Rruga drejt BE-së, dritë jeshile për Malin e Zi, portokalli për Shqipërinë..!

Ndërsa Mali i Zi hyn në fazën finale të anëtarësimit në BE, Shqipëria mbetet në vendnumëro. Premtimet për vitin 2030 përplasen me negociata të bllokuara, reforma të ngadalësuara dhe politikë të përçarë. Dy vende të së njëjtës rrugë, por me drejtime të ndryshme.

Denada Jushi

12 muajt e fundit, çdo retorikë politike në Shqipëri është lidhur me rrugën drejt integrimit europian, duke premtuar se në vitin 2030 Shqipëria do të jetë më në fund pjesë e Unionit. Por ky rrugëtim ka stopuar prej muajsh, ndërkohë që bashkëudhëtari i Shqipërisë, Mali i Zi, po shkon drejt fazës së fundit për ta përmbyllur me sukses këtë proces.

Bashkimi Evropian ka vendosur ditën e djeshme të nisë hartimin e traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi, duke e çuar procesin në një fazë konkrete, ndërsa Shqipëria vijon të mbetet në një stad shumë më të hershëm të negociatave. Dy vende të të njëjtit rajon, me aspirata të njëjta europiane, por me ritme krejt të ndryshme integrimi.

Vendimi i fundit i BE-së për Malin e Zi nuk është thjesht një hap teknik, por përfaqëson një moment politik, njohje të progresit të arritur dhe një sinjal se anëtarësimi nuk është më një perspektivë e largët, por një proces në mbyllje. Siç e theksoi Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ky është “një hap i madh” dhe një nxitje për të përshpejtuar reformat. Në të njëjtën linjë, edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e përgëzoi vendin për ecurinë.

Por ky avancim nuk ka ardhur rastësisht. Sipas raportit zyrtar të Komisionit Evropian, “Montenegro Report 2025”, Mali i Zi konsiderohet vendi më i avancuar në Ballkanin Perëndimor për integrimin europian. Ai ka hapur pothuajse të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka arritur të mbyllë disa prej tyre, duke hyrë tashmë në fazën ku flitet për traktat anëtarësimi.

Megjithatë, edhe për Malin e Zi, rruga nuk është e përfunduar. Raporti nënvizon se sfidat mbeten, si për shembull korrupsioni, pavarësia e gjyqësorit dhe funksionimi i shtetit ligjor. Kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me drejtësinë dhe të drejtat themelore, do të jenë më të qenësishmit.

Në anën tjetër qëndron Shqipëria. Edhe pse ka kaluar një seri etapash të rëndësishme, nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit në vitin 2006, te statusi i vendit kandidat në 2014 dhe hapja e negociatave në 2022, procesi mbetet në fazat fillestare. Kapitujt që duhet të ishin hapur prej 6 muajsh kanë stopuar, që prej dosjes së Belinda Ballukut dhe përballjes së saj me drejtësinë.

Qeveria vendosi të mos ia heqë imunitetin dhe BE e ka konsideruar këtë si një pengesë në reformat që lidhen me drejtësinë.

A po ndikon politika në këtë rrugëtim?

Në rastin e Malit të Zi, pavarësisht krizave politike, ka ekzistuar një vijimësi më e qëndrueshme në orientimin pro-europian dhe në përmbushjen e kushteve teknike të BE-së. Ndërsa në Shqipëri, procesi është karakterizuar nga ndërprerje, vonesa dhe një ritëm më i ngadaltë i zbatimit të reformave, ku interesat partiake kanë prevaluar mbi interesat e vendit për integrimin.

Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016, u konsiderua si moment kthese për Shqipërinë. Por sot, pas disa vitesh, ajo po has “mospëlqim” dhe pengim politik. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga arsyet kryesore të stopimit.

Në këtë kontekst, vendimi i BE-së për të nisur hartimin e traktatit me Malin e Zi krijon një kontrast mes dy vendeve: nga njëra anë, një vend që hyn në fazën përfundimtare të integrimit; nga ana tjetër, një vend që ende përpiqet të përmbushë kushtet bazë.

Një nga momentet që do të duhej të ishte arritur për Shqipërinë ishte IBAR, ku do të niste përmbyllja e reformave, por prej shkurtit kjo nuk po arrihet. Ndaj Shqipëria ka “ngecur” në këtë rrugëtim.

Sepse klasa politike ka zgjedhur të vendosë interesat politike personale përballë avancimit drejt BE-së./acqj.al