“Hetimet VIP” Politika përballë drejtësisë!

Zyrtarët e lartë po përballen gjithnjë e më shpesh me SPAK-un dhe GJKKO-në, ndërsa hetimet ndaj politikës po kthehen në normalitet publik. Por një raport i ISP paralajmëron se drejtësia po ecën më shpejt se vetë politika. Ndërsa arrestimet dhe hetimet shtohen, partitë vazhdojnë të dështojnë në filtrimin dhe vetëpastrimin e figurave me integritet të dyshimtë.

Denada Jushi

Çdo ditë tanimë është ritual që zyrtarë të ndryshëm, deri në emrat më të lartë, paraqiten përpara SPAK dhe GJKKO-së!

Hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë janë rritur dhe sistemi i drejtësisë po tregon përherë e më tepër guxim, kurse në anën tjetër politika vijon të mbetet e paaftë për vetëpastrim.

Kështu tregon raporti i Institutit të Studimeve Politike, “Raport monitorimi – Hetimet VIP dhe integriteti tek institucionet dhe partitë politike”.

Raporti, i realizuar në kuadër të një projekti për promovimin e llogaridhënies me mbështetjen e National Endowment for Democracy, analizon zhvillimet e fundit në Shqipëri gjatë fundit të vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026.

Një nga shtyllat kryesore të analizës lidhet me ligjin e dekriminalizimit dhe efektet e tij. I miratuar në vitin 2015 si një përgjigje ndaj infiltrimit të individëve me rekorde kriminale në politikë, ky ligj ka prodhuar rezultate në largimin e disa zyrtarëve problematikë. Megjithatë, raporti thekson se ndikimi i tij mbetet ende i kufizuar përballë formave të ndikimit kriminal, të cilat janë bërë më të sofistikuara dhe më pak të dukshme. Nuk bëhet më fjalë vetëm për precedentë penalë, por për lidhje informale, konflikte interesi dhe ndikime të padukshme që vazhdojnë të deformojnë procesin politik.

Në këtë aspekt hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, të ashtuquajturat “VIP cases”, përbëjnë një zhvillim pozitiv sepse tregojnë se sistemi i drejtësisë është i gatshëm të sfidojë elitat politike dhe të vendosë standarde të reja llogaridhënieje. Por raporti ngre një pyetje ende të paqartë për të ardhmen: çfarë ndodh më pas në politikë? Përgjigjja është shqetësuese. Partitë politike vazhdojnë të shfaqin “dobësi” ose më saktë mosdëshirë në përzgjedhjen e kandidatëve, duke mos ndërtuar mekanizma të besueshëm verifikimi dhe duke toleruar figura me integritet të diskutueshëm.

Një tjetër pikë është funksionimi i institucioneve të pavarura. Rasti i Avokatit të Popullit shërben si shembull që përshkruan krizën institucionale. Vakanca e zgjatur dhe procesi i debatueshëm i përzgjedhjes së këtij institucioni nxjerrin në pah mungesën e përgjegjësisë parlamentare dhe tendencën për ta politizuar edhe atë që duhet të jetë i pavarur. Sipas raportit, vonesat e pajustifikuara dhe kompromiset politike minojnë besimin publik dhe dobësojnë rolin mbikëqyrës të këtyre institucioneve.

Në të njëjtën linjë, edhe përpjekjet për rishikimin e Rregullores së Kuvendit pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese paraqiten si një shans i humbur për reformë të thellë e mbi të gjitha të vërtetë!

Një nga gjetjet më të rëndësishme të raportit është se në Shqipëri ekziston një përputhje formale me ligjin. Procedurat respektohen në teori, por zbatimi i tyre mbetet selektiv dhe i ndikuar nga interesat politike.

Raporti propozon një sërë rekomandimesh konkrete për të adresuar këto probleme. Ai kërkon që partitë politike të vendosin mekanizma të detyrueshëm dhe transparentë për verifikimin e kandidatëve, duke e bërë integritetin një kriter themelor. Po ashtu, sugjeron rishikimin e kuadrit ligjor të dekriminalizimit për të përfshirë jo vetëm të kaluarën penale, por edhe lidhjet dhe ndikimet e papërshtatshme.

Një tjetër rekomandim lidhet me rolin e Kuvendit. Respektimi i afateve për plotësimin e vakancave në institucionet e pavarura dhe garantimi i proceseve transparente e meritokratike janë thelbësore për rikthimin e besimit publik. Po ashtu, rishikimi i Rregullores duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i orientuar drejt forcimit të kontrollit parlamentar dhe konsultimit publik.

Raporti nënvizon rëndësinë e rolit të shoqërisë civile, medias dhe komunitetit akademik. Monitorimi i pavarur dhe transparenca janë elementë tejet thelbësorë për llogaridhënien.

Por në Shqipëri si zakonisht për çdo reformim dhe përmirësim më shumë se gjithçka mungon vullneti politik, i cili do të duhej të ishte motor zhvillimi e jo pengesë!/acqj/al