Kur fjalët kthehen në dhunë: Raporti që tregon gjuhën e urrejtjes në Shqipëri

Në një vend ku fjala shpesh kthehet në armë, raporti më i fundit për gjuhën e urrejtjes në Shqipëri zbulon një realitet të rrezikshëm: seksizmi, sulmet ndaj gazetarëve dhe gjuha polarizuese janë bërë pjesë e përditshmërisë mediatike. Nga studimi i 96 incidenteve del qartë se gjuha e urrejtjes nuk vjen vetëm nga politika, por shpesh amplifikohet nga vetë mediat. Një pasqyrë alarmuese mbi mënyrën si komunikojmë dhe si e kuptojmë “lirinë e shprehjes”.

Deanda Jushi

Më 20 tetor u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë “Në mbrojtje të lirisë së fjalës: përballja me gjuhën dhe diskursin e urrejtjes në peizazhin mediatik shqiptar; Raport 2024”. 

Takimi kishte në fokus prezantimin e raportit mbi lirinë e fjalës dhe gjuhën e urrejtjes në media në Shqipëri, për periudhën janar 2024 – qershor 2025, dhe u organizua me pjesëmarrjen e gazetarëve, politikanëve dhe ekspertëve të medias dhe të drejtave të njeriut.

Gjetjet kryesore të raportit u prezantuan nga Dorentina Hysa, e cila theksoi rëndësinë e monitorimit të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në media. Ajo u shpreh se “Ky raport pasqyron situatën e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në mjedisin mediatik shqiptar përmes analizës së përhapjes, formave, ngjarjeve nxitëse dhe ashpërsisë së kësaj gjuhe, bazuar në incidentet e raportuara dhe të mbledhura përmes raportimit mediatik.”

Për përgatitjen e raportit u analizuan 96 incidente. Nga këto, më të shpeshtat ishin ato me bazë gjinore (40.6%), incidentet ndaj gazetarëve (12.5%) dhe ndaj kundërshtarëve politikë (12.5%). Hysa vuri në dukje se dhuna me bazë gjinore vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese, ndërsa sulmet ndaj gazetarëve mbeten të përhapura dhe të pranishme në mënyrë të vazhdueshme.

Studimi nxjerr në pah se raportimi mbi dhunën me bazë gjinore dhe shfrytëzimin seksual, nuk përmbahet gjithmonë në kornizën e raportimit profesional, por përdoret shpesh në mënyrë sensacionaliste për të tërhequr klikime. Fajësimi i viktimës dhe gjuha seksiste janë të normalizuara në diskursin publik, veçanërisht ndaj grave në politikë, duke minuar ndërgjegjësimin qytetar dhe barazinë gjinore.

Jorida Tabaku, pjesëmarrëse në tryezë dhe një nga politikanet e përmendura në raport, ndau përvojën e saj personale.

“Gazetarët përballen me sulme çdo ditë. Problemi më i madh është kur sulmet vijnë nga politikanët drejt gazetarëve. Është shqetësuese edhe kur vijnë nga politikanet ndaj kolegeve. Unë kam frikë kur fëmijët e mi do të fillojnë të lexojnë komentet në media. Nuk duhet të normalizohen,” u shpreh ajo.

Krahasuar me monitorimet e viteve 2022 dhe 2023, përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit me bazë gjinore ka mbetur në të njëjtat nivele, ndërsa sulmet ndaj gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë kanë shënuar rritje të konsiderueshme.

Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit është se dukshmëria e GJUD-së rritet kur riprodhohet fjalë për fjalë në titujt e lajmeve ose në rrjetet sociale, duke arritur qindra mijëra individë. Mediat e amplifikojnë thonë përgjegjeset e këtij raporti ose e injorojnë përdorimin e kësaj gjuhe, duke përforcuar polarizimin dhe ulur ndjeshëm mundësinë për llogaridhënie. Duke thënë ne një menyrë që vete media e rishpërndanë gjuhën e urrejtjes, edhe nëse nuk ja autorët parësorë.

Por Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SciDev), theksoi se nuk duhet vënë barazi mes atyre që përdorin gjuhën e urrejtjes dhe atyre që e ripostojnë, kur media saktëson se këto terma nuk duhet përdorur. Ajo dha shembuj, si rastet kur Kryeministri ka përdorur fjalë si “çyryk, autik, gjysmëburra”, të cilat janë pasqyruar nga media duke u distancuar nga përdorimi i gjuhës ofenduese.

Raporti i vitit 2025 nga Freedom House e rendit Shqipërinë si një vend “pjesërisht i lirë”, duke vënë në dukje sfidat e vazhdueshme në terrenin e pavarësisë së gjyqësorit, pluralizmit politik dhe mbrojtjen e lirive civile. Në mënyrë të ngjashme, organizata Reporterë pa Kufij e renditi vendin e 99-të në vitin 2024 dhe të 80-tën në vitin 2025 nga 180 vende, duke evidentuar presionin politik ndaj mediave, dobësitë në zbatimin e etikës profesionale nga gazetarët dhe kërcënimet në rritje ndaj gazetarëve investigativë. Monitorimi mediatik është kryer nga Albanian Women in Audiovisual (AWA). acqj.al