HEC-et, “peshqeshi” për Zonat e Mbrojtura, banorët humbën ujin dhe turizmin

Autor: Geri Emiri

Banesa e parë në fshatin Melth, një prej fshatrave të Zall-Gjoçajt është e Sali Kolecit. Ai e kishte lumin gati 20 metra larg shtëpisë dhe nuk e kishte menduar ndonjëherë se një ditë Përroi i Melthit, degë e Lumit të Urakës, nuk do të rridhte më. “Jam plakur aty. Nuk i laja sytë brenda, por tek lumi, kaq afër e kam pasur. Në ditë të nxehta, shuanim edhe etjen atje“, rrëfen 68 vjeçari.

“Tani lumin e kanë futur në tuba dhe uji shkon atje e prodhon energji, kjo është“, shton Koleci. Ai dhe banorët e rreth 5 fshatrave të zonës së Zall-Gjoçajt dhe të Njësisë Administrative Derjan, në Bashkinë e Matit, protestojnë prej rreth 3 vitesh kundër ndërtimit të 2 HEC-ve, të emërtuar “Sekë dhe Zais”, njëri prej të cilëve “në zemër” të Parkut Kombëtar të Zall-Gjoçajt.

Diga që ka bllokuar lumin e Zall-Gjoçajt

Por kjo nuk është zona e vetme në Shqipëri që është prekur nga ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël, që njihen si HEC-e. Një pjesë e tyre mbinë aty përpara se këto zona të shpalleshin të mbrojtura dhe të tjerë HEC-ce u shfaqën aty pasi këto zona fituan statusin e mbrojtjes.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), në një përgjigje zyrtare për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ) shpjegoi se në 1 dekadë janë nënshkruar 96 kontrata koncensioni për ndërtimin e HEC-eve në Shqipëri. Për kontratat e nënshkruara në periudhën e viteve 2010-2021 kanë përfunduar së ndërtuari 39 HEC-e dhe tashmë janë futur në prodhim. 8 HEC-e po ndërtohen, ndërsa 49 të tjerë janë ende duke plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.

Përgjigjia e AKBN-së

Por numri mendohet të jetë edhe më i lartë, nëse i referohemi HEC-eve me fuqi prodhuese nën 2 Megavat dhe që nuk kanë nevojë për leje koncensionare për ndërtimin e tyre.

HEC-et nën 2 Megavat janë lejet më të thjeshta për t’u marrë nga pikëpamja e dokumentacionit sepse nuk janë me studim të thelluar për ndikimin në mjedis, nuk kërkohet konsultim me publikun”, analizoi për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ) avokatja, Dorina Ndreka-Asllani.

Ekspertët e mjedisit nga ana tjetër vlerësojnë se përfitimet për grupet e interesit dhe eficensa ekonomike e këtyre investimeve është e ulët. “Kur kemi zhvillimin e hidrocentraleve të vegjël, humbasin si komuniteti lokal, mjedisi natyror, si qeveria edhe institucionet, përveç një personi që po bën këtë investim për përfitime personale”, përmbledh pas referimit në disa studime, Olsion Lama, ekspert pranë Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Por një pjesë e këtyre HEC-eve janë ndërtuar në Zonat e Mbrojtura, duke përfituar nga koha kur ato nuk e gëzonin këtë status, ndërsa të tjerë po vijojnë ndërtimin brenda tyre. Në një përgjigje zyrtare Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) bëri me dije se 61 HEC-e rezultojnë të ndërtuara apo të planifikuara brenda zonave të mbrojtura.

HEC Rrapuni 1 dhe 2 sot gjenden brenda territorit të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Në foto: HEC Rrapuni 3-4, pranë Zonës së Mbrojtur. Foto: Geri Emiri

Pushtuesit modern të maleve

Në Shqipëri natyra është kategorizuar sipas rëndësisë që prej vitit 2002. Ligji numër 8906, “Për Zonat e Mbrojtura”, kishte si qëllim shpalljen, ruajtjen, administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura dhe të burimeve natyrore biologjike të tyre.

