Grupi i punës: Ja cilët janë faktorët që çuan në dëmtimin e Urës së Zogut

Autor: Aurora Shpataj

Ura e “Harqeve të Milotit” ose e njohur ndryshe si “Ura e Zogut” është një nga urat më të vjetra në vendin tonë. E ndërtuar në vitin 1927 me nismën e mbretit Zog, ura është e vecantë për shkak të stilit arkitekturor të 5 harqeve dhe ka një gjatësi prej 478 m. Rëndësia e saj vjen se kjo vepër ka shërbyer si një prej rrugëve kryesore që lidhnin Shqipërinë e Jugut me atë të Veriut. Edhe pse ura  ka një rëndësi të vecantë arkitekturore, historike, kombëtare, për shkak se është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në qarkun e Lezhës sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kjo vepër kulturore nuk është mirëmbajtur.

Por cfarë po ndodh aktualisht me urën me “Harqet e Milotit”, ose e njohur ndryshe si ura e mbretit Zog?

Pavarësisht daljeve të shpeshta të shoqatave në mbrojtje të trashëgimisë, denoncimeve në media, protestave të qytetarëve apo aktivistëve të ndryshëm për shkatërrimin e urës së mbretit Zog, duket se të gjitha këto thirrjet kanë shkuar në vesh të shurdhër. Mungesa e përgjegjshmërisë dhe mosmarrjes së masave në kohë nga institucionet përkatëse kanë sjellë që të dëmtohet njëra këmbë e urës.  Paralajmërimi që ura e mbretit Zog është në rrezik ka ardhur edhe nga organizata ndërkombëtare  “Europa Nostra-s“, më datë 14 dhjetor 2021,  ku e ka shpallur këtë vepër si një ndër 7 monumentet më në rrezik në Europë për vitin 2022.

Po cilët janë faktorët që dërguan në dëmtimin e një monumenti të kategorisë së parë?

Pal Trashaj, historian, njëkohësisht dhe banor i zonës tregon se kush është faktori kyc që coi në degradimin e urës.

Kjo urë ka filluar të dëmtohet që ditën e parë të fillimit të  demokracisë me një yrysht të madh, me një pangopje u morën zagorishtet e lumit Mat nga kompani të ndryshme ndërtimi. Brenda 10 vitesh, nga viti `91 deri në 2001, niveli i lumit ka pasur një rënie shtrati deri në 2 m. Nga viti 2001 u munduan disi ta ndalin, por pastaj përsëri pas 2003-2005 e deri më sot me një kafshëri të rrallë miliona e miliona m3 zhavorr merren për ndërtima brenda dhe jashtë vendit.”

Historiani Pal Trashaj

Trashaj bën fajtor dhe shtetin për shkatërrimin e urës. “Këtu janë dhe institucionet shtetërore, sepse firmat që kanë marrë autostradën “Milot-Kukës, Milot-Shkodër apo Fushë-Krujë- Milot” mbledhin inerte këtu. Të gjitha firmat e licencuara nga shteti kanë marrë miliarda m3 zhavorr i kanë vendosur në makina që nuk lejohet në mënyrë absolute se jo vetëm që gërryhet shtrati, por zagorishtet meqë janë në formë rrumballake, këto kanë mundësi të rrafshohen në cdo autostradë. Prandaj ka rënë niveli i ujit në shtratin e lumit.”

Por kompanitë që gërryejnë në lumin Mat, ai i krahason në mënyrë metaforike me emërtesën “vampira”, ku nuk harron të theksojë edhe mungesën e funksionimit të shtetit.

Kompania është shteti, mungesa e funksionimit të shtetit quhet cdo emër kompanie. Për mua duhet të merreshin shumë masa, duhet ta kishin mbrojtur. Por jo vetëm që nuk e kanë mbrojtur, por nuk ndalen as `vampirët` që gërryejnë në shtratin e lumit Mat, nuk është ngul një gozhdë.”

Reagimi i shtetit ndaj shkatërrimit të urës së mbretit Zog!

Nëpërmjet disa kërkesave zyrtare për informacion që “Sinjalizo” i ka drejtuar Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit na sqaron se gërryerja e inerteve është jashtë zonës së mbrojtur.

Sqarojmë se nyja e nxjerrjes së zhavorrit, inerteve është në një gjatësi prej 1 km nga objekti pasuri kulturore, praktikisht jashtë “zonës së mbrojtur” të objektit, por nxjerrja e këtyre inerteve ka bërë që rrjedha e lumit të meandrojë drejt pikës më të dobët të urës, ku këmbët janë me struktura prej hekuri.”

Por, ministria nuk e mohon që ka një problematikë në monumentin e kategorisë së parë dhe që ia ka deleguar këtë situatë problematike institucioneve të tjera kompetente, por në përgjigjen e saj nuk e thekson se kush janë ato.

Institucionet e varësisë së Ministrisë së Kulturës nuk kanë kompetencë të ndërhyjnë në një territor jashtë monumentit dhe zonës së mbrojtur të tij por e ka ngritur si çështje në komunikimet zyrtare me institucione të tjera kompetente. Lidhur me problematikën që paraqet dhe që është konstatuar në këtë strukturë nga institucione të ndryshme si Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore është ndërmarrë nisma për ngritjen e një grupi ndërinstitucional me qëllimin për bashkëpunimin për përcaktimin e ndërhyrjeve të nevojshme në këtë strukture.”

“Sinjalizo” i dërgoi edhe një kërkesë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, lidhur me masat që ka ndërmarrë për kompanitë që kanë shfrytëzuar inertet pranë “Urës së Zogut”, e cila sqaron se:

Ne si sektor inspektojmë ligjshmërinë dhe subjektet të cilat janë të pajisur me leje shfrytëzimi të inerteve lumore të dhëna nga autoritetet e menaxhimit të burimeve ujore. Referuar vendimit me Nr. 1, datë 21.06.2006 të KKU-së mbi “Reduktimin e shfrytëzimit të zhavorëve dhe rërave në shtretërit e lumenjve”, është ndërprerë, ndaluar shfrytëzimi i inerteve lumore në distancë 500 m larg këmbëve të urës së Zogut, nuk ka pasur leje anjë subjekt ose kompani për shfrytëzimin e materialeve inerteve lumore. Duke u ndodhur para faktit se nuk kemi subjekte të pajisur me leje shtrytëzimi, nuk kemi informacion se cilat nga subjektet ose kompanitë mund të kenë shkaktuar dëm në këmbët e urës Zog, në shtratin e Lumit Mat, si pasojë e shfrytëzimit të inerteve lumore.”

Por edhe pse Agjencia Kombëtare e Mjedisit e mohon faktin që ka kompani të cilat janë pajisur me leje shfrytëzimi, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i tregon emrat e kompanive.

Nga informacionet që disponojmë dhe nga verifikimet e bëra në terren që nga viti 2020, kur është krijuar Drejtoria Rajonale e IKMT-se Lezhë, në Lumin Mat kanë operuar me leje për shfrytëzimin e inerteve këto subjekte:  

1.”A.N.K CONSTRUCTION COMPANY”shpk(Zona e Shfrytëzimit ka qenë poshtë Urës së superstradës Lezhë-Milot) 

2.”BARDH KONSTRUKSION” shpk(Zona e Shfrytëzimit ka qenë ndërmjet Urës së Trenit dhe  Urës së superstradës Lezhë-Milot) 

3.”SALILLARI”shpk(Zona e Shfrytëzimit është ndërmjet Urës së Vjetër Rubik dhe  2 km mbi Urën e Mbretit Zog)

Të pyetur se cila ishte periudha kohore që këto kompani janë pajisur me leje shfrytëzimi, IKMT përgjigjet si më poshtë:

Periudha që operojnë këto subjekte është që nga muaji mars 2020 e në vazhdim, sipas Vendimeve të KBU, Mat. Sipas këtyre vendimeve afatet e kontratave janë sipas afateve që këto subjekte kanë me ARRSH-në për ndërtimin apo mirëmbajtjen e rrugëve me rëndësi kombëtare.”

