30 vite treg në rrugë: Tirana, vatër bakteresh!

Në tregjet e Tiranës, qumështi shitet në trotuar, peshku qëndron pa akull edhe kur temperaturat kalojnë 35 gradë dhe produkte pa etiketë ekspozohen mes pluhurit e tymrave. Por të dhënat tregojnë një tjetër problem: nga 216 inspektime të kryera në pesë vjet, 151 u zhvilluan vetëm në 2025, ndërsa përgjegjësia për kontrollin mbetet e ndarë dhe e paqartë mes institucioneve.

Rexhina Papa

Qumësht nën diell, vezë pa etiketë, peshk pa akull dhe produkte ushqimore mes pluhurit e tymrave të makinave. Ky është ende realiteti në disa prej tregjeve ushqimore të Tiranës, disa prej të cilave funksionojnë prej rreth 30 vitesh.

Në shumë prej tyre mungojnë kushtet frigoriferike dhe standardet bazë të higjienës, ndërsa produktet me origjinë shtazore mbeten ndër më të rrezikshmet për konsumatorin. Në mes të kësaj situate, përgjegjësia duket se endet nga një institucion te tjetri.

Si duhet të jetë një treg dhe si është te ne?

Qumështi nuk duhet të qëndrojë për orë të tëra në temperaturën e ambientit. Por në disa nga tregjet e Tiranës ai shitet pikërisht kështu: në trotuar, nën diell, mes pluhurit, tymrave të makinave dhe papastërtive të rrugës.

Në zonën e Petro Nini Luarasit, që në orët e para të mëngjesit, trotuaret mbushen me shitës ambulantë. Përveç frutave dhe perimeve, aty shiten qumësht, vezë e ullinj të hapur në kova. Pak metra më tutje ka kosha mbeturinash, makina të parkuara dhe një rrjedhë të pandërprerë njerëzish që kalojnë pranë ushqimeve të ekspozuara.

Për ekspertin e sigurisë ushqimore Granit Sokoli, nga Qendra ALERT, kjo është një betejë që institucionet e kanë humbur prej kohësh.

Sipas tij, problemi nuk është vetëm mënyra se si këto produkte shiten. Në disa raste, pikëpyetjet nisin që te mënyra si janë prodhuar dhe përpunuar.

Ka pasur tentativa, shpjegon Sokoli, që produktet e fermerëve dhe tregtarëve të vegjël të mblidheshin dhe të kalonin përmes fabrikave, në mënyrë që të hynin në një zinxhir më të kontrolluar.

“Kjo dështoi pasi ai tregtari i vogël me pak produkt e shet pak më shtrenjtë litrin e qumështit në trotuar sesa kur e çon te fabrika.”

Problemi tjetër është se konsumatori shpesh nuk di pothuajse asgjë për produktin që po blen.

“Janë produkte pa asnjë lloj gjurmueshmërie, nuk e dimë nga ka ardhur ajo vezë, nëse ka antibiotikë, nëse pula ka qenë e sëmurë dhe është mjekuar. Janë kafshë që janë të pakontrolluara, produkti është i pakontrolluar, pa origjinë, pa etiketë. Ato shishe nuk plotësojnë asnjë standard të higjienës dhe të sigurisë ushqimore, pra janë një bombë për konsumatorin.”

Por kush duhet t’i kontrollojë?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ndërhyn ndaj shitësve informalë që nuk kanë NIPT. Në këto raste, përgjegjësia kalon te Policia Bashkiake. Ndërkohë, shitësit vazhdojnë të jenë aty.

“Kush e ka tagrin për t’i kontrolluar? Sepse ata njerëz cenojnë sigurinë ushqimore dhe përbëjnë rrezik absolutisht serioz për konsumatorët”, thotë Sokoli, i cili këshillon që sidomos produktet me origjinë shtazore të mos blihen në këto kushte.

Pastaj ngre pyetjen më të thjeshtë:

“Nëse nesër një konsumator ka problem nga ai qumësht, kush do të mbajë përgjegjësi?”

Edhe për konsumatorët pamja flet vetë.

“Mjafton të shikosh, ka mbeturina kudo”, thotë në kushte anonimati një grua që blen në zonën e Petro Ninit.

Por situata nuk mbaron te shitësit e rrugës.

Në tregun e rrugës Hamdi Pepo, produktet ushqimore shiten në një hapësirë thuajse tërësisht të hapur, pa kushte të përshtatshme frigoriferike apo ajër të kondicionuar. Temperatura e produkteve varet në pjesën më të madhe nga temperatura jashtë.