Zona të Mbrojtura u shpallën territore tokësore dhe ujore me qëllim mbrojtjen e pasurive natyrore dhe të diversitetit biologjik që ato përmbajnë.

Në vitin 2017-të një ligj i ri dhe më i gjerë u miratua për Zonat e Mbrojtura, duke i ndarë në 6 kategori sipas rëndësisë së tyre. Ndërsa që prej vitit 2015 u krijua Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura (AKZM) dhe drejtoritë rajonale.

Me shpalljen e zonave të reja dhe zgjerimin e sipërfaqeve të atyre ekzistuese një pjesë e hidrocentraleve të vegjël të ndërtuara mbetën brenda Zonave të Mbrojtura. Sipas AKZM-së 34 HEC-e që sot janë brenda këtyre zonave u ndërtuan përpara vitit 2015.

Ekspertët mendojnë se numri është më i lartë, referuar disa studimeve të realizuara. “105 HEC-e ndodhen në zona të mbrojtura, duke sjellë një sërë efektesh negative, si biodiversiteti i dëmtuar, thatësira në rritje, sasia e reduktuar e ujit dhe më pas reduktimi i aksesit në ujë”, analizoi për ACQJ Aida Ciro, studiuese e sektorit të turizmit. AKZM për të gjitha HEC-et e ndërtuara në Zonat e Mbrojtura ka identifikuar 4 raste kur është shkelur ligji dhe ka marrë masa. Ato i përkasin territorit të Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Korçë.

Një prej tyre u identifikua në hyrjen e Kanionit të Llëngës në Pogradec, ku sot ngrihet një digë që ka transformuar rrënjësisht peizazhin e zonës. Bllokimi i rrjedhës së ujit, devijimi i saj dhe ndërhyrja në shpatet e kanionit solli dëmtime edhe për një rrugë antike aty pranë, që mendohet si degëzim i rrugës antike Egnatia.

Në shtator 2016 inspektorët e AdZM-së kishin konstatuar ndërhyrje të kompanisë për ndërtimin e HEC-it në zonën e mbrojtur, por në një dokument të dytë rezulton se ajo nuk ishte e qartë për kufijtë e kanionit dhe kishte konstatuar ndërhyrje brenda tij, duke nxjerrë në pah mangësitë e përcaktimit të qartë të kufijve të Zonave të Mbrojtura.

 

Diga e HEC-it në hyrje të Kanionit të Llëngës, në Pogradec, ka ndërprerë rrjedhën e lumit. Foto Geri Emiri

Ekspertët shprehen se me ligjin e ri Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe AKZM duhej të ri vlerësonin të gjitha projektet që janë dhënë brenda Zonave të Mbrojtura dhe të verifikohej përputhja e tyre me ligjin. Por AKZM sqaroi zyrtarisht se ndryshimet në ligj nuk u përkthyen me ndryshimin në zonimin e brendshëm të zonave të mbrojtura.

Duhet të shikohen të gjitha ndërtimet. Nuk mund të justifikohen me faktin se HEC-i është ndërtuar përpara se të shpallej Zonë e Mbrojtur sepse ai dëmton tani, dëmi më i madh është përdorimi i ujit për HEC-in”, analizon avokatja Dorina Ndreka-Asllani.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) shpjegoi në mënyrë evazive zyrtarisht se në bashkëpunim me institucionet e tjera ka bërë vlerësimin e dokumentacioneve për HEC-et, përfshirë kontratat koncensionare të trashëguara nga ish-Drejtoritë e Shërbimit Pyjor, por pa dhënë detaje për rezultatet e vlerësimit.

Rruga e Kanionit të Vanave, pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik – Brenda të cilit janë ndërtuar disa HEC-e. Foto Geri Emiri

AKZM nuk ka kompetencë dhënien e ndonjë prej lejeve për HEC-et, por ajo shpreh mendimin nëse ato i prekin zonat e mbrojtura. Për vitet 2015-2021, ky institucion thotë se ka “dhënë mendim” në 186 raste lidhur me ndërtimin e HEC-eve.

