Shiu paralizon qytete të ndryshme të vendit

Mjaftuan 24 orë shi që qytete të tëra të paralizoheshin. Rrugë të përmbytura, shkolla të mbyllura, evakuime dhe dëme të shumta nxorën edhe një herë në pah një realitet të njohur: mungesën e planifikimit, parandalimit dhe reagimit institucional përballë motit ekstrem.

Denada Jushi

Kanë mjaftuar 24 orë shi në vend, që qytetet kryesore të përballen me përmbytje masive. Tirana, Durrësi, Lezha dhe Vlora paraditen e sotme janë paralizuar nga reshjet e shumta.

Më problematike ka qenë situata në autostradën Tiranë-Durrës. Që në orët e para u lajmërua nga Policia e Shtetit se është përmbytur një pjesë e aksit të rrugës interurbane Tiranë-Durrës, konkretisht në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit. Më pas edhe gjatë segmentit kryesor të këtij aksi.

Këto devijime, por edhe grumbullimi i makinave, shkaktuan trafik prej më shumë se dy orësh për qytetarët.

E njëjta situatë paraqitet në Durrës, por bllokimi ka qenë edhe më i madh, duke sjellë që, për shkak të përmbytjeve dhe pamundësisë së lëvizjes së prindërve, fëmijëve dhe nxënësve, autoritetet vendore kanë vendosur pezullimin e procesit mësimor.

Mësimi është ndërprerë në të gjitha shkollat e qytetit, si dhe në disa çerdhe dhe kopshte, konkretisht në: Kopshtin “Sotir Noka”, Kopshtin “Met Hasa”, Çerdhen nr. 1, Konviktin “Beqir Çela”, Kopshtin “Neim Babameto”, Kopshtin “Durrësi i Ri” dhe Kopshtin “Fidanishtja”.

Situata mbetet problematike në kodrën e Currilave, ku janë konstatuar rrëshqitje dheu, ndërsa disa akse rrugore në lagjet 12, 13, 14, 17 dhe 18 janë bërë të pakalueshme. Bllokime të qarkullimit raportohen edhe nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve drejt Durrësit të Ri.

Situata në fshatra është edhe më alarmante. Në njësinë administrative Rrashbull, si dhe në Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, kanë sjellë nevojën e evakuimit.

Mësohet se deri më tani janë evakuuar 10 familje, me nga 3~4 anëtarë secila. Familjet janë sistemuar pranë Kovalishencës.

Problemet e përmbytjes kanë prekur edhe Lezhën. Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë sjellë problematika në disa zona të Lezhës. Më problematike paraqitet situata në lagjen “Besëlidhja”, si edhe në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arritur disa centimetra.

Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, tha se po monitorohet me kujdes situata; ende nuk është shpallur situata emergjente, por ka zona që janë në probleme. Rreth 450 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur si pasojë e reshjeve, ndërsa deri tani nuk raportohet për banesa të përmbytura.

Situata në Gjirokastër paraqitet kritike ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të shumta në disa zona të qytetit. Përroi i Ficos ka dalë nga shtrati, duke vërshuar në rrugë, banesa dhe biznese, ndërsa ujërat e rrëmbyeshëm kanë marrë përpara edhe automjete të parkuara. Lagjja Varrosh është ndër më të goditurat, ku një automjet u tërhoq nga rrjedha e përroit pranë zonës muzeale, shumë afër banesës së shkrimtarit Ismail Kadare.

Përmbytje të rënda janë regjistruar edhe në lagjen “18 Shtatori”, ku rreth 50 biznese dhe disa banesa janë përfshirë nga uji. Situata është përkeqësuar nga dalja nga shtrati e përroit të Çullos dhe e përrenjve të tjerë malorë, si dhe nga vërshimi i liqenit të Viroit, që ka bllokuar aksin Gjirokastër–Tepelenë. Gjysma e qytetit ka mbetur për disa orë pa energji elektrike, ndërsa dëmet materiale raportohen të konsiderueshme.

Qendra e Vlorës vijon të përmbytet sa herë ka reshje. Qendra kryesore, lagjja Muradie, është mbushur nga shiu dhe balta në pak minuta.roblematikat në Vlorë me përmbytjet janë thelluar pas ndërtimit të shesheve urbane, sfidë që nuk po gjen zgjidhje prej disa vitesh.

Shiu dhe dëbora janë problematikë e shfaqur që në nisje të këtij viti; pak orë mjaftuan që dëbora e parë të bllokonte akse e fshatra të tjerë. Dhjetëra turistë e vizitorë u bllokuan në veri të vendit.

Po ashtu në Qafë-Thanë dhe Pogradec, ku reshjet e pakta të dëborës krijuan trafik e aksidente.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kryeministri Rama ironizoi opozitën, duke thënë se ende nuk e kanë fajësuar për përmbytjet në Itali, Greqi, Mal të Zi apo Kroaci, ndryshe nga opozitat në ato vende.

Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes Vëngu deri më tani në media ka shfaqur vetëm resume të situatës kritike në qytete të ndryshme, pa shpalosur masat paraprake të mara nga shteti apo ato pasuese, për minimizimin e pasojave afatgjata për qytetarët e prekur.

Shqipëria është e bekuar nga moti, ku afro 300 ditë i ka me diell, por mjaftojnë pak ditë në dimër që situata të dalë jashtë kontrollit, duke nxjerrë në pah edhe një herë se as nuk planifikojmë e as nuk parandalojmë. Mjafton pak shi dhe përmbytemi./acqj.al