Riintegrimi i personave të dënuar në Shqipëri: Një realitet përtej fasadës

Burgjet nuk po rehabilitojnë, po riciklojnë problemin. Me programe të dobëta, mungesë fondesh për riintegrim dhe zero mbështetje pas lirimit, shumë të dënuar dalin më të papërgatitur se kur hynë.

Ida Ismalaj

Trajtimi, rehabilitimi dhe riintegrimi i personave të dënuar përbën një komponent themelor të sistemit të drejtësisë penale, me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë publike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm social. Qëllimi i dënimit me heqje lirie, sipas standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit kombëtar nuk është vetëm izolimi i individit nga shoqëria, por nxitja e ndryshimit pozitiv të sjelljes dhe përgatitja e të dënuarit për t’u riintegruar si qytetar aktiv pas përfundimit të dënimit.

Në thelb, sistemi penitenciar nuk duhet të jetë thjesht një hapësirë izolimi, por një mundësi për ndryshim. Por, në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH),  realiteti shqiptar tregon një histori tjetër. Burgjet vazhdojnë të funksionojnë kryesisht si struktura ruajtjeje, ku aspekti transformues mbetet i dobët dhe shpesh formal.

Programet edukative, profesionale dhe psikosociale ekzistojnë, por janë të kufizuara në shtrirje dhe shpesh të shkëputura nga realiteti ekonomik. Kjo do të thotë se shumë të dënuar dalin nga burgu pa aftësitë minimale për të ndërtuar një jetë të re.

Një nga problemet më të mëdha lidhet me mënyrën si përdoren fondet publike. Në raport nënvizohet se edhe pse buxheti i sistemit të burgjeve ka pasur ndryshime gjatë viteve, mungon një fokus i qartë në rehabilitim dhe riintegrim. Investimet janë përqendruar kryesisht në siguri, automjete dhe pajisje, ndërsa aspektet që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe zhvillimin e të dënuarve janë lënë pas.

Infrastruktura në disa institucione është e amortizuar dhe në raste të caktuara, problematike për një trajtim dinjitoz. Mungesa e investimeve në arsim, formim profesional dhe ambiente sociale e bën edhe më të vështirë përmbushjen e misionit rehabilitues.

Një tjetër element shqetësues është numri i lartë i të paraburgosurve, që përbëjnë mbi gjysmën e popullsisë në burgje në disa vite. Kjo situatë krijon mbipopullim dhe e rëndon ndjeshëm funksionimin e institucioneve.

Përtej shifrave, më pak hapësirë, më pak burime dhe më pak mundësi për trajtim individual. Në këto kushte, rehabilitimi kthehet në një objektiv të vështirë për t’u arritur.

Bashkëpunimi mbetet në letër

Riintegrimi nuk mund të realizohet nga një institucion i vetëm. Ai kërkon koordinim mes shumë aktorëve: Drejtësisë, punësimit, arsimit dhe pushtetit vendor. Megjithatë, auditimi tregon se ky bashkëpunim është shpesh formal dhe jo efektiv.

Një nga dështimet më të dukshme është mungesa e përfshirjes së ish-të dënuarve në programet e punësimit. Ata nuk trajtohen si kategori e veçantë dhe shpesh nuk regjistrohen fare si përfitues të shërbimeve të punësimit. Ligjet aktuale nuk i detyrojnë njësitë vendore të krijojnë programe specifike për ish-të dënuarit. Si pasojë, bashkitë nuk kanë struktura për riintegrim, mungojnë programet sociale post-penale dhe nuk ka mbështetje pas daljes nga burgu.

Kjo krijon një vakum të rrezikshëm: Individi del nga burgu pa mbështetje, pa punë dhe shpesh pa një rrjet social funksional, duke rritur ndjeshëm rrezikun e rikthimit në kriminalitet.

Auditimi nxjerr në pah edhe probleme serioze administrative: Dosje psikosociale të paplota, regjistra punësimi formalë dhe jo funksionalë, si dhe  mungesë të dhënash mbi progresin e të dënuarve. Edhe programet e formimit profesional nuk monitorohen në mënyrë të vazhdueshme. Nuk ka analiza të qarta mbi efektivitetin e tyre, as lidhje me tregun real të punës.

Të gjitha këto probleme krijojnë një zinxhir të qartë: Mungesë rehabilitimi gjatë dënimit, mungesë mbështetjeje pas lirimit dhe në fund, vështirësi për integrim në shoqëri. Në këtë mënyrë, sistemi nuk arrin të thyejë ciklin, por në disa raste bëhet pjesë e tij.

Në fund, pyetja kryesore mbetet: A po i përgatit sistemi shqiptar të dënuarit për një jetë jashtë burgut? Të dhënat tregojnë se jo mjaftueshëm./acqj.al