Përcaktimi i kufijve të Zonave të Mbrojtura apo “dhënia e mendimit” nga AKZM-ja në disa raste ka ngjallur diskutime dhe kundërshtime nga ekspertët. Ndërtimi i një hidrocentrali të vogël në zonën e Kukësit, ka prekur një tjetër kanion, ai i Bicajt, që gëzon statusin Monument Natyre dhe ndodhet brenda Parkut Natyror Korab-Koritnik.

“Rezulton se bazuar në Raportin Tekniko-Ekonomik, ndërtimi i këtij HEC-i është jashtë zonave të mbrojtura të Qarkut Kukës”, u përgjigj zyrtarisht AKZM-ja. Por drejtuesi i Organizatës Jo-qeveritare me fokus tek mjedisi, “Eco Albania”, Olsi Nika, që ka zhvilluar takime me komunitetin lokal dhe vëzhgime mjedisore, shpjegon se në terren rezulton një situatë tjetër.

Kanioni i Bicajt, Kukës. Foto Geri Emiri

Bllokimi është në kanion, nuk është as 100 metra, është vendosur një digë betoni në dalje të kanionit dhe ajo që rëndon edhe në mënyrë cinike është se tentohet të manipulohet opinioni publik”, rrëfen Nika.

Hidrobiologu Olsi Nika, duke folur për ACQJ. Foto Geri Emiri

Si hidrocentral llogarisin vetëm godinën e tij. Ajo mund të jetë 200 metra larg zonës së mbrojtur, por gjurma e tij ekologjike nuk është vetëm godina e hidrocentralit, janë rrugët e aksesit, kanalet, digat, pra është e gjithë zona ku shtrihet ndërtimi i hidrocentralit”, përfundon ai.

Mendimet kontradiktore nëse HEC-et prekin ose jo zonat e mbrojtura janë evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Në auditimin me numër 1086/1,  të datës 17 shtator të vitit 2018, ajo gjeti se AKZM-ja për dy lejet e hidrocentralit mbi kanionin e Osumit për kompaninë “HP- Bigas & Veleshje Energy” sh.p.k, ishte shprehur se e kryen veprimtarinë jashtë rrjetit të Zonave të Mbrojtura.

Por në kundërshtim me këtë përgjigje të mësipërme, me një shkresë tjetër të datës 8 maj 2018 AKZM shprehet se, ‘Godina e HEC ‘Bigas I’ ndodhet brenda monumentit natyror Kanionet e Osumi….’”, gjeti si kontraditë KLSH-ja për qëndrimet e AKZM-së.

Në rastin konkret është kërkuar mendim në AKZM për këtë HEC, në bazë te koordinatave të dhëna, ku rezultoi se ndodhej jashtë sistemit të zonave të mbrojtura”, shpjegoi AKZM-ja për qëndrimin e saj kontradiktor.

Në vitin 2018 është kërkuar përsëri mendim për këtë HEC, shoqëruar me planvendosjen e sipërfaqes së kërkuar dhe projektin teknik, ku specifikohej qartë kufiri dhe nga shqyrtimi i saj rezultoi se godina e HEC-it, ndodhet brenda monumentit natyror (MN) ‘Kanionet e Osumit’ dhe sipas ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, jemi shprehur kundër ndërtimit të tij”, shtoi AKZM në përgjigjen e saj.

Por Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti edhe se AdZM Kukës dhe Dibër kanë lidhur kontrata qiraje në 5 raste për dhënien në perdorim të fondit pyjor publik me subjekte të cilët do ta përdornin për ndërtimin e HEC-eve brenda Zonave të Mbrojtura, ku në 1 rast kishin nisur punimet.

Këto veprime janë në kundërshtim me ligjin nr. 81, datë 04.05.2017, ‘Për zonat e mbrojtura”, urdhërin e Ministrit të Mjedisit nr. 129, datë 23.06.2016 “Për Miratimin e Procedurës së Dhënies në Përdorim me Kontratë Qiraje të Sipërfaqeve në Zonat e Mbrojtura”, shkruan raporti i KLSH-së.

Detyrimi i likuidimit të vlerës së kontratës së qirasë vazhdon edhe nëse subjekti nuk ka filluar akoma punimet, pasi kjo e fundit lidhet me pajisjen me leje ndërtimi. Përsa kohë nuk kryhen punime, nuk ka dëmtime në mjedis”, arsyetoi AKZM për ACQJ, duke justifikuar dhënien me qira të fondit pyjor për ndërtim HEC-esh brenda Zonave të Mbrojtura.

Për mua është shpërdorim detyre dhënia e një fondi pyjor që ndodhet brenda Zonës së Mbrojtur për përdorim nga HEC-i sepse është shkelje flagrante e ligjit dhe e ligjit organik, për të cilin AKZM-ja si institucion është i ngarkuar për ta zbatuar”, analizoi rastin avokatja Dorina Ndreka-Asllani.

Avokatja Dorina Ndreka-Asllani duke folur për ACQJ. Foto Geri Emiri

Komunitetet rraskapiten gjykatave për të drejtën e ujit: kompanitë po sillen me keq se pushtuesit

Kur dëgjuan për ndërtimin e 2 HEC-eve në zonën e tyre, banorët e fshatrave të Zall-Gjoçajt në vitin 2019 ngritën një çadër në hyrje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj dhe u ngujuan për disa muaj, duke penguar depërtimin e punimeve në Zonën e Mbrojtur.

Ne kemi reaguar ende pa filluar punimet. Thonin s’kanë filluar punimet. Kur filluan justifikoheshin se s’kanë hyrë në zonën e mbrojtur akoma“, shpjegon banori Dhimitër Koleci.

Kur hynë në Zonën e Mbrojtur pastaj, u tha se do të reagojë Agjencia e Zonave të Mbrojtura, pjesë e Ministrisë së Mjedisit. Pastaj bënë një vesh të shurdhër, e kështu shkon kjo punë zinxhir“, përmbledh burri reagimin e banorëve të fshatrave Zall-Gjoçaj, Melth, Gjoçaj, Derjan dhe Urxall.

Dhimitër Koleci, duke protestuar pranë digës që ka bllokuar lumin e Zall-Gjoçajt

Leja për ndërtimin e HEC-it u dha pak kohë përpara shpalljes së Parkut Kombëtar Lurë – Mali i Dejës, në Dibër, duke legjitimuar përpara miratimit të statusit të mbrojtjes ndërtimin e HEC-it në zemër të Parkut Kombëtar të Zall-Gjoçajt.

Leja është dhënë 28 ditë përpara se kjo zonë të shpallej e mbrojtur. Janë vetë institucionet të cilat miratuan Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të HEC-it, që më pas bënë propozimin që zona e Zall-Gjoçaj të bëhej pjesë e Parkut Kombëtar Lurë – Mali i Dejës”, analizon avokatja Dorina Ndreka-Asllani.

Problemi i Zall-Gjoçajt është shumë i veçantë. Në Zall-Gjoçaj nuk po ndërtohet një HEC edhe uji të vazhdojë në rrjedhën e vet, por rrëmbehet uji brenda Parkut Komëbtar, brenda zonës së mbrojtur, me 2 tunele rreth 4 km dhe devijohet përjetësisht uji nga rrjedha e vet“, thekson banori i zonës, Dhimitër Koleci.

Referimi për drejtësi në gjykatën administrative i ka përballur ata me sfida dhe sakrificë për të mbrojtur ujin, një kalvar që vijon prej gati 3 vitesh.

Është një makth që nuk ka fund. Vijnë banorët nga Zall-Gjoçaj, udhëtojnë 12 orë. Ecin 3-4 orë në këmbë, vijnë në Tiranë dhe kurrë nuk i kanë pyetur se si i dëmton ky HEC, përse kanë bërë denoncim“, rrëfen i irrituar 54 vjeçari Dhimitër Koleci.

Pavarësisht procesit gjyqësor në Gjykatën Administrative, kompania “Seka Hydropower” sh.p.k. vijoi me planet e saj për të ndërtuar  HEC-et  “Sekë dhe Zais”, mbi Lumin e Urakës dhe përroit të Melthit, në bashkitë Mat dhe Mirditë.

Të gjitha inertet i kanë hedhur në lum, kanë prishur mullinjtë, deri tek varrezat, kanë hedhur gurë me shpërthime dinamiti, janë sjellë më keq se pushtuesit“, shton Dhimitër Koleci. Kompania “Seka Hydropower” sh.p.k. deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ju përgjigj një kërkese për koment mbi pretendimet e banorëve, dërguar përmes emailit.

Pankartat e banorëve pranë digës që ka bllokuar lumin e Zall-Gjoçajt

Dhjetra banorë në territorin e vendit janë përballur me ndërtuesit e HEC-eve dhe institucionet, nga konflikti i shkaktuar për përdorimin e ujit. Protesta, kundërshtime, arrestime dhe procese gjyqësore kanë qenë rezultati i përballjes për nevojat bazike dhe ruajtjen e ekosistemit.

Gjykata Administrative e Apelit në një përgjigje zyrtare për ACQJ sqaroi se nuk disponon statistika specifika për çështjet me objekt HEC-et, por nga një kërkim i saj në sistemin e çështjeve gjyqësore ekzistojnë 18 procese që lidhen me HEC-et.

Në korrik të këtij viti, fill 5 vjet pas një kërkese për masë sigurie nga një grup banorësh nga Valbona dhe shoqata “Toka”, Gjykata e Lartë urdhëroi pezullim e koncesionit të dy HEC-eve në Parkun Kombëtar Lugina e Valbonës.

Kjo shënoi një arritje për banorët që e dërguan projektin në gjykatë, megjithëse tashmë HEC-et janë ndërtuar dhe ishin vënë në punë, duke prodhuar energji elektrike. Më 9 nëntor përmbarimi gjyqësor detyroi kompaninë “Dragobia Energy” dhe “Gener 2”, të zbatojnë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe të pezullojnë kontratën e koncensionit për dy hidrocentralet në Lumin Valbonë, deri në një vendim tjetër të formës së prerë nga gjykata.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në një përgjigje zyrtare shpjegoi se ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratave për 27 subjekte që kanë rezultuar me shkelje të rënda kontraktuale.

Ekspertët e mjedisit dhe të turizmit gjejnë se strategjitë për zhvillimin e turizmit të fshatrave dhe dhënies së lejeve për ndërtimin e HEC-eve bien ndesh më njëra-tjetrën.

Diga në rrjedhën e lumit brenda Parkut Natyror Korab-Koritnik. Foto Geri Emiri

Për komunitetet lokale më i qëndrueshëm do të ishte zhvillimi i alternativave të turizmit të cilat lidhen me nevojat e komuniteteve lokale dhe me përdorimin e burimeve natyrore dhe kulturore, në një mënyrë që do i mbrojë ato për nevojat e brezave që do të vijnë“, analizon studiuesja e sektorit të turizmit, Aida Ciro.

Ajo sjell shembullin pozitiv se si në Bashkinë Gramsh – ku një HEC nisi punimet në hyrje të Kanionit të Holtës dhe më pas u pezullua – orientimi drejt turizmit dhe destinacioneve të reja ka rritur angazhimin e komunitetit lokal dhe hapjen e bizneseve të reja.

