociale, që dmth a janë ata të kthjellët, të aftë, pa trauma, që të ushtrojnë detyrën, por sipas tij ata nuk kontrollohen fare se në çfarë gjendje psiko-emocionale janë kur kryejnë detyrën. Sipas Karamuços, duhen 2-3 psikologë për komisariat që ti testojnë dhe ti mbështesin psikologjikisht referuar edhe problemeve sociale që ka çdo polic, “sepse normalisht ndikon në punën e tyre të përditshme”, insiston Karamuço.

Testimi për drogë në Policinë e Shtetit, rastësi?

Ervin Karamuço, Profesori i Kriminologjisë shton se parimisht duhet përshëndetur marrëvshja për analizat metabolike të policëve për droge, teksa insiston se problemi është prezent dhe shqetësues.

Shumë veta nuk e kuptojnë këtë, sepse personi që e ka vrarë (Klodianin), dyshohej përdorues droge. Ne kemi një problem shumë të madh. Ne kemi ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit në të cilën të gjithë dokumentat kërkohen, por vetëm analizat metaboilike për drogën jo. Edhe në grupin e “Shqiponjave” dhe Policisë së Shtetit ka personel që janë përdorues të rregullt droge. Ka informacione të vazhdueshme për përdorimin e drogës. Këta njerëz duhet të ikin vetë, sepse marrin në qafë një popull të tërë, qoftë duke përdor armën, dhunën, etj.”

Kontrolli antidrogë u zyrtarizua nga kryepolici Nano. “Efektivët e Policisë së Shtetit do t’i nënshtrohen periodikisht testit të drogës” njoftoi Gledis Nano, duke konfirmuar se kishte firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me laboratorin mjekësor privat “Intermedica Center”, me seli në Tiranë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano e konsideroi këtë praktikë si një mundësi për të rritur imazhit e Policisë në komunitet dhe për fitimin e besimit të qytetarëve, “sepse kryerja e testit periodik për përdorimin e lëndëve narkotike do të eliminojnë akuzat dhe sipas tij, dashakeqësitë ndaj Policisë së Shtetit” – argumentoi zyrtari më i lartë i Policisë së Shtetit.

Marrëveshja e bashkëpunimit konsiston në krijimin e mundësive për ekzaminimin mjekësor periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, në kuadër të rritjes së standardeve dhe integritetit personal, për të ndaluar përdorimin e lëndëve narkotike nga ana e tyre. Sakaq kontrollet kanë nisur dhe të dhënat e pakonfirmuara ende në rrugë zyrtare, flasin për rezultate që ekspozojnë efektivë policie, të cilët janë konfirmuar pozitivë (përdorues droge).

Çfarë thotë Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Policimit për raste të ngjashme?

Neni 2 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbron të drejtën e jetës.

Ai përfshin tre kërkesa kryesore, së pari, ndalimin e vrasjes së paligjshme nga efektivë apo agjentë të shtetit, së dyti, imponon detyrimin për të hetuar efektivisht vdekjet e dyshimta dhe së treti, detyrimin pozitiv, në rrethana të caktuara, për të ndërmarrë hapa parandalues të humbjeve të jetës që mund të shmangen.

Në lidhje me përdorimin e forcës vdekjeprurëse, neni 2 i Konventës Evropiane kërkon aplikimin e një testi të rreptë, i cili kërkon që forca që shteti ka ushtruar ndaj individi nuk duhet të tejkalojë atë që është ‘absolutisht e nevojshme’.

I njohur ndryshe si testi i proporcionalitetit “të rreptë”, testi kërkon që forca të jetë në përpjesëtim proporcional me arritjen e një prej qëllimeve të përcaktuara në nenin 2 të KEDNJ-së (në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme, për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të ndaluar ligjërisht, etj).

Udhëzuesi i Këshillit të Evropës për efektivë të policisë mbi zbatimin e Konventës Evropiane së të drejtave të njeriut evidenton se është e rëndësishme të kuptohet se roli i policisë nuk është të ndëshkojë ose të sanksionojë keqbërjen apo shkelësit e ligjit. Efektivët e policisë, gjatë detyrave të tyre, mund të hasin në individë të cilët kanë qenë të përfshirë në sjelljet më të dënueshme.

Sidoqoftë, roli i policisë është të hetojë dhe të paraqesë të dyshuarit para autoriteteve përgjegjëse të drejtësisë. Nëse policia përpiqet të ndëshkojë shkelës të dyshuar përmes përdorimit të forcës, minohet themeli i shtetit të së drejtës.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter