Redaksia ACQJ
Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po ndryshon mënyrën se si prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet informacioni. Ndërsa teknologjia krijon mundësi të reja për gazetarinë, kërkimin shkencor dhe komunikimin publik, ajo po lehtëson njëkohësisht prodhimin e përmbajtjeve të rreme dhe të manipuluara, duke shtuar sfidat për besueshmërinë e informacionit dhe funksionimin e shoqërive demokratike.
Këto zhvillime ishin në qendër të konferencës rajonale “When AI Meets Fake News”, e organizuar më 20–21 tetor 2026 në Prishtinë, Kosovë, në kuadër të projektit FACT – Framework for Addressing and Countering Disinformation Threats.
Takimi mblodhi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, gazetarë, ekspertë të teknologjisë, studiues dhe përfaqësues institucionalë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Rumania, për të shkëmbyer përvoja dhe për të identifikuar mënyra më efektive të përballjes me dezinformimin në epokën e inteligjencës artificiale.
Diskutimet u përqendruan te ndryshimet që inteligjenca artificiale ka sjellë në shpejtësinë, koston dhe shkallën e prodhimit të përmbajtjeve manipuluese. Mjetet gjeneruese mundësojnë krijimin e teksteve, imazheve, regjistrimeve zanore dhe videove që imitojnë gjithnjë e më bindshëm përmbajtjet autentike, ndërsa shpërndarja e tyre në platformat digjitale mund të tejkalojë kapacitetet tradicionale të verifikimit.
Një prej çështjeve kryesore të trajtuara ishte vështirësia në rritje për të dalluar informacionin e besueshëm nga ai i fabrikuar, veçanërisht në mjediset ku burimet e verifikuara janë të kufizuara dhe transparenca institucionale mbetet problematike.
Një hapësirë e veçantë iu kushtua ndikimit të teknologjisë në profesionin e gazetarit dhe ndryshimeve që ajo po sjell në proceset redaksionale.
Gjatë sesionit “When AI Meets the Newsroom: Cases from the Information Frontline”, profesionistë të medias nga rajoni ndanë përvoja lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale, ndikimin e saj në sistemet e informacionit dhe vështirësitë që lindin gjatë identifikimit të përmbajtjeve të manipuluara. Në diskutimin e moderuar nga Goran Lefkov, përfaqësues i SCOOP Macedonia, morën pjesë Festim Rizanaj nga Kosova, Roden Hoxha, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ), dhe gazetari Artan Rama nga Shqipëria, si dhe Cristian Ghingeș nga Rumania.
Diskutimi trajtoi rastet dhe përvojat e profesionistëve të medias në përballjen me dezinformimin, mësimet e nxjerra dhe nevojën për përshtatjen e metodave të punës në redaksi. Lefkov theksoi se inteligjenca artificiale mund të lehtësojë qasjen në dokumente publike dhe përgatitjen e materialeve gazetareske, por njëkohësisht do të kërkojë më shumë përpjekje për verifikimin e dokumenteve dhe informacioneve të siguruara.
Pjesëmarrësit trajtuan gjithashtu potencialin e këtyre mjeteve për analizimin e sasive të mëdha të të dhënave, monitorimin e burimeve të ndryshme dhe identifikimin e modeleve që mund të ndihmojnë punën kërkimore dhe investigative.
Megjithatë, një nga mesazhet kryesore ishte se përdorimi i teknologjisë duhet të shoqërohet me kontroll njerëzor, verifikim të burimeve dhe ruajtjen e përgjegjësisë editoriale. Inteligjenca artificiale mund të mbështesë procesin gazetaresk, por nuk mund të zëvendësojë gjykimin kritik dhe standardet profesionale mbi të cilat mbështetet gazetaria e besueshme.
Manipulimi i të dhënave dhe mendimi kritik
Përtej përmbajtjeve të rreme të shpërndara në internet, konferenca trajtoi edhe mënyrat se si dezinformimi mund të ndikojë vetë sistemet e inteligjencës artificiale dhe u përqendrua tek manipulimi i të dhënave që përdoren për zhvillimin ose funksionimin e këtyre sistemeve, duke ngritur shqetësime mbi saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve që ato prodhojnë.
Një tjetër diskutim trajtoi ndikimin e inteligjencës artificiale në proceset njohëse, aftësinë për të vlerësuar informacionin dhe rëndësinë e mendimit kritik. Në këtë kontekst, edukimi mediatik dhe digjital u identifikua si një komponent thelbësor për forcimin e aftësive të qytetarëve për të dalluar përmbajtjet manipuluese, për të kontrolluar burimet dhe për të kuptuar mënyrën se si teknologjia mund të ndikojë perceptimin publik.
Rregullimi i inteligjencës artificiale dhe bashkëpunimi rajonal kundër dezinformimit
Dita e dytë e konferencës u përqendrua te politikat publike, përgjegjësia institucionale dhe masat e nevojshme për të përballuar sfidat që sjell inteligjenca artificiale në mjedisin e informacionit.
Diskutimet trajtuan Aktin e Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale, kërkesat për transparencën e përmbajtjeve të gjeneruara ose manipuluara dhe rëndësinë e përafrimit të vendeve të rajonit me standardet evropiane. Vëmendje iu kushtua gjithashtu boshllëqeve në politikat ekzistuese dhe nevojës për mekanizma llogaridhënieje që mbrojnë interesin publik, duke respektuar lirinë e shprehjes.
Një tjetër çështje ishte përdorimi i përgjegjshëm i inteligjencës artificiale në gazetari, veçanërisht për verifikimin e fakteve dhe analizën e informacionit. Në këtë drejtim, edukimi mediatik, mendimi kritik dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile u trajtuan si elemente të rëndësishme për kufizimin e dezinformimit.
Takimi dyditor theksoi nevojën për një përgjigje të koordinuar rajonale ndaj dezinformimit, në një kohë kur zhvillimi i shpejtë i teknologjisë po i vendos gazetarinë, institucionet dhe qytetarët përballë sfidave të reja për besueshmërinë e informacionit.
Konferenca u organizua nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), SCOOP Macedonia dhe Shoqërinë Akademike të Rumanisë (SAR), në kuadër të projektit FACT, me mbështetjen e Bashkimit Evropian./acqj.al