Denada Jushi
Shpesh dëgjojmë nga qytetarë që kanë kaluar kalvar pritjesh për drejtësi shprehjen:
“Drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar.”
E në Shqipëri, koha për të marrë drejtësi në kohë duket se është kthyer në një betejë të humbur.
Gjetjet e raportit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhen me Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku proceset civile tashmë zgjasin mesatarisht deri në 2787 ditë, afro 7.6 vite.
Një kohë shumë e madhe krahasuar me periudhën para reformës.
Kjo situatë vjen pas zbatimit të hartës së re gjyqësore në vitin 2023, një reformë që uli numrin e gjykatave nga 38 në 20, me synimin për të rritur efikasitetin dhe për të shpërndarë më mirë burimet.
Por bashkimi i gjashtë gjykatave të apelit në një të vetme ka prodhuar efektin e kundërt: një mbingarkesë të papërballueshme.
Stoku i çështjeve është rritur me gati 700%, ndërsa gjykata funksionon vetëm me 36% të kapacitetit të saj për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Aktualisht, Gjykata e Apelit në Tiranë operon me vetëm 28 gjyqtarë nga 78 që parashikohen në organikë.
Si pasojë, mijëra qytetarë presin për vite të tëra për një vendim, duke vënë në pikëpyetje standardin bazë të një procesi të rregullt ligjor: gjykimin brenda një afati të arsyeshëm.
Por problematikat nuk ndalen vetëm tek vonesat. Raporti evidenton se sistemi hyri në këtë reformë me mungesë të theksuar burimesh njerëzore dhe financiare. Shqipëria kishte vetëm 8.9 gjyqtarë për 100 mijë banorë, shumë poshtë mesatares rajonale, ndërsa buxheti për drejtësinë mbetet ndër më të ulëtit në Europë.
Procesi i vetingut, edhe pse i konsideruar si i domosdoshëm për pastrimin e sistemit, solli ulje drastike të kapaciteteve. Në disa vite, sistemi funksionoi me vetëm 55% të stafit gjyqësor të nevojshëm.
Por problemi nuk është vetëm në Apel. Edhe gjykatat e shkallës së parë po përballen me vështirësi serioze. Në Tiranë, ndonëse produktiviteti i gjyqtarëve është rritur lehtë, koha e gjykimit për çështjet civile është rritur me mbi 125%, duke shkuar deri në 269 ditë. Ndërkohë, çdo gjyqtar përballet me një ngarkesë që arrin deri në 928 çështje në vit, një shifër që e bën të vështirë garantimin e cilësisë në vendimmarrje.
Situata është edhe më e rëndë në Fier, ku treguesit flasin për një sistem në kufijtë e kolapsit. Koha e gjykimit për çështjet civile është rritur me 181%, produktiviteti ka rënë dhe normat e likuidimit janë përkeqësuar. Gjyqtarët përballen me mbi 900 çështje civile dhe qindra penale në vit, ndërsa infrastruktura mbetet e pamjaftueshme.
Raporti evidenton se në Gjykatën e Fierit ka vetëm pesë salla gjykimi, ndërsa një gjyqtar detyrohet të shqyrtojë deri në 20-22 çështje në ditë. Përveç kësaj, sistemi po përballet edhe me mbingarkesë arkivore, me mijëra dosje që duhen administruar çdo vit.
E vetmja që bën disi diferencën është Gjykata Administrative e Tiranës, që paraqet një model më pozitiv. Aty, koha e gjykimit është ulur me 22.8% dhe produktiviteti është rritur me mbi 60%.
Një tjetër problematikë serioze që nxjerr në pah raporti është ulja e aksesit të qytetarëve në drejtësi. Në disa gjykata është vënë re rënie e numrit të çështjeve të reja, jo sepse konfliktet janë zgjidhur, por sepse qytetarët po përballen me distanca më të mëdha, kosto më të larta dhe barriera procedurale.
Qytetarë nga zonat rurale apo periferike tashmë duhet të udhëtojnë me orë për të ndjekur proceset gjyqësore, ndërsa për shtresat më vulnerabël kjo është kthyer në pengesë reale për aksesin në drejtësi. Raporti përmend se komunitetet rome, egjiptiane, personat në vështirësi ekonomike apo komuniteti LGBTI preken në mënyrë disproporcionale nga këto vonesa dhe kosto shtesë.
Infrastruktura dhe teknologjia ende mbeten me probleme të theksuara. Raporti evidenton mungesë të sistemeve efektive dixhitale, probleme me administrimin elektronik të çështjeve dhe mungesë të mjeteve online që do të lehtësonin barrën për qytetarët dhe avokatët.
Në thelb, reforma e hartës gjyqësore, e menduar si një hap drejt modernizimit të sistemit, po jep rezultate ende të paqarta. Në disa raste ka përmirësime, por në shumicën e gjykatave evidentohen rritje të kohës së gjykimit, shtim i stokut të çështjeve dhe ulje e efikasitetit. Një faktor që ndikon drejtpërdrejt në këtë situatë është mungesa e burimeve dhe planifikimi i pamjaftueshëm i reformës.
Sistemi shqiptar ka ende një nga buxhetet më të ulëta në Europë për drejtësinë, me vetëm 17.5 euro për banor, shumë larg mesatares prej 80 eurosh.
Por në fund mbetet e qartë se beteja më e vështirë me të cilën përballet sot vendi është drejtësia, edhe pas një morie “reformimesh”./acqj.al