Jo vetëm njerëzit, por edhe paratë po ikin nga Shqipëria!

Shqipëria nuk po humbet vetëm njerëz, por edhe paratë e tyre. Ndërsa emigracioni rritet, kapitali financiar dhe kursimet po zhvendosen jashtë vendit. Me remitanca që mbajnë konsumin, por jo zhvillimin, ekonomia po bëhet gjithnjë e më e varur nga jashtë. Pyetja nuk është më kush po ikën, por çfarë po mbetet.

Denada Jushi

Raportet e Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore tregojnë emigracion të vazhdueshëm të shqiptarëve drejt vendeve europiane nuk kanë të ndalur, por sipas këtyre të fundit po emigron edhe kapitali financiar.

Viti 2025 shënoi një rekord të ri, aspak pozitiv. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të përpunuara nga Monitor, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 241 milionë euro, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë. Largimi i njerëzve po shoqërohet edhe me largimin e kapitalit, duke e zhvendosur aktivitetin ekonomik jashtë vendit.

Kjo do të thotë: më pak para në vend, më shumë biznese që largohen dhe vendosen jashtë, më pak qarkullim dhe, si pasojë, më pak konsum, një efekt që prek çdo sektor.

Në Shkodër, pronari i një fasonerie ka vendosur ta zhvendosë biznesin e tij në Afrikën e Jugut. Mungesa e krahut të punës, mungesa e mbështetjes nga shteti dhe infrastruktura e dobët e kanë shtyrë drejt këtij vendimi.

Por ky fenomen nuk është më i kufizuar vetëm te rastet individuale.

Sipas një studimi të Bankës Botërore dhe INSTAT, mbi 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ndërsa më shumë se një e treta e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një anëtar emigrant. Në këtë kuptim, emigracioni nuk është më një zgjedhje individuale, por një realitet strukturor që po formëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Një tjetër element që ndikon është vetë mënyra se si funksionon migrimi.

Emigrantët shqiptarë krijojnë të ardhura jashtë vendit, por një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave nuk rikthehet në Shqipëri në formën e investimeve. Banka Botërore thekson se emigrantët priren të kursejnë dhe të investojnë në vendet ku jetojnë. Kapitali shqiptar, në vend që të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë vendase, po forcon ekonomitë e tjera.

Megjithatë, paratë që rikthehen në Shqipëri përmes remitancave kanë një rol të rëndësishëm social, por jo zhvillimor. Rreth gjysma e familjeve shqiptare përfitojnë remitanca, të cilat përbëjnë rreth 41% të të ardhurave të tyre. Por mbi 90% e këtyre parave përdoren për konsum të përditshëm, ndërsa më pak se 2% shkojnë për investime apo aktivitete prodhuese.

Kjo krijon një model ekonomik të varur, ku mirëqenia e familjeve mbështetet te para të krijuara jashtë, ndërsa ekonomia e brendshme nuk gjeneron mjaftueshëm kapital për t’u rritur.

Në të njëjtën kohë, edhe vetë emigracioni nuk po prodhon gjithmonë kapital të qëndrueshëm. Megjithëse emigrantët fitojnë mesatarisht rreth 2.5 herë më shumë jashtë vendit sesa në Shqipëri, kostot e larta të jetesës bëjnë që kursimet reale të jenë shumë më të ulëta se pritshmëritë. Madje, mbi një e katërta e emigrantëve që janë kthyer në Shqipëri deklarojnë se nuk kanë arritur të kursejnë asgjë gjatë qëndrimit të tyre jashtë.

Në shumë raste, emigracioni nis si një investim familjar. Kostoja mesatare e largimit është rreth dy paga mujore, ndërsa një pjesë e emigrantëve detyrohen të marrin borxh për të financuar këtë proces.

Ndërkohë, një tjetër problem që thellohet është edhe humbja cilësore e kapitalit njerëzor.

Një në tre emigrantë aktualë dhe pothuajse katër në pesë të kthyer me arsim të lartë punojnë në pozicione më të ulëta se kualifikimi i tyre. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk po humbet vetëm njerëz, por edhe vlerën reale të aftësive të tyre.

Mungesa e investimeve nga diaspora po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Ndonëse Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të emigracionit në rajon, investimet e emigrantëve në vend mbeten të kufizuara. Arsye si pasiguria ligjore, klima e biznesit dhe mungesa e besimit te institucionet bëjnë që shumë shqiptarë të zgjedhin të mos i rikthejnë kursimet e tyre në vendin e origjinës. Në këtë mënyrë, kapitali financiar jo vetëm që largohet, por edhe konsolidohet jashtë kufijve.

Ky fenomen ka pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë shqiptare. Largimi i forcës punëtore, sidomos i të rinjve dhe profesionistëve, shoqërohet me humbjen e kapitalit njerëzor, që është një nga faktorët kryesorë të zhvillimit. Paralelisht, edhe kapitali financiar – kursimet, investimet dhe potenciali për sipërmarrje – zhvendoset jashtë vendit.

Në të njëjtën kohë, struktura e ekonomisë shqiptare nuk po arrin të mbajë këtë kapital brenda vendit. Rritja ekonomike mbështetet kryesisht në sektorë me produktivitet të ulët si turizmi dhe ndërtimi, ndërsa ekonomia informale mbetet në nivele të larta, rreth 29–33% e PBB-së.

Edhe në nivel më të gjerë, Shqipëria mbetet ende larg standardeve europiane. Të ardhurat për frymë janë vetëm rreth 33% e mesatares së Bashkimit Europian dhe, me ritmet aktuale, do të duhen dekada për të arritur një konvergjencë reale.

Në këtë kontekst, largimi i kapitalit nuk është thjesht pasojë e emigracionit, por simptomë e një modeli ekonomik që nuk arrin të krijojë mundësi konkurruese brenda vendit.

Situata në të cilën ndodhet sot ekonomia shqiptare është shqetësuese për të ardhmen.

Një ekonomi që konsumon më shumë sesa prodhon dhe që mbështetet në para të ardhura nga jashtë është e brishtë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Nëse ky trend vazhdon, vendi rrezikon të mbetet i bllokuar në një model ku emigracioni “ushqen” ekonominë në afat të shkurtër, por e dobëson atë në afat të gjatë.

Ka debate të vazhdueshme sa i takon emigracionit, por zgjidhja nuk qëndron vetëm në frenimin e emigracionit, por më shumë në krijimin e kushteve që kapitali, njerëzor dhe financiar, të ketë mundësi reale dhe konkurruese për t’u investuar në Shqipëri.

Që kjo të ndodhë, duhen politika të qarta për tërheqjen e investimeve të diasporës dhe përmirësimin e klimës së biznesit, në mënyrë që paratë e shqiptarëve të ndërtojnë ekonominë e vendit përpara ekonomive të tjera./acqj.al