Denada Jushi
Nëse vendos të ecësh nëpër rrugët e kryeqytetit, duket sikur të gjesh shqiptarë është bërë jo e lehtë. Kjo sepse turistët vijojnë të vizitojnë Shqipërinë edhe në këto ditë të ftohta.
Por, sipas të dhënave të INSTAT, turistët, në përmbyllje të vitit që lamë pas, ndikuan jo pak në rritjen e çmimeve.
Viti 2025 e gjeti Shqipërinë në kulmin e bumit turistik të nisur që prej vitit 2021. Me mbi 12 milionë shtetas të huaj që vizituan vendin, turizmi u konfirmua si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, duke gjeneruar të ardhura, punësim dhe rritje të aktivitetit në shërbime. Por, krahas përfitimeve, fluksi i lartë i turistëve po prodhon edhe një efekt anësor: rritjen e çmimeve.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, ndonëse inflacioni i përgjithshëm në vitin 2025 mbeti relativisht i moderuar, rreth 2.2–2.3%, nën objektivin afatgjatë të Bankës së Shqipërisë prej 3%, ndikimi i turizmit ndihet ndjeshëm. Shtrenjtimi nuk është i shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë ekonominë, por është i përqendruar në sektorë të lidhur drejtpërdrejt me kërkesën turistike.
Konkretisht, në muajin dhjetor 2025, sipas INSTAT, tre grupe kryesore të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin turistik, si qira, ujë dhe energji, kontribuuan me rreth 54% të rritjes së çmimeve, në një kohë kur inflacioni vjetor ishte 2.2%.
Qiratë vijojnë të mbeten problem. Një nga pasojat më të ndjeshme të bumit turistik është shtrenjtimi i tyre. Gjatë vitit 2025, qiratë u rritën mesatarisht me 4.5%, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit ritmi u përshpejtua ndjeshëm, duke arritur kulmin prej 8% në dhjetor. Kjo ndodh sepse një pjesë e konsiderueshme e banesave jepen me qira afatshkurtër përmes platformave si Airbnb për turistët.
Sipas agjencive imobiliare, çmimet e qirave për apartamente 1+1 në zonat më të kërkuara të Tiranës kanë arritur deri në 900 euro në muaj. Ndërkohë, vetëm brenda një viti, rritja e çmimeve në tregun rezidencial ka varuar nga 6% deri në 57%. Për familjet dhe të rinjtë vendas, kjo situatë po e kthen strehimin në një barrë gjithnjë e më të rëndë ekonomike. (referuar artikullit të Sinjalizo mbi qiratë)
Një tjetër tregues është transporti. Edhe shërbimet e transportit u rritën me 3.9%, duke treguar se kërkesa turistike po rrit koston e shërbimeve të përditshme.
Natyrisht, turizmi ka sjellë përfitime të rëndësishme për ekonominë, por për qytetarët këto përfitime po shoqërohen me një shtrenjtim të kostove të jetesës, duke ia shtuar barrën familjeve dhe banorëve vendas.
Por si e kanë zgjidhur këtë problem qytetet turistike europiane?
Eksperienca e tyre tregon se ky fenomen nuk është unik për Shqipërinë. Qytete si Barcelona, Lisbona apo Amsterdami janë përballur me të njëjtin problem dhe kanë ndërhyrë përmes kufizimit të qirave afatshkurtra, taksimit të pronave turistike dhe investimeve në banesa sociale, duke ndihmuar kështu qytetarët e tyre.
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se turizmi po bëhet një faktor kryesor në ekonominë shqiptare. Kjo do të thotë se, përveç përfitimeve, do të kemi edhe sfida për t’u menaxhuar, duke balancuar politikat në mënyrë që të mos frenohet turizmi, por njëkohësisht të mos u shtohen barra edhe më të rënda qytetarëve të vendit./acqj.al