Tregu i ngjan një tuneli të mbuluar, i cili qëndron pjesërisht në hije. Por dyqanet janë të hapura dhe shumë prej produkteve vendosen pranë këmbëve të konsumatorëve, të ekspozuara ndaj pluhurit dhe tymrave.

“Kur bie shi, sheshi mbushet me ujë”, thotë Era, një banore e Selitës që e frekuenton tregun.

Edhe tualetet janë në kushte të rënda higjieno-sanitare dhe era e tyre ndihet në një pjesë të madhe të tregut.

Në një cep, disa kova me çokokrem qëndrojnë në një raft ku i kap drejtpërdrejt dielli. Poshtë tyre ka kroasantë, kekë dhe ëmbëlsira të tjera të paketuara.

Profesor Kapllan Sulaj, nga Departamenti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë, thotë se ekspozimi në diell dhe pluhur nuk është thjesht problem pamjeje.

“Për momentin ato duken sikur nuk shkaktojnë helmime për shkak të përqindjes së lartë të sheqerit, por duhet të kemi parasysh që sheqernat janë një mjedis i favorshëm për të rritur patogjenë dhe mikroorganizma që kërkojnë ambient me përqindje të lartë karbohidratesh. Mund të ndodhin procese të ndryshme si fermentimi i pakontrolluar i këtyre ëmbëlsirave apo prodhimi i toksinave të ndryshme.”

Më tej shiten ujë dhe pije të gazuara të vendosura në koli, njëra mbi tjetrën. Në një pjesë të trotuarit ka shishe qelqi me pije alkoolike. Në një tjetër dyqan, një kuti kartoni me biskota të llojeve të ndryshme qëndron e hapur mbi banak.

Temperatura, shpjegon Sokoli, është një nga elementët kryesorë që përcakton nëse një produkt mbetet i sigurt.

“Çdo produkt ushqimor ka një temperaturë të caktuar për t’u mbajtur. Ndryshimi i shpeshtë i temperaturave ndryshon dhe gjendjen fizike të tyre. Varësisht nga përbërja mund të ketë dhe ngarkesa bakteriale, mikrobe të ndryshme, herë pas here ne shohim myk në disa produkte. Ndryshimi i temperaturës, lagështia, djersa, bulëzat e ujit brenda, edhe ambalazhi që është zakonisht plastmas, bëjnë të fillojnë myqe, larva, miza apo krimba.”

Por këto tregje nuk furnizojnë vetëm qytetarët që blejnë drejtpërdrejt aty.

Prej tyre furnizohen edhe dyqane të vogla lagjesh dhe markete. Produkti mund të përfundojë më pas në një raft të pastër e të ndriçuar, por pyetja mbetet: ku ka qëndruar më parë dhe në çfarë kushtesh?

“As kushtet e ruajtjes, as tregtimi, as transporti nuk janë të duhura. Ligjërisht është e patolerueshme. Nuk vuajmë për ligj, por për struktura që te ne janë problematike, me burim të kufizuar vullneti dhe fryme për ta disiplinuar tregun”, thotë Sokoli.

Problemi vazhdon edhe gjatë transportit.

Një produkt mund të jetë ruajtur mirë në origjinë, por nëse më pas transportohet pa temperaturën e nevojshme, zinxhiri i sigurisë prishet.

Dhe qumështi është një nga produktet më delikate.

“Qumështi është produkti më delikat sepse që nga momenti i mjeljes, nëse nuk ruhet në temperaturën 4 gradë Celsius, që është standardi i ruajtjes të ftohjes, ai mund të ndryshojë shumë shpejt mikroflorën, mund të rrisë ngarkesën mikrobike në varësi të rritjes së temperaturave. Pra, me rritjen e saj rriten në mënyrë progresive dhe numri i baktereve që janë të pranishëm në qumësht.”

Sipas Sulajt, zinxhiri i ftohjes duhet ta shoqërojë qumështin gjatë gjithë rrugës, nga prodhimi deri te konsumatori.

“Me anë të qumështit mund të përcillen shumë rreziqe që nga agjentët patogjenë, por mund të kemi dhe rreziqe të shtuara me natyrë kimike, sepse qumështi mbetet një nga ushqimet ku gjenden shumë mbetje, antibiotikë dhe hormone, të medikamenteve veterinare që përdoren në trajtimin e sëmundjeve të kafshëve.”

E njëjta gjë vlen edhe për vezët.

Sulaj thotë se ato janë një nga produktet kryesore që mund ta ekspozojnë konsumatorin ndaj salmonelës, pasi shpendët janë një nga rezervuarët kryesorë të saj. Kur vezët ruhen në kushte të papërshtatshme, rreziku rritet.

Në tregun Dinamo, problemi shihet që në hyrje.

Në një banak ka mish pule, sallamra dhe peshk. Në një ditë kur temperatura jashtë kalon 35 gradë Celsius në pikun e drekës, peshku qëndron mbi një tryezë, pa akull dhe i pambuluar.

Pranë tij shiten edhe produkte pa etiketë, si vezë fshati apo uthull e hedhur në shishe të vogla uji.

Mira, një grua që blen në treg, thotë se produkte të tilla i shmang.

“Nuk i blej këto lloj produktesh. Me logjikë, ata i mbajnë në diell dhe me shumë mundësi janë të prishura. Njerëzit i blejnë ama, për shembull vezët, duke u nisur nga ideja se janë të freskëta dhe jo nga pularia.”

Problemi është se kushtet e ruajtjes ndryshojnë shumë nga një produkt te tjetri dhe konsumatori jo gjithmonë i njeh.

“Peshku i freskët duhet ruajtur në akull dhe temperatura e tij duhet të jetë 0 gradë Celsius dhe kjo vetëm për disa orë, pastaj duhet të futet në -18 gradë Celsius për t’u ruajtur në afat më të gjatë”, shpjegon Sulaj.

Edhe mishi, sipas tij, mund të qëndrojë në banak vetëm në kushte të kontrolluara.

“Mishi në banak mund të ekspozohet 1-2 ditë në 4 gradë Celsius, mandej duhet të futet në -18 sepse fillon të prishet, ndryshon ngjyra, era dhe humbet vlerat ushqyese. Aty fillon të cenojë sigurinë, të dekompozohet, të rritet ngarkesa e mishit, bashkë me numrin e patogjenëve që mund të jenë të pranishëm.”

E njëjta kërkesë për temperaturë vlen edhe për bulmetrat dhe sallamrat, të cilat duhet të ruhen në rreth 4-5 gradë Celsius.

Por temperatura nuk është i vetmi problem.

“Ndotja nga ajri dhe pluhuri mund të sjellë dhe rreziqe në shtimin e kontaminantëve kimikë, sepse ajri mund të ndotet me metale të rënda, agjentë të tjerë toksikë të cilët nuk jemi në gjendje t’i përcaktojmë me anë të syrit”, thotë Sulaj.

Vetëm analizat laboratorike, shton ai, mund të tregojnë çfarë ndotësish apo rreziqesh mbart një produkt që ka qëndruar për orë të tëra në kushte të papërshtatshme.

Dhe pasojat nuk janë vetëm teorike.

Mjekja infeksioniste Valbona Gashi thotë se gjatë verës konsumi i mishit, vezëve, qumështit dhe nënprodukteve të ruajtura keq është ndër shkaqet e shpeshta të helmimeve ushqimore dhe infeksioneve të stomakut dhe zorrëve.

Në raste më të rënda, pasojat mund të prekin edhe organe të tjera.

“Pacientët mund të shfaqin temperaturë, ethe, marrje mendsh, të vjella, dhimbje barku dhe diarre, e cila mund të jetë shumë e ujshme dhe shkakton humbje të mëdha të lëngjeve dhe të kripërave të gjakut.”

Humbja e madhe e lëngjeve mund të ndikojë edhe në funksionin e veshkave dhe të zemrës. Sipas Gashit, korrigjimi i humbjes së elektroliteve është vendimtar, veçanërisht te pacientët më vulnerabël.

“Gjatë stinës së verës këto raste janë më të shtuara, për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve jo të mira higjieno-sanitare. Pacientët më problematikë janë moshat e vjetra, bebet, si dhe pacientët me sëmundje kronike apo ata me dëmtime imunitare.”

Kontrollet: shumica vetëm në një vit

Pamja në tregje është njëra anë e problemit. Të dhënat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit tregojnë edhe një tjetër.

Nga një kërkesë për informacion rezulton se gjatë viteve 2021-2025, në tregjet e fruta-perimeve dhe ushqimeve në Tiranë janë kryer gjithsej 216 inspektime.

Por 151 prej tyre janë kryer vetëm gjatë vitit 2025.

Me fjalë të tjera, rreth tre të katërtat e të gjitha kontrolleve të raportuara për pesë vite janë zhvilluar brenda një viti të vetëm.

Edhe shkeljet e konstatuara ndjekin të njëjtin ritëm.