Agjencia Kombëtare e Mjedisit sqaron se, disa kompani kanë gërryer në shtratin e lumit Mat, pa leje shfrytëzimi duke marrë si masë ligjore gjobën.

Sektori i Inspektimit të Mjedisit, për vitin 2022 ka vendosur 3 gjoba për 3 subjekte që janë kapur ne kushtet e flagrancës duke marrë inerte lumore në lumin Fan dhe Mat, të pa pajisur me lejen përkatëse për shfrytëzim inertesh lumore. Konkretisht për subjektet “Brajden 31”shpk, ”Kompleksi Klodi”shpk dhe “Ardi&Orgito”shpk për periudhën shtator-dhjetor 2022. “

Lidhur me numrin e gjobave që kanë vendosur institucionet shtetërore, historiani Trashaj shprehet :“Janë vendosur aq pak gjoba sa po ta krahasosh me fitimin ato nuk quhen gjoba.”

“Sinjalizo” iu drejtua me një kërkesë zyrtare Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, lidhur me shkaktarët që kanë ndikuar në prishjen e Urës së Zogut.

Nuk disponojmë, të paktën deri më sot, një studim të thelluar për shkaktarët konkret për gjendjen e krijuar në njërën nga këmbët e urës së Zogut, në lumin Mat, dhe “peshën specifike” të secilit faktor në këtë gjendje, për më tepër të shtrirë në kohë“- sqaron AMBU.

Gjithsesi ky institucion  si pjesëmarrës në grupin e punës për dëmtimet e urës së Zogut, nëpërmjet përgjigjes së dhënë  jep arsyet pse është dëmtuar, ura e mbretit Zog.

Nga veprimtaritë e zhvilluara, në të cilat ka marrë pjesë edhe AMBU, të cilat kanë lidhje me dëmtimin e ndodhur në këmbën e urës (procese të filluara që prej vitit 2021) përgjithësisht është konkluduar se faktorët kryesorë të identifikuar por jo të vlerësuar zyrarisht kanë qenë dhe janë:

-Ura ka një jetëgjatësi 95 vjecare dhe në shumë aspekte kjo është edhe shkaku i degradimit të saj;

-Mungesa e masave për të frenuar problemin e gërryerjeve;

-Ndërtimi i disa hidrocentraleve që i kanë prishur regjimin e lumit si dhe mos ardhjen e materialit që të zëvendësojë atë që largohet nga rrjedha e lumit (hidrocentrale të ndërtuara përpara dhe pas viteve ’90);

-Shfrytëzimi ndoshta pa kriter i lumit nga ana e firmave që marrin inerte, gjë që ka sjell që fenomeni i gërryerjes së shtratit të shfaqet edhe në urat e reja të Rrugës së Kombit.”

“Sinjalizo ” kërkoi edhe një reagim nga kompanitë që kanë akses shfrytëzimi në lumin Mat , por ato kane refuzuar të përgjigjen .

Vetëm disa ditë më parë, nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook, ministrja e kulturës Elva Margariti tregoi që është miratuar projekti teknik i zbatimit për ndërhyrjen emergjente në Urën e Matit, ku ekspertët që janë marrë me hartimin e këtij projekti janë nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

I pyetur nga “Sinjalizo” për ndonjë reagim për postimin e ministres Margariti, z. Trashaj shprehet:

Për mua kjo urë na ishte njëherë, se ne po flasim për urë me vlerë qindra vjecare, nuk po flasim për urë të re. Nëse duan të bëjnë një të re, mund ta bëjnë por nuk ka vlerë fare. Ne po flasim për të mbrojtur monumentin e kulturës të kategorisë së parë.”

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter