Denada Jushi
16 Korrik 2025: Teksa përshkron rrugën për në rivierën shqiptare, një shtullungë re gri ngrihet mbi kurorat e bukura të Dukatit.
Era e ngrohtë përhap aromën e barit dhe pemëve të djegura, ndërsa tymi mbulon qiellin, duke e zbehur diellin e fortë të korrikut.
Një pamje e zakonshme. Zjarret në pyje nuk janë më lajm vere, por një krizë e përsëritur që po shndërrohet në rrezik të përhershëm. Viti që lamë pas, 2024 shënoi dhe vitin me rekordet më të medha sa i takon zjarreve.
Por pas flakëve fshihen histori më të rënda se sa vetë pamja!
Hapësira që mbeten bjerrë, më pak oksigjen, humbje të mëdha ekonomike, komunitete që këto siperfaqe i përdornin për kullotat, tanimë toka është më e varfëruar dhe lë pas një dëm ekologjik që do të ndihet për dekada. Ky është realiteti i një vendi që digjet çdo verë, ndërsa ndërgjegja publike fle dhe institucionet heshtin
Për gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, vendi është përballurme qindra vatra zjarri që kanë përfshirë pyje dhe kullota.
Në raportin më të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, qarqet më të goditura janë Vlora, Lezha dhe Shkodra.
Në 2024 vatrat ishin më shumë pyjore, ndërsa këtë vit vatrat e zjarreve kanë qënë fare pranë zonave të banuara.
Ministria e mbrojtjes thotë për Sinjalizo se 2024 ishte ndër më sfiduesit në dekadën e fundit, me një sipërfaqe shumë më të madhe të prekur nga flakët dhe me një numër të konsiderueshëm vatrash, të evidentuara në të gjithë territorin.
Shkaqet: Rastësi, pakujdesi apo qëllim?
Për ekspertin Abdulla Diku këto vatra zjarri janë rezultat i një ndërthurjeje të faktorëve mjedisorë dhe njerëzorë, që shpesh përforcojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e flakëve.
Në shumicën e rasteve, zjarret në pyje shkaktohen nga aktiviteti njerëzor qoftë nga pakujdesia apo qoftë nga qëllime të errëta si pastrimi i tokave për bujqesi ose kullota. Zjarrvëniet e qëllimshme janë një plagë, e cila shoqërohet me mungesën e ndëshkimeve dhe kontrollit të efektshëm. Në disa raste me kalimin e kohës shfaqen edhe ndërtime në zona të djegura.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore Prof.Dr. Elvin Toromani thorë se ndonëse ligji parashikon gjoba dhe masa penale për zjarrvëniet, në praktikë shumë pak raste ndëshkohen.
Kur flasim për dëmin nga zjarret, zakonisht flasim për sipërfaqe dhe vlerën e lëndës drusore. Por në të vërtetë, pas çdo hektari të djegur, humbasim një zinxhir të tërë funksionesh ekologjike, ekonomike dhe sociale.
Pyjet përbëjnë mbi 36% të territorit të vendit. Ato janë “mushkëritë” e vendit, depo të oksigjenit, mbrojtëse kundër erozionit dhe burim i rëndësishëm i biodiversitetit. Por shoqëria ende duket e paditur sa i takon rëndesisë së pyjeve.
Në shumë raste, sipërfaqet e djegura nuk arrijnë të rikuperohen natyrshëm dhe kthehen në toka të zhveshura, që më pas rrezikohen nga erozioni. Ky proces degradon edhe burimet ujore, duke ulur kapacitetin e pyjeve për të filtruar ujin dhe mbrojtur tokën nga rrëshqitjet thonë ekspertet.
Një tjetër dëm që sjellin këto zjarre, janë dëmet klimatike. Sipas vlerësimeve të fundit, çdo hektar pyll i djegur liron në atmosferë rreth 200–250 ton CO₂. Shqipëria, edhe pse vend i vogël, kontribuon në rritjen e ndotjes globale përmes këtyre zjarreve.
Në analizat ekonomike të dëmit shpesh përmendet vetëm vlera e druve të djegura. Por siç shpjegon Prof. Dr. Elvin Toromani, kostoja reale përfshin shumë më tepër: Humbjen e biodiversitetit: afërsisht 66% e dëmit total, humbjen e funksionit mbrojtës hidrogjeologjik (kundër erozionit dhe rrëshqitjeve): 18%, humbjen e prodhimeve të tjera pyjore (fruta, kërpudha, mjaltë, rrëshirë): 4%, humbjen e lëndës drusore: vetëm 12%. Një hektar pyll i djegur në Shqipëri dëmton ekonominë me rreth 9,237 euro, Kostoja e shuarjes së një zjarri, sipas të dhënave nga ndërhyrjet konkrete, arrin në 3,500 euro/ha, pa përfshirë dëmet afatgjata.
Fatura e padukshme
Në zonat rurale, pyjet nuk janë thjesht mjedis natyror por janë burimi i jetesës. Shumë familje mbledhin ende dru për ngrohje, fruta pylli, barishte mjekësore, kërpudha apo mjaltë. Për blegtorët, kullotat pyjore janë baza e verës.
Një zjarr i rënë pas shuarjes së tij lë shumë pasoja.
Në Shqipëri, fjala “ripyllëzim” shpesh përdoret si premtim politik. Por në terren, situata është ndryshe.
Në pyje rikuperimi për përdorim dru zjarri kërkon 15–25 vjet, ndërsa për prodhimet e tjera pyjore 5–15 vjet. Për pyjet halore si pisha, bredhi, koha e rikuperimit është edhe më e gjatë: 30–60 vjet për dru ndërtimi dhe 10–20 vjet për produkte si rrëshira apo boçat.
Në zonat e djegura nuk kryhet asnjë ndërhyrje ripyllëzimi. Në shumë raste, rigjenerimi natyral dështon për shkak të erozionit ose dëmeve të shumta të tokës. Në vend të pyllit të dikurshëm, lindin shkurre ose sipërfaqe të zhveshura, që mbeten të ekspozuara ndaj rrezikut të zjarreve të reja.
Pse Shqipëria digjet më shumë?
Statistikat janë të pamëshirshme. Sipas të dhënave të Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), Shqipëria ka humbur mesatarisht 1.56% të sipërfaqes së pyjeve në periudhën 2010–2023. Në krahasim, Greqia humbet 0.57%, Italia 0.72%, ndërsa Portugalia, më e prekura në Europë, arrin në 3.27%.
Arsyet janë të shumta.
Pyjet shqiptare nuk pastrohen rregullisht nga degët e thata dhe mbeturinat, të cilat shërbejnë si “karburant” për zjarrin. Më pas bie në sy mungesa e planeve parandaluese, nuk ka një strategji kombëtare me masa konkrete për menaxhimin e rrezikut nga zjarret.
Mosinteresimi i bashkive: Shpesh bashkitë nuk e konsiderojnë mbrojtjen e pyjeve si prioritet, duke mos përdorur as fondet minimale që u jep ligji (deri 4% të buxhetit).
Megjithatë ministria e Mbrojtjes thotë se në përputhje me mandatin e saj ligjor, AKMC ushtron autoritet koordinues, bashkërendues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe punon për parandalimin, një përgjigje efektive si dhe rimëkëmbjen, nëpërmjet një sistemi të integruar dhe efikas të mbrojtjes civile. Por pyetja që mbetet është: a mjafton?
Shqipëria nuk ka një strategji afatgjatë për rehabilitimin pas zjarreve. Ndërhyrjet aktuale janë emergjente dhe të fragmentuara, shpesh të mbështetura nga projekte të donatorëve ndërkombëtarë. Plani i menaxhimit të pyjeve, edhe kur ekziston në letër, nuk zbatohet.
Ligji nr. 45/2019 i emergjencave civile detyron bashkitë të përdorin deri në 4% të buxhetit të tyre për parandalim dhe rehabilitim. Por në praktikë, këto fonde janë të papërdorura ose shkojnë në ndërhyrje minimale, si pastrim rrugësh ose shuarje emergjente.
Çfarë mund (dhe duhet) të bëjmë?
Prof. Dr. Elvin Toromani, ngre shqetësimin që nëse nuk veprohet tani, humbja e funksioneve të pyjeve do të ketë pasoja afatgjata jo vetëm mjedisore, por edhe ekonomike dhe sociale për vendin. Nevojitet një qasje transformuese, ku pyjet të trajtohen si kapital natyror kritik, jo si burim i shfrytëzueshëm vetëm në kohë nevoje.
Nga ana tjetër Abdulla Diku thote se Shqipëria ka nevojë për një strategji të integruar, që përfshin:
Parandalimin (trajtime silvikulturore, pastrim nënpylli).
Monitorimin me teknologji të avancuar (dronë, satelitë).
Si dhe zbatimin e masave të rrepta ndëshkimore për zjarrvënësit.
Por nga ajo që duket nga terreni dhe bisedave që kemi bërë me banorë të Ranës së Hedhun që vjet u perfshi ne zjarre masive kuptojme se komunitetet duhet të kthehen në roje të pyjeve.
Arbeni thotë se ai tanime çdo ditë ëahtë vigjilent se mos sheh vatra të vogla zjarri dhe menjehere kerkon ndihme, nuk dua të perjetoj ferrin e vjetshem shprehet ai.
Banorët mund të kenë një rol aktiv në ruajtjen e pyjeve.
Një fushatë kombëtare për rëndësinë e pyjeve dhe dëmet nga zjarret duhet të nisë çdo sezon që afron i nxehti. Edukimi duhet të nisë në shkolla dhe të përfshijë të gjitha grupmoshat.
Shqipëria ka humbur në dekadat e fundit mijëra hektarë pyje, një pjesë e të cilëve mund të mos rikthehen kurrë. Pas çdo zjarri mbeten jo vetëm trungje të djegur, por edhe fshatra të braktisur, ekonomi të dobësuar dhe një natyrë që na kthen shpinën.
Nëse nuk veprojmë tani, nuk do të kemi më pyje për të mbrojtur, por as komunitete që t’i ruajnë. Do të kemi thjesht male të zeza dhe fshatra fantazmë, ku tymi do të kujtojë jo vetëm drurët e humbur, por edhe shanset që i dogjëm vetë.
A është gati Shqipëria ta kuptojë rëndësinë e kësaj çështje?