Ida Ismalaj
Universitetet publike po përballen me një krizë të thellë besimi. Të dhënat e raportit të Qëndresës Qytetare, të mbështetura në hetime dhe perceptimet e vetë studentëve, tregojnë se korrupsioni në arsimin e lartë është kthyer në praktikë të normalizuar.
“Më shumë se 50 pedagogë dhe punonjës të universiteteve janë akuzuar për korrupsion në 4 vitet e fundit, kryesisht në Elbasan, Shkodër dhe në Universitetin Bujqësor. Të dhëna të tilla nuk gjen në rajon” thekson Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.
Sondazhi i zhvilluar me 750 studentë në 8 universitete publike e zbërthen panoramën e korrupsionit akademik:
- 89.98% e studentëve pranojnë se korrupsioni ekziston në universitetet ku studiojnë.
- 46.62% e identifikojnë si formën më të përhapur pagesën për notë.
- Shitblerja me detyrim e librave, praktikë e cila vijon prej vitesh.
- 9.61% e studentëve pranojnë se kanë paguar ryshfet personalisht.
Qiraxhi e konfirmon: “9 nga 10 studentë pranojnë ekzistencën e korrupsionit në tetë universitetet publike që kemi marrë në analizë. Është e dhënë alarmante.”
Përtej ryshfetit, problemet me cilësinë e stafit akademik shtojnë presionin mbi studentët:
- 69.84% e studentëve në Universitetin e Tiranës thonë se plagjiatura është e përhapur te pedagogët.
- 73.4% deklarojnë se brenda fakulteteve ka pedagogë që nuk e zotërojnë lëndën.
- 22.92% thonë se pedagogët nuk respektojnë oraret, një tregues i mungesës së disiplinës profesionale.
Sondazhi nxjerr në pah edhe mënyrën problematike të punësimeve akademike, ku 53.73% e studentëve besojnë se rekrutimet bëhen përmes lidhjeve personale dhe vetëm 21.37% mendojnë se punësimi bazohet në meritë.
Ish-magjistratët e shkarkuar nga Vetingu rikthehen si pedagogë
Një prej gjetjeve më të rënda lidhet me hyrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të vetingut apo shmangies së tij, të cilët janë rikthyer në jetën akademike si pedagogë në universitete publike dhe private. Qëndresa Qytetare identifikon 8 raste të tilla. Ky është një hap mbrapa sa i përket angazhimeve në kuadër të direktivave të BE-së dhe integritetit akademik.
Këshillat e Etikës, në 4 vite (2021–2025), kanë trajtuar vetëm 16 çështje në 8 universitete publike, ndërkohë 54.17% e studentëve shprehen se kanë “pak” ose “aspak” besim se në universitete trajtohen drejt rastet korruptive.
Raporti i Qëndresës Qytetare, ngritur mbi të dhëna të pakundërshtueshme të hetimeve dhe mbi perceptimin masiv të studentëve, e shfaq qartë problemin: Universitetet shqiptare janë kthyer në një nga institucionet më të prekura nga korrupsioni. Ryshfeti për notë, pedagogë të papërgatitur, plagjiaturë, punësime me lidhje dhe rikthimi i figurave të rrëzuara nga drejtësia i japin arsimit të lartë një goditje të rëndë.
“Problemet e plagjiaturës, mungesa e pedagogëve, vijojnë të jenë problem në universitet” thekson Qiraxhi.
Nëse institucionet nuk veprojnë, këto raste nuk do jenë thjesht shifra. por dëshmi e humbjes së një brezi të tërë. Sistemi arsimor po përballet edhe me rënien e numrit të të rinjve që zgjedhin të studiojnë në Shqipëri. Disa programe janë shpallur “në rrezik mbylljeje”, për shkak të emigrimit, mungesës së prespektivës, mungesës së besimit te univeristetet shqiptare dhe normalizimi i korrupsionit.
Zgjidhja kryesore për problematikat e integritetit akademik, sipas rreth gjysmës së studentëve, mbetet vetingu në akademi./acqj.al