Autor: Klevis Paloka
Ndonëse Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes fushatave të ndryshme ekspozon një kryeqytet të gjelbër, në fakt po ndodh e kundërta. Bashkia e drejtuar prej tij po lejon ngritjen e bizneseve në hapësirat e blerta, publike, mes pallateve në lagjet e ndryshme të metropolit shqiptar.
Në të dhënat e siguruara nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore tregohet se vetëm për vitin 2021, Bashkia e Tiranës ka miratuar 276 leje për shfrytëzimin e hapësirës publike. Numri i atyre që kanë aplikuar është relativisht i lartë, por i lartë është edhe numri i përfituesve.
“Gjatë vitit 2021 pranë DPTTV kanë aplikuar për t’u pajisur me leje për shfrytëzimin e hapësirës publike 394 subjekte tregtarë. Nga këto 276 subjekte janë pajisur me leje për shfrytëzimin e hapësirës publike, ndërsa 118 subjekteve i’u është refuzuar aplikimi”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Tiranës.
Rritjen e bizneseve në këtë fushë e konfirmojnë edhe të dhënat e Institutit të Statistikave. Sipas statistikave të INSTAT-it, në të gjithë Tiranën janë të rregjistruara pranë bashkisë 5052 subjekte me shërbime ushqimi dhe pije (bare dhe restorante). Nga ana tjetër portali Open Data i bashkisë për vitin 2020 numëron si banorë të rregjistruar në kryeqytet 850,530 qytetarë.
Pra sipas përllogaritjeve të bëra nga “Sinjalizo”, Tirana ka 594 bare për 100 mijë banorë, dhe me këtë shifër renditet në kryeqytetin me më shumë bar-kafe në botë për 100 mijë banorë.
Tirana në krye të listës?
Sipas World Cities Culture Forum i cili merret me studime mbi kryeqytetet më të mëdha të botës, ndër kryeqytetet me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë renditet Buenos Aires në Argjentinë, me 367 bare për 100 mijë banorë. Ndërkohë në vend të dytë rendit Romën, kryeqytetin e Italisë me rreth 331 bare për 100 mijë bare. Në këtë listë nuk bën pjesë Tirana, por duke u bazuar mbi numrin e bareve të publikuara në këtë forum, Tirana kryeson listën si kryeqyteti me më shumë bar-kafe për 100 mijë banorë në të gjithë botën duke ua kaluar edhe metropeleve më të mëdha të botës.
Duke u nisur nga këto të dhëna, “Sinjalizo”, vendosi të monitorojë disa akse kryesore dhe hapësira midis blloqeve të banimit të kryeqytetit të Tiranës dhe të kërkonte informacion në Bashkinë e Tiranës për hapësirën publike që kishin zaptuar subjektet bar-kafe dhe kur i skadonte licensa që u ishte dhënë këtyre bizneseve.
Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Bashkia Tiranë, 11 prej këtyre subjekteve iu kishte mbaruar licensa, por nga monitorimi i bërë rezulton se ata e vazhdojnë aktivitetin e tyre ekonomik normalisht. Madje ka nga ata subjekte që leja për zënien e hapësirës publike iu ka mbaruar që në vitin 2018. Vetëm 4 subjekte kishin leje deri në mesin e vitit 2022.
Sipas Bashkisë së Tiranës në tre vitet e fundit është bërë revokimi i lejeve për hapësirë për 77 leje dhe janë ndëshkuar 42634 raste me masa administrative.
“Për shkeljet e konstatuara është bërë revokimi i lejes së hapësirës publike, nga të cilat për vitin 2019 janë revokuar 21 leje, në vitin 2020 janë revokuar 26, dhe për vitin 2021 janë revokuar 30 leje.Gjatë viteve 2019, 2020, 2021 nga shërbimet e Policisë Bashkiake në territorin e Bashkisë Tiranë janë konstatuar në total 42634 raste të zënies së hapësirës publike pa lejen përkatëse. Për këtë, janë marrë masa administrative gjobë dhe është liruar hapësira publike e zënë në mënyrë të paligjshme nga individët apo subjektet e ndryshëm. Nëse do ti ndajmë përkatësisht sipas viteve rezulton se situata për çdo vit është si vijon;
- Viti 2019 janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative16614 raste.
- Viti 2020 janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative16214 raste.
- Viti 2021 janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 9806 raste”, theksohet në përgjigjen e Bashkisë së Tiranës për Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore.
Ironik është fakti që Bashkia e Tiranës kërkon ndihmë për verifikimin e subjekteve që “Sinjalizo” kërkoi të dhëna specifike dhe në dokumentat e vënë në dispozicion është e përcaktuar edhe adresa e secilit subjekt.
“Në vijim të shkresës suaj, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë do të verifikojë zënien e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje konform ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për Inspektimin dhe Mbrojtjen e Territorit nga Ndërtimet e Kundërligjshme”(i ndryshuar). Për sa më sipër, lutemi në bashkëpunimin tuaj të mëtejshëm duke na vënë në dispozicion adresat e sakta, ku ushtrojnë aktivitetin subjektet e listuara nga ana juaj. Mbetemi në pritje të një përgjigje nga ana juaj në mënyrë që IMT, Bashkia Tiranë të nisë verifikimin e subjekteve në fjalë”, specifikon Bashkia e Tiranës.
Si u zhdukën trotuaret ?
Sipas vendimit “Nr. 158, datë 26.12.2019”, janë përcaktuar edhe zonat dhe tarifat për “Sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” ku parashikohen tarifa prej 1500 ALL/m2, 750 ALL/m2, 400 ALL/m2 dhe 200 ALL/m2 për Zonat A, B, C dhe Njësitë Administrative jashtë qytetit të Tiranës respektivisht.
Sakaq bazuar në tabelën e mësipërme, të ardhurat vetëm për muajt Janar-Korrik 2021 nga tarifa për zënien e hapësirës llogariten 157.748.084 lekë për Bashkinë e Tiranës.
Por çfarë deklaronte kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një inspektim të punimeve të sheshit “Karl Topia”, afër zonës së “Zogut të Zi” në lidhje me sheshpushimet dhe hapësirat midis pallateve?
“Nga tymi i qofteve kthehet në lulishte e sheshpushim hapësira te Zogu i Zi. Unë nuk e di se sa kohë do na duhet të kthejmë në identitet çdo shesh, por di që nuk do mbyllet asnjë ditë pa ndryshuar të paktën një”, shprehej Veliaj në shkurt të 2016-s.
Edhe pse kanë kaluar rreth 6 vjet nga kjo deklaratë në fakt subjekte që ofrojnë shërbimin e qofteve nuk kanë lëvizur akoma nga sheshi “Karl Topia”.
Sipas ekspertëve, situata urbanistike nuk është normale dhe se kjo do të vazhdojë edhe për shumë kohë derisa nuk ka një strategji të qartë.
Artan Kacani, Doktor i Shkencave në Studime Urbane dhe Politika Territoriale shprehet se ky zaptim i hapësirës publike ka ndodhur që prej viteve 1990 dhe vazhdon të ndodhë akoma dhe se plani urbanistik i një qyteti nuk mund të merret me detaje aq të thella, por mund të japë direktiva të ndryshme zyrës së urbanistikës.
“Situata sa i takon në aspekt urbanistik është një situatë anormale, duhet të kuptojmë që shumë ndertësa/pallate janë konvertuar në hapësira socio-ekonomike. Kjo është një situatë e cila ka ndodhur në tranzicionin prej 30 vitesh dhe do të vazhdojë akoma derisa nuk kemi një sistem adresari të rregullt. Adresari duhet të them në kuptimin e shkallëve, në kuptimin e aktiviteteve, dhe kështu me radhë. Në aspektin kulturor ky është një problem, sa i takon çështjes kulturore dhe urbanistike që po përjetojnë qytetet tona. Plani rregullues nuk merret me këto lloj detajesh aq të vogla, por mund të ketë direktiva të ndryshme të zyrës së urbanistikës, të cilat mund të adresojnë së pari: metrat katrorë në bazë të densitetit të popullsisë, të cilët duhet të zbresin në shkallë më individuale dhe kontrollimin e licensave gjë e cila nuk ndodh. Nuk ndodh jo vetëm për lokalet por edhe për biznesat të llojeve të tjera. Plani pra mund të japë direktiva se sa lokale duhet të jenë për një zonë të caktuar, apo për një rrugë të caktuar të cilat nuk bëhen nga institucionet vendore”, shprehet Kacani.
Edhe për arkitekten Doriana Musaj është shqetësues fakti që trotuaret sa vijnë e ngushtohen dhe për disa kategori të kalimtarëve është vështirësuar lëvizja e lirë.