Nga 65 shkelje të gjetura gjatë gjithë periudhës 2021-2025, 44 janë konstatuar vetëm në vitin 2025.

Mes tyre ka mungesë gjurmueshmërie, produkte pa etiketa në gjuhën shqipe, mish pa vulë dhe pa certifikatë veterinare, mungesë të kushteve higjieno-sanitare, probleme me analizat e ujit dhe librezat shëndetësore.

Shkeljet janë konstatuar në Tregun Agro-Ushqimor, Tregun e Qytetit të Kavajës, tregun te ish-“Uzina Dinamo”, tregun në rrugën “Hamdi Pepa” dhe atë në rrugën “Vasil Shanto”.

Ndaj subjekteve janë dhënë paralajmërime dhe gjoba, ndërsa në disa raste janë bllokuar edhe produkte.

Por për Sokolin, ndërhyrjet mbeten sporadike.

“Ka pasur disa ndërhyrje sporadike shumë të rralla, kur ka pasur ndonjë alert, por për kushtet nuk është gjobitur asnjëherë tregu, kompania që administron gjithë hapësirën. Masat nuk janë asnjëherë të mjaftueshme.”

Po kush mban përgjegjësi?

Këtu nis një tjetër problem: edhe institucionet nuk japin gjithmonë një përgjigje të qartë se kush është përgjegjës për çfarë.

E pyetur për tregjet ushqimore, Bashkia e Tiranës e delegoi kërkesën pranë Agjencisë së Administrimit të Tregjeve.

Agjencia listoi shtatë tregje ushqimore: Petro Nini, 1 Maji, Tregun Ushqimor, Tregun e Përzier të Kombinatit, 4 Dëshmorët, Pazarin e Ri dhe tregun në rrugën Pandi Dardha.

Por më pas deklaroi se certifikimi i tyre ishte jashtë kompetencave të saj.

Në një përgjigje tjetër, agjencia i cilësoi si tregje me planimetri të miratuar prej saj dhe shtoi në listë Shkozën dhe Selitën, ndërsa Petro Nini nuk figuronte më.

Për Sulajn, kjo paqartësi është pjesë e vetë problemit.

Ai thotë se ekziston një vakum në kontrollin e tregjeve, ku kompetencat herë i atribuohen bashkisë dhe herë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Ndërkohë, tregjet vazhdojnë të funksionojnë.

Si duhet të jetë një treg?

Sipas Sulajt, kërkesat bazë nuk janë të komplikuara.

“Që të licencosh një treg ka disa kushte. Ato duhet të ndërtohen në ambiente të hapura, kryesisht në vendet që nuk janë afër qendrave të banuara, kërkojnë të jenë të izoluara nga faktorët ndotës, në vende të gjelbëruara ku ka më pak ndotje, në mjedise ku ka më pak tym.”

Një treg duhet të jetë i mbuluar, të ketë banakë dhe tezga të përshtatshme dhe, mbi të gjitha, frigoriferë për produktet që kanë nevojë për to.

“Çka ne nuk e gjejmë”, thotë ai.

Por Sulaj sheh problem edhe te mënyra se si licencohen tregtarët.

Licencat janë të përgjithshme dhe lejojnë “tregtinë e ushqimeve”, ndërkohë që kërkesat për të shitur mish, peshk, bulmet apo produkte të thata janë krejt të ndryshme.

“Në shumë vende të botës licencat jepen të kufizuara sepse personi fizik fillimisht duhet të plotësojë një sërë standardesh për tregtimin e atyre produkteve të cilat janë të përcaktuara në licencë, gjë që në Shqipëri nuk ndodh sepse ligji e ka lënë të lirë.”

Për të, tregjet duhet të kontrollohen rregullisht jo vetëm me sy, por edhe për ngarkesë mikrobiologjike, mbetje kimike dhe rreziqe të tjera që nuk mund të dallohen pa analiza.

E pyetur mbi administrimin e tregjeve, Bashkia Tiranë e delegoi kërkesën pranë Agjencisë së Administrimit të Tregjeve. Kjo e fundit listoi shtatë tregje zyrtare në kryeqytet (Petro Nini, 1 Maji, Tregu Ushqimor, Kombinati, 4 Dëshmorët, Pazari i Ri dhe rruga Pandi Dardha), por deklaroi se certifikimi i tyre është jashtë kompetencave të saj. 

Ajo i cilësoi këto tregje më pas si tregje me planimetri të miratuar prej saj, duke shtuar dhe tregun e Shkozës dhe atë të Selitës, por pa përmendur atë të Petro Ninit./acqj.al