Është zgjeruar harta dhe numri i ‘destinacioneve’ të ofruara nga operatorë turistik, duke bërë kështu që një numër më i madh i komuniteti lokal të përfshihet në zinxhirin e vlerës së turizmit përmes ofrimit të shërbimeve apo produkteve të ndryshme, duke filluar nga guida, tek prodhimi i produkteve lokale, hoteleri, transport, etj.“, përfundoi Ciro.

HEC që po ndërtohet pranë Kanionit të Holtës, Gramsh. Foto Geri Emiri

Qeveria i hap përsëri rrugën projekteve brenda Zonave të Mbrojtura

Për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura miratimi i kufijve të rinj do e përmirësoj situatën, teksa organizatat mjedisore dhe ekspertët e kundërshtojnë vendimin e qeverisë me argumentin se i hap rrugë projekteve zhvillimore që dëmtojnë mjedisin.

Miratimi i kufijve të rinj të zonave të mbrojtura mjedisore nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) me vendimin e saj nr. 10, datë 28.12.2020, është një hap cilësor në këtë drejtim, pasi tashmë çdo zonë e mbrojtur është e kufizuar me kufirin e saj dixhital me koordinata të gjeoreferuara brenda këtij kufiri është dhënë me saktësi sipërfaqja reale e zonës së mbrojtur”, analizoi AKZM për zonifikimin e propozuar prej saj.

Gjetja që ka bërë AKZM-ja është që t’i heqim sipërfaqet ku janë ndërtuar HEC-et nga Zonat e Mbrojtura, pra ideja është të mos heqim HEC-in nga zona e mbrojtur, por të heqim Zonën e Mbrojtur”, analizoi avokatja Dorina Ndreka-Asllani.

Godinë HEC-i në Grykën e Vanave (Kukës), e shpallur monument natyror. Foto Geri Emiri

Më herët edhe sipas ekspertëve, 12 organizatave të mjedisit dhe një grupi profesorësh të Universitetit të Tiranës, vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit rrudh Zonat e Mbrojtura dhe fshin nga harta 15 mijë hektarë për t’i hapur rrugë projekteve infrastrukturore si ndërtimi i HEC-eve, teksa konflikti me komunitetet lokale për të drejtën e ujit mund të thellohet.

Problemi kryesor qëndron tek ky rishikim sepse po hiqen zona të caktuara nga zonat e mbrojtura, për t’i dhënë mundësinë zhvillimit ekonomik apo zhvillimin e ‘infrastrukturës gri’ brenda këtyre zonave, siç janë HEC-et apo rasti i aeroportit në Zonën e Mbrojtur të Lagunës Vjosë-Nartë“, analizoi për ACQJ Olsion Lama, ekspert pranë PPNEA-s.

Olsion Lama, ekspert pranë PPNEA-s duke folur për ACQJ. Foto Geri Emiri

Dritë në fund të tunelit…

Por ndërtimi i HEC-eve në Zonat e Mbrojtura duket se po nis të rrëzohet rast pas rasti në gjykatat e vendit, duke rikthyer shpresën për banorët. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, vendosi më 10 nëntor të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, për shfuqizimin e vendimit të Entit Rregullator të Energjisë, për licencimin e shoqërisë “Seka Hydropower”shpk, në prodhimin e energjisë elektrike nga HEC “Zais”, pasi ai shtrihet në zonën e mbrojtur.

Sali Koleci, duke protestuar përpara Bashkisë Mat

Ne nuk lodhemi kot, por për perspektivën lodhemi ne“, komenton 68 vjeçari, Sali Koleci, vendimin gjyqësor të formës së prerë që nxorri nga funksioni HEC-in brenda zonës së mbrojtur në Zall-Gjoçaj.

Unë dilja dhe e kapja troftën në derë të shtëpisë, e tani ta fusësh në tuba, e të thahet gjithë ai lum, sa në verë i vinte era lumit se kishin ngordhur peshqit, gjallesat edhe i vinte era kerm lumit. Ne nuk do dorëzohemi për të mbrojtur natyrën tonë“, përfundon Sali Koleci.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter