Ida Ismalaj
Me një njoftim që ka ndezur debate të ashpra, kryeministri Edi Rama, njoftoi mbylljen e diskutueshme të TikTok për një vit, duke përmendur shqetësime mbi ndikimin e tij te dhuna dhe bullizmi mes fëmijëve. Ky vendim, i paraqitur si reagim ndaj tragjedisë së therjes me thikë në një shkollë të Tiranës, është i dyshimtë për shkak të mungesës së konsultimeve publike dhe pretendimeve të diskutueshme për mbështetje të gjerë nga prindërit. Kritiket e shumtë sugjerojnë se ndalimi mund të ketë më shumë të bëjë me strategji politike sesa me sigurinë, ndërsa zgjedhjet e vitit 2025 afrojnë.
TikTok, një platformë që lindi nga kompania kineze ByteDance në vitin 2016 për të krijuar video, muzike të shkurtër, sinkronizim, komedi etj. shumë shpejt u kthye në burim të ardhurash, sidomos për influencerët dhe bizneset. Brenda 4 viteve, TikTok tejkaloi mbi 2 miliardë shkarkime në celularë në të gjithë botën.
TikTok platformë e “rrezikshme”, do të mbyllet për 1 vit
Kryeministri Edi Rama lajmëroi mbylljen e TikTok për 1 vit, duke e cilësuar si platformë të rrezikshme që nxit dhunë dhe bullizëm mes fëmijëve. Kjo nismë u ndërmor pas ngjarjes së rëndë të 18 nëntorit 2024, në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, ku u vra me thikë nga bashkëmoshatari Martin Cani. “Është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit, TikTok do të mbyllet plotësisht për të gjithë”-u shpreh Rama.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria: TikTok s’ka lidhje me ngjarjen te “Fan Noli”
Policia e Shtetit në përgjigje të kërkesës për informacion dërguar nga platforma “Sinjalizo” bën me dije se ngjarja mes të miturve ka patur zanafillën në TikTok, por konflikti dhe zënka mes tyre ka vijuar në rrjetin Snapchat. Duke e bërë platformën Snapchat përgjegjëse të situatës. “Nuk ka lidhje TikTok”-thotë për “Sinjalizo” zëdhënësi i Policisë së Shtetit Gentian Mullai.
Prokuroria e Përgjithshme: Asnjë rast me pasojë nga TikTok
Sa i takon rasteve në organet e drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme deklaron se pranë këtij institucioni nuk ka patur asnjë rast të referuar, me pasoja nga TikTok apo Snapchat.
Rama shumë aktiv në Facebook, krahasuar me Instagram apo TikTok
Në platformën Facebook, kryeministri Edi Rama ka 1.6 milionë ndjekës dhe është aktiv cdo ditë, përmws 3-4 postimeve, qofshin të takimeve të tij brenda dhe jashtë vendit, promovimit të destinacioneve turistike, të aktiviteteve të kabinetit të tij qeveritar, por edhe të fushatave zgjedhore. Shpesh, Rama këtë platformë e përdor edhe për të zhvilluar bashkëbisedim me qytetarët, përmes pyetjeve që ata ia adresojnë në Facebook.


Në platformën Instagram, kryeministri Edi Rama ka 609 mijë ndjekës, poston foto dhe video, por nuk është aq aktiv sa në Facebook.


Ndërsa në platformën TikTok, të cilën Rama kërkon ta mbyllë, numëron shumë më pak ndjekës (138.2 mijë) krahasuar me Facebook dhe Instagram. Në këtë platformë, Rama nuk është aq aktiv sa në rrjetet e tjera sociale dhe postimi i fundit i tij në TikTok është bërë në 18 nëntor 2024, ditë edhe kur ndodhi ngjarja e rëndë që u vra me thikë i mituri Martin Cani. Mesa duket fokusi i Ramës në rrjetet sociale është përqëndruar më shumë në platformën Facebook.

Rama merr vendimin vetë, pa dëgjesa publike
Vendimi për mbylljen e TikTok përkohësisht për kryeministrin Edi Rama erdhi si një kërkesë e vetë prindërve, gjatë takimeve me ta. Rama tha se janë zhvilluar 1300 takime, me pjesëmarrjen e 65 mijë prindërve dhe ishte kërkesë e mbi 90% të tyre për mbylljen e kësaj platforme në Shqipëri.

TikTok, propaganda e konsultimeve në shkolla
8 ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në shkollën “Fan Noli” ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu bashkë me kryeministrin Edi Rama nisën një tur të gjerë këshillimi me komunitetin e prindërve, që sipas tyre do shërbejë në forcimin e mekanizmave për parandalimin e akteve të dhunës në shkolla dhe ndikimin e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.
Në harkun kohor prej 2 javësh janë zhvilluar vetëm 5 takime në shkolla.
2 takime u zhvilluan përgjatë nëntorit, përkatësisht në 26 nëntor në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë dhe në 30 nëntor në shkollën “Janaq Kilica” në Fier.
Ndërsa 3 takime u zhvilluan në dhjetor: Në 2 dhjetor në shkollën “Kosova” në Tiranë, në 5 dhjetor në shkollën “Halit Coka” në Kamëz dhe në 11 dhjetor në shkollën “Asim Vokshi” në Tiranë.
Në datë 11 dhjetor, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu deklaroi se janë zhvilluar 600 takime e konsultime me prindër. 10 ditë më vonë, pa zhvilluar asnjë takim, kjo lehtësisht e verifikueshme, pasi nuk është bërë asnjë postim në rrjetet e tyre sociale, siç ndodhte më parë, vetë ministrja shpalosi Planin e Ri të Veprimit, ku tha se janë realizuar 1300 konsultime, në të gjitha shkollat e vendit.
Në 25 ditë pretendohet se janë kryer 1300 takime
Nga data 26 nëntor deri në 21 dhjetor, pra për 25 ditë, Manastirliu pretendon se ka kryer 1300 takime me prindër. Nga një kalkulim i thjeshtë del se janë zhvilluar 52 takime në ditë. Kjo e pamundur fizikisht, por edhe pa asnjë proces verbal, perveç videove propagandistike të 5 takimeve.
Edhe kompania kineze kundër vendimit të Ramës
Në një reagim për “Associated Press” kompania kineze thotë se nuk ka gjetur prova që autori ose viktima e sherrit para shkollës “Fan Noli” të kishin llogari në platformën e TikTok dhe se raportimet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë tragjedi ishin postuar në një platformë tjetër.
Mbi 1.5 milionë shqiptarë preken nga mbyllja e TikTok, influencuesit kalojnë në Clapper
Mbyllja e rrjetit social Tik-Tok do të prekë 1 milionë e gjysmë shqiptarë. Sipas faqes World Population Review, kaq është numri i llogarive që kjo platformë ka në Shqipëri. Pas njoftimit për mbylljen e TikTok, personazhet e rrjeteve sociale kanë kaluar në një platformë të ngjashme, të quajtur Clapper. Kjo platformë u krijua në Amerikë në vitin 2020 dhe është konsideruar ndryshe si “TikTok për të rriturit”. Edhe në këtë platformë, përdoruesit mund të fitojnë para përmes suksesit të tyre në video të ndjekura apo lojëra të ndryshme. As këtu nuk ka filtra dhe kufizime. Çfarë ngre shqetësimin, se risqet që vinin nga Tik-Tok, mund të jenë edhe në Clapper.
Eksperti i IT: Mbyllja e TikTok, ka ndikim në të ardhurat marramëndëse
Eksperti i IT Edmond Liçaj shprehet se ky vendim ka më tepër ngjyrim politik, ku synohet të ketë kushtëzime dhe kërkesë llogarie ndaj platformës. Liçaj nënvizon se shtete të tjera si Australia apo vende të Bashkimit Europian, disa vende në Azi e kanë kufizuar këtë platformë, por nuk e kanë mbyllur. Liçaj tha: Ka ndikim në të ardhurat marramendëse, ndërsa Clapper nuk ka lidhje me algoritmin e TikTok dhe me popullaritetin që ka.
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi: Mbyllja e TikTok, masë në periudhë zgjedhore
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi nuk e sheh si zgjidhje mbylljen e TikTok për “edukimin” e fëmijëve apo të rinjve, por më shumë si masë në aspektin zgjedhor. Preçi shprehet: Vendi ka hyrë në një proces zgjedhor për zgjedhjet e majit 2025 dhe ky hap mund të zvogëlojë edhe ndërveprimin e politikanëve me votuesit. Kjo masë i ngjan edhe një pozicionimi të qeverisë dhe zotit Rama në përputhje me qëndrimin e njohur të Presidentit Trump për këtë çështje, që do të thotë se nuk duhet anashkaluar konteksti ndërkombëtar.
Bizneset online: Ndikimi i mbylljes së TikTok në shitje
Ndërkohë po qarkullojnë analiza të ndryshme për ndikimin ekonomik që mund të sjellë ky ndalim, duke qenë se shumë biznese të vogla, shumë tregtarë përdorin platformën për të shitur produkteve. Një vajzë e cila merret me biznesin e luleve dhe ka llogari në TikTok shprehet se do ta mbajë aktiv këtë platformë, duke blerë një numër jashtë Shqipërie. “Mbyllja e TikTok ndikon në biznesin tim”-shprehet 28-vjeçarja, pasi shumë porosi marrim pas reklamimit që ne bëjmë në platformën TikTok.
Edhe 38-vjeçari me inicialet I.K. që është aktiv prej 3 vitesh në TikTok dhe në 2 llogaritë e tij numëron rreth 60 mijë ndjekës aktiv shprehet kundër mbylljes së TikTok. Ai tha: “Përmes videove përpiqem të krijoj materiale informuese dhe argëtuese. Jam kundër mbylljes së TikTok dhe të gjitha platformave të tjera online, pasi e vendos vetë audienca se çfarë do të zgjedhë të shohë, ashtu siç bën për tv dhe radion. Mbyllja më ndikon edhe në aspektin financiar, pasi gjatë këtyre viteve kam patur bashkëpunime me biznese për promovimin e produkteve të tyre”.
Qytetarët për mbylljen e TikTok
Një qytetar propozon edukimin si zgjidhje:
“Le të mbyllet platforma TikTok, po ndikon shumë tek adoleshentët. Duhen riedukuar edhe njerëzit, në platformat online po përdoret gjuhë denigruese”.
Ndërsa adoleshentë janë kundër mbylljes së TikTok: “Jo, nuk ka pse të mbyllet, kalojmë kohë në internet dhe na bën të lumtur”.
AMA bashkëpunim me TikTok, për materialet e dëmshme
Autoriteti i Mediave Audiovizive bën të ditur për “Sinjalizo” se nga bashkëpunimi me TikTok, përgjatë vitit 2024 ka patur 291 raportime për përmbajtje të dëmshme dhe 286 prej tyre janë hequr.
Sa i përket vendimit për mbylljen e përkohshme të TikTok, Autoriteti i Mediave Audiovizive deklaron se nuk ka një marrëveshje të nënshkruar me Tik-Tok, por vetëm bashkëpunim,
Pasqyrimi i lajmit të mbylljes së TikTok në mediat ndërkombëtare
Lajmi per mbylljen e TIkTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat ndërkombëtare. Duke theksuar si shkak vrasjen e 14-vjeçarit në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, media si Corriere della Serra, La Repubblica, The Guardian, Reuters, Bloomberg, TRT, mediat serbe e greke kanë përcjellë për publikun e tyre vendimin e marrë nga qeveria shqiptare dhe të lajmëruar nga kryeministri Edi Rama.
“Masa u mor si pjesë e një programi të ri kombëtar të sigurisë për fëmijët në shkolla”,- shkruajnë mediat e huaja.
Rama në Davos me përfaqësues të TikTok, nuk tërhiqet nga vendimi
Gjatë një takimi në Forumin Ekonomik në Davos, me Christine Grahn, përfaqësuese e TikTok për Europën, Rama u shpreh se ka bashkëpunim për muajt në vijim për të siguruar rihapjen e TikTok, në një kohë të arsyeshme dhe pasi janë marrë të gjitha garancitë.
Vendet që kanë ndaluar TikTok
Ndryshe nga vendet si SHBA, Kanada dhe Australi, të cilat kanë ndaluar TikTok vetëm për zyrtarët shtetërorë, Shqipëria ka marrë këtë hap për të parandaluar “përhapjen e dhunës dhe ndikimeve negative kulturore”.
Gjithsej sot janë rreth 20 shtete që e kanë ndaluar TikTok. India hodhi hapin në vitin 2020, nga frika e ndërhyrjeve të mundshme kineze në jetën politike kombëtare, e pasuar nga Nepali, Australia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar etj.