Ida Ismalaj
Riorganizimi institucional i sistemit të drejtësisë në Shqipëri u konceptua si përgjigje ndaj një krize të zgjatur besimi publik dhe shqetësimeve mbi politizimin, mungesën e transparencës dhe dobësitë e mekanizmave të llogaridhënies.
Krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë u konsiderua një ndër shtyllat themelore për garantimin e pavarësisë funksionale të prokurorëve dhe për transformimin e qeverisjes së sistemit të prokurorisë.
Pas 6 vitesh funksionimi, një raport vlerësimi i përgatitur nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, përmes një tryeze të rumbullakët me aktorë të sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve qendrore por edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, ofroi një analizë mbi performancën institucionale të KLP-së, duke synuar të masë pavarësinë, profesionalizmin dhe llogaridhënien në sistemin e prokurorisë. Prezantimi i raportit u konceptua si një hapësirë reflektimi dhe diskutimi profesional mbi rolin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Drejtori i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Arjan Dyrmishi u shpreh se “Raporti synon të ofrojë një analizë të performancës së KLP-së dhe të evidentojë dimensionet kyçe të funksionimit të tij, për matjen e pavarësisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies në skemën e prokurorisë. Ky raport ndihmon institucionet dhe politikbërësit, mbi sfidat dhe arritjet”.
Hulumtuesja Miranda Hallunaj prezantoi rezultatet kryesore të vlerësimit, duke theksuar se institucionet janë “në nivel të përmbushjes së mirë”, por sfida kryesore mbetet ruajtja dhe konsolidimi i këtij niveli në vitet në vijim.
Sipas gjetjeve të raportit, performanca e KLP-së paraqitet përgjithësisht pozitive, me disa fusha që arrijnë nivele relativisht të larta vlerësimi. Pavarësia institucionale dhe funksionale, së bashku me transparencën dhe komunikimin publik, vlerësohen me 74 pikë nga 100, duke reflektuar një stabilizim gradual të rolit të institucionit.
Kapacitetet institucionale arrijnë në 72 pikë, ndërsa menaxhimi i karrierës dhe integriteti institucional me etikën shënojnë nga 68 pikë secila. Ndërkohë, garantimi i përgjegjshmërisë mbetet ndër treguesit më sfidues, me 66 pikë, duke sinjalizuar nevojën për përmirësime të mëtejshme në mekanizmat e llogaridhënies.
Përtej treguesve numerikë, raporti evidentoi se një pjesë e sfidave lidhen me ritmin e konsolidimit praktik të reformës, ku standardet ekzistojnë në nivel normativ, por ndikimi i tyre në vendimmarrjen e përditshme mbetet ende në proces formësimi.
Analiza theksoi gjithashtu varësinë e disa proceseve nga kapacitete administrative dhe analitike të kufizuara, si dhe nga procedura ende pjesërisht manuale që ndikojnë në efikasitetin institucional. Një tjetër gjetje lidhet me nevojën për komunikim më shpjegues dhe proaktiv ndaj publikut, në mënyrë që transparenca të mos mbetet vetëm në publikim dokumentesh, por të shndërrohet në instrument real të ndërtimit të besimit.
Raporti vuri në dukje gjithashtu se disa mekanizma disiplinorë dhe etikë janë institucionalizuar, por përdorimi i tyre në praktikë mbetet i pabarabartë dhe kërkon standardizim më të fortë. Po ashtu, ai nënvizoi se presioni i vakancave dhe ndryshimeve strukturore në sistem vazhdon të ndikojë në menaxhimin afatgjatë të karrierës së prokurorëve dhe në parashikueshmërinë institucionale
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë. Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Reinout Vos, theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët në kuadër të integrimit evropian dhe të debatit të hapur profesional.
Ai vlerësoi kontributin e aktorëve institucionalë, parlamentarë dhe të shoqërisë civile, duke nënvizuar vazhdimësinë e iniciativave dhe nevojën për një diskutim gjithëpërfshirës dhe joformal mbi çështjet aktuale të sistemit.
Nga ana e tij, ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato nënvizoi rëndësinë e specializimit të mëtejshëm të prokurorëve, shkëmbimit të përvojave profesionale gjatë karrierës dhe koordinimit të fortë institucional, duke e lidhur këtë me rritjen e besimit publik.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, duke vlerësuar raportin, ngriti rezerva të drejtpërdrejta:
“Çdo analizë që bëhet nuk mund të bëhet jashtë kontekstit të marrëdhënies që KLP ka me Prokurorin e Përgjithshëm,” u shpreh ai.
Çela vuri në dukje përmirësimin e ndjeshëm institucional ndër vite dhe përpjekjet për krijimin e një fryme bashkëpunimi, por evidentoi disa problematika të rëndësishme, mes të cilave vakancat e shumta në sistem, që kanë krijuar vështirësi serioze funksionale; nevojën për përmirësim të koordinimit ndërinstitucional dhe sfidat në mekanizmat e llogaridhënies në kushtet e një sistemi të decentralizuar.
Reforma në Drejtësi ka prodhuar strukturë dhe standarde të reja, por qëndrueshmëria e tyre në vitet e fundit është varur pjesërisht nga thellimi i koordinimit institucional, forcimi i llogaridhënies dhe menaxhimi i kapaciteteve njerëzore./acqj.al