Ida Ismalaj
Në shoqërinë shqiptare, seksualiteti i personave me aftësi të kufizuara mbetet një temë tabu, e mbuluar nga mite dhe paragjykime. Shumë njerëz e shohin aftësinë e kufizuar vetëm si çështje shëndeti, duke harruar se edhe ata që përballen me barriera fizike apo mendore dhe kanë të njëjtën nevojë për dashuri, afërsi dhe pranim. Për të sfiduar këto tabu, Fondacioni “Së Bashku”, në bashkëpunim me UNFPA kanë hartuar manualin “Mite dhe fakte për seksualitetin dhe aftësinë e kufizuar”, që synon të rrëzojë mitet që kanë izoluar për dekada një komunitet të tërë dhe të afirmojë të drejtën e këtyre personave për dashuri, ndjenja dhe intimitet.
“Është një temë që në Shqipëri trajtohet shumë pak. Si grup i margjinalizuar, personat me aftësi të kufizuara duhet të përfshihen në kuadrin e plotë të të drejtave të njeriut, me politika dhe legjislacion të qartë e gjithëpërfshirës” thotë Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”.
Ndërsa Dorina Toçaj, nga zyra shqiptare e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues (UNFPA) shprehet se stigma është aq e përhapur, saqë shfaqet edhe tek profesionistët e shëndetësisë dhe të fushave të tjera, duke shtuar barrierat në marrjen e shërbimeve të përsonave me aftësi të kufizuara.
“Këto mite dhe paragjykime rrisin izolimin dhe ndikojnë në vetëvlerësimin e personave me aftësi të kufizuara. Mungesa e aksesit në informacion e shërbime i bën ata më të pambrojtur dhe më të rrezikuar ndaj abuzimeve,” nënvizon Toçaj.
Në këtë sfond paragjykimesh, historia e Kristjana Lee, juristes shqiptare të martuar me Teon nga Koreja, me të cilin ka edhe një djalë është një dëshmi e gjallë se dashuria nuk njeh kufij.
“Paragjykimet kanë qenë të shumta, të tipit se pse një person ‘i shëndetshëm’ duhet të lidhej me dikë me aftësi të kufizuara. Ishin thuajse të gjithë kundër, por dashuria triumfoi. Dhe këmbëngulja e të dyve për ta vazhduar këtë lidhje, pavarësisht opinioneve të të tjerëve,” tregon Kristjana.
Manuali sjell 15 mite të zakonshme, përballë të vërtetave që i rrëzojnë ato një e nga një. Disa prej tyre janë:
Miti: Personat me aftësi të kufizuara nuk kanë dëshira seksuale.
Fakti: Si çdo njeri, ata kanë ndjesi, dëshira dhe aftësi për intimitet.
Miti: Ata nuk mund të krijojnë marrëdhënie apo të martohen.
Fakti: Ata dashurojnë, martohen dhe ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme e të lumtura.
Miti: Personat me aftësi të kufizuara nuk mund të jenë prindër të mirë.
Fakti: Të qenurit prind i mirë nuk varet nga aftësia fizike, por nga dashuria dhe përgjegjësia.
Miti: Nuk kanë nevojë për edukim seksual.
Fakti: Mungesa e edukimit seksual i bën më të ekspozuar ndaj abuzimit dhe shtatzënive të padëshiruara.
Në fund të ditës, të qenurit me aftësi të kufizuara nuk e bën askënd më pak të dëshirueshëm apo më pak njeri. Rrëzimi i miteve është hapi i parë për të ndërtuar një shoqëri me drejta të barabarta dhe pa paragjykime. /acqj.al