Përtej klikimeve: Media Online, Algoritmet dhe Kriza e Besueshmërisë në Shqipëri

Si po ndikojnë algoritmet dhe klikimet cilësinë e gazetarisë online në Shqipëri? Raporti “Përtej Klikimeve” sjell gjetjet nga 18 media, 15 intervista dhe një anketë me 74 të rinj.

Analizë e praktikave clickbait, presioneve editoriale dhe transformimit të gazetarisë në ekonominë digjitale të vëmendjes

Transformimi digjital ka ndryshuar thellësisht mënyrën si prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet informacioni në Shqipëri, duke e bërë performancën digjitale, klikimet, shpërndarjet, ndërveprimin, një nga faktorët kryesorë që ndikon prioritetet editoriale të redaksive online.

Raporti “Përtej Klikimeve: Media Online, Algoritmet dhe Kriza e Besueshmërisë në Shqipëri”, përgatitur nga Albanian Center for Quality Journalism me mbështetjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive, analizon marrëdhënien mes performancës digjitale dhe cilësisë editoriale në median online shqiptare. Bazuar në monitorimin e përmbajtjes në 18 media online, 15 intervista cilësore me drejtues mediash e gazetarë, dhe një anketë me 74 anëtarë të audiencës së re, studimi ndërton dy tregues origjinalë, Indeksin e Klikimit (IK) dhe Indeksin e Cilësisë (IC), për të matur në mënyrë të strukturuar praktikat e sensacionalizmit dhe standardet bazë të raportimit.

Gjetjet tregojnë se praktikat e orientuara drejt klikimit janë të përhapura, por jo në mënyrë uniforme: mediat më të orientuara nga performanca favorizojnë tituj emocionalë e dramatizim, ndërsa mediat investigative dhe fact-checking ruajnë nivele më të larta të IC. Mes këtyre dy poleve ekzistojnë modele hibride, sidomos te mediat e konsoliduara.

Një gjetje qendrore e analizës është se marrëdhënia mes klikueshmërisë dhe cilësisë nuk është lineare, as automatikisht konfliktuale: disa media arrijnë të kombinojnë tituj tërheqës me standarde editoriale, ndërsa problemi shfaqet kur logjika e performancës fillon të dominojë mbi verifikimin, kontekstin dhe kontrollin editorial.

Intervistat me drejtues mediash, redaktorë dhe gazetarë zbuluan se redaksitë shqiptare operojnë nën presione të njëkohshme, ritëm të lartë publikimi, SEO, logjikë algoritmike dhe pasiguri ekonomike, dhe se presioni algoritmik është bërë gradualisht pjesë e vetë procesit editorial, jo thjesht faktor i jashtëm.

Anketa me audiencën e re zbuloi një paradoks të rëndësishëm: shumica e të anketuarve njohin dhe kritikojnë clickbait-in, por vazhdojnë njëkohësisht ta konsumojnë, veçanërisht në formatet e shkurtra vizuale që dominojnë TikTok, Instagram dhe YouTube.

Në tërësi, gjetjet identifikojnë pesë modele kryesore funksionimi në median shqiptare online që tregojnë se redaksitë, platformat dhe audiencat funksionojnë sot në një sistem të ndërvarur, ku e ardhmja e gazetarisë cilësore varet nga aftësia e redaksive për të balancuar performancën digjitale pa e reduktuar gazetarinë në thjesht produkt afatshkurtër për klikime./acqj.al