“Bar-kafenetë janë pjesë e asaj që ne e konsiderojmë si ekonomi qyteti, shumë të rëndësishme sidomos të ndodhura kryesisht përgjatë rrugëve. Në vetvete, kafenetë nuk sjellin asnjë pasojë negative në qytet, përkundrazi, ato janë të nevojshme pasi sigurojnë “sy mbi rrugën”. Në Tiranë ç’ka i bën problematike këto modele ekonomike është mbizotërimi që i bëjnë ato hapësirës publike. Kështu trotuaret sa vijnë dhe ngushtohen dhe shpesh do duhet të hysh brenda një kafeneje për të kaluar në anën tjetër të hapësirës. Shqetësuese është zgjerimi i vazhdueshëm i hapësirës së zënë nga tavolinat, e cila shpesh bllokon tërësisht kalimin, duke devijuar lëvizjen, vështirësuar jetën e kalimtarit, nënës me karrocë bebe, dhe në veçanti personave me aftësi të kufizuara”, shprehet Musaj për “Sinjalizo”.
Arkitektja Musaj thekson se hapësira publike është deformuar deri në atë pike, sa është e pamundur që të lexohet qartësisht në qytet dhe për këtë ligji nuk parashikon mekanizma mbrojtës, madje shpesh është përdorur edhe në të kundërt.
“Hapësira publike si koncept, është deformuar në atë pikë sa e kemi të pamundur ta lexojmë qartësisht në qytet. Rregullatori, që është ligji, nuk parashikon mekanizma mbrojtës të hapësirës publike, madje shpesh ai është përdorur në të kundërt. Kështu, vërtet trotuari mund të përdoret si vitrina e një bar kafeneje, por duke ekspozuar një pjesë të vogël të tavolinave në të, dhe jo duke bllokuar të gjithë hapësirën. Shpesh kalimtari detyrohet të zbresë në rrugë për të kaluar, duke rritur kështu mundësinë për aksident. Zënia e hapësirave boshe, të shfrytëzuara pjesërisht për kënd pushimi për banorët e një lagjeje, detyron banorin që të ulet në kafe edhe kur nuk ka dëshirë të pijë asgjë, vetëm e vetëm sepse kafeneja ka një kënd lodrash për fëmijë, apo qoftë edhe sepse kthehet nga vendtakim në vendqëndrim, në mungesë të trajtimit të hapësirës së mirëfilltë urbane publike. Kështu, hapësirat e braktisura nga pushteti vendor, qoftë në mirëmbajtje apo trajtim, bien pre e shfrytëzimit të bar-kafeneve, duke transformuar jo vetëm hapësirën fizike nga pikëpamja e formës, mobilitetit por edhe hapësirën si pikë takimi social”, e mbyll arkitektja Musaj.
Rrugë të mbipopulluara me kafene
Në fakt një rrugë e tillë e mbipopulluar me bar -kafene është rruga “Muhamet Gjollesha”. Sipas urbanistit ky problem nuk ështe vetëm në këtë rrugë pasi densiteti është gjithmonë në rritje.
“Sa i përket rrugës “Muhamet Gjollesha”, e cila fillon tek “Zogu i Zi” dhe mbaron tek bulevardi “Gjergj Fishta”, duhet të kuptojmë që është një rrugë unazore qyteti çka do të thotë që rëndësia e saj është përtej asaj të një lagjeje, dhe duke qenë përtej një lagjeje, duhet të kuptojmë që edhe shërbimet edhe funksionet janë të tilla dhe janë të pranueshme dhe të kuptueshme që të jenë të tilla, por problemi është kur shtohen një seri densitetesh pallatesh, aktivitetesh të ndryshme të cilat më pas pastaj rëndojnë mbi barrën e qytetit, pra zgjidhjet me funksion lagjeje në rrugë në funksion qyteti përplasen interesa, dhe këtu përplaset pikërisht me unazën e ndërmjetme, densiteti është gjithmonë duke u rrit në këtë pjesë të hyrjes perendimore të Tiranës, dhe gjithmone e më tepër do të ketë përplasje në kuptimin e trafikut të ngarkuar”, e mbyll urbanisti Kacani për “Sinjalizo”.
Por shtimi i kafeneve, në kurriz të hapësirës publike, vetëm përkeqëson çdo ditë e më shumë jetesën në kryeqytet. Një qytet i suksesshëm nuk mund të konceptohet pa hapësirën publike, të mirëfilltë, dhe atë nuk e zëvendësojnë dot as kafenetë, as lodrat plastike brenda tyre dhe aq më pak tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar dhe vazhdojnë, hapësirën e përbashkët.