Ida Ismalaj
Ky vit ka filluar me një numër fatkeqësish natyrore për qytetarë të zonave të ndryshme të Shqipërisë. Në një mëngjes të zakonshëm pas reshjeve intensive, familje të tëra në zona të ndryshme të vendit u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa rrugët u mbuluan nga uji dhe toka bujqësore u kthye në baltë.
Ajo që dikur konsiderohej një episod i rrallë, sot po kthehet në një realitet të përsëritur. Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri dhe Lushnja janë vetëm disa nga zonat që përballen gjithnjë e më shpesh me përmbytje. Megjithatë, në dokumentet zyrtare dhe në hartat e riskut, disa prej këtyre zonave klasifikohen si me rrezik të ulët ose jashtë zonave problematike. Në letër, rreziku duket se nuk ekziston; në terren, përmbytjet ndoshin sa herë bien shira të rrëmbyeshëm.
Në letër zonat janë të sigurta. Në terren përmbyten.
Planifikimi urban dhe investimet publike mbështeten mbi hartat e rrezikut nga përmbytjet të publikuara nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG). Zonat klasifikohen sipas probabilitetit statistikor, “1 herë në 50 vjet” ose “1 herë në 100 vjet”. Në praktikë, zona të konsideruara me risk të ulët janë përmbytur disa herë brenda një dekade. Në hartat zyrtare, zona si Maliqi në Korçë apo pjesë të Lezhës figurojnë jashtë rrezikut, ndërsa realiteti në terren tregon të kundërtën.
Eksperti i menaxhimit të burimeve ujore Erjon Kalaja, me përvojë të gjatë në modelimin hidrologjik dhe planifikimin e infrastrukturës ujore, shpjegon se problemi nis pikërisht te këto harta.
“Hartat nuk mbulojnë të gjithë territorin e vendit dhe janë hartuar kryesisht në kuadër të projekteve të financuara nga donatorë, jo mbi bazën e nevojave reale të territorit. Shumë zona si Lezha, Gjirokastra, Korça dhe rajone të tjera nuk janë përfshirë fare në projektet e modelimit hidrologjik. Në praktikë, kjo do të thotë që rreziku ekziston, por në hartë thjesht nuk figuron,” shpjegon ai.
Sipas tij, mungesa e hartëzimit nuk do të thotë mungesë rreziku, por mungesë informacioni: “Kur një zonë nuk ekziston në hartë, kjo nuk do të thotë që nuk përmbytet. Do të thotë vetëm që shteti ka zgjedhur të mos e shohë.”
Megjithatë, pikërisht mbi këto harta të papërditësuara jepen leje ndërtimi, miratohen plane zhvillimi dhe investohen miliona euro në projekte publike. Shqipëria po përjeton periudha të gjata thatësire të ndjekura nga reshje shumë intensive në kohë të shkurtër.
“Infrastruktura ekzistuese, e projektuar mbi të dhëna historike, nuk i përballon këto ngarkesa të reja. Ne vazhdojmë të projektojmë me logjikën e së shkuarës, ndërkohë që klima ka hyrë në një realitet krejt tjetër,” paralajmëron Kalaja.
Urbanizimi mbi ish-kënete: receta për përmbytje të përhershme
Reshjet intensive nuk janë shkaku i vetëm i përmbytjeve të vazhdueshme. Ato janë edhe pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit të territorit dhe mungesës së planifikimit afatgjatë. Eksperti i pushtetit vendor Agron Haxhimali, njohës i politikave vendore dhe zhvillimit urban, e sheh problemin si pasojë të zhvillimit pa vizion.
“Qytetet janë zhvilluar pa një strategji të qartë dhe sistemet e kullimit janë lënë në harresë. Mosfunksionimi real i sistemit e kthen çdo episod shiu intensiv në krizë kombëtare,” nënvizon ai për ACQJ.
Ish-këneta, fusha të ulëta dhe brigje lumenjsh janë mbushur me ndërtime pa studime hidrologjike dhe pa infrastrukturë mbrojtëse. Durrësi është një nga shembujt më domethënës. Zona si ish-Këneta, Katundi i Ri dhe Sukthi përmbyten pothuajse sa herë ka reshje, sepse territori është urbanizuar duke injoruar historinë e përmbytjeve.
“Shtrati i lumenjve në shumë zona është kthyer në një bombë me sahat, me sedimente, ndërtime dhe zero mirëmbajtje. Përmbytjet nuk vijnë vetëm nga qielli, por edhe nga toka që ne e kemi lënë pas dore. Ne kemi ndërtuar mbi ish-kënete dhe pastaj habitemi pse uji kërkon territorin e vet. Betonizimi nuk e zhduk ujin,” nënvizon Kalaja.
Ekspertët flasin për planifikim të dështuar. Qeveria këmbëngul se investimet janë rritur.
Qeveria i ka hedhur poshtë akuzat për neglizhencë, duke theksuar se infrastruktura e kullimit ka qenë funksionale dhe se hidrovorët kanë punuar pa ndërprerje. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vetëm vitin e kaluar janë investuar rreth 25 milionë euro, ndërsa në dekadën e fundit afro 250 milionë euro në kanale, argjinatura dhe diga.
Megjithatë, edhe vetë Rama pranon kufijtë e këtij sistemi: “Kur reshjet tejkalojnë nivelet e sigurisë së projektuar, përmbytja e zonave vulnerabël është e pashmangshme.”
Sipas të dhënave zyrtare, reshjet intensive në javën e parë të janarit kanë përmbytur 13 211 hektarë tokë bujqësore dhe 1587 banesa. Janë evakuuar 339 persona nga 51 familje. Qeveria ka garantuar dëmshpërblim për të prekurit, por të dhënat financiare tregojnë një kontrast të fortë: ndërsa investimet në infrastrukturë janë rritur, fondet për Emergjencat Civile kanë pësuar rënie.
Fondet për Emergjencat Civile kanë zbritur nga 5.4 miliardë lekë në vitin 2025 në 5.2 miliardë lekë për vitin 2026. Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka pranuar ekzistencën e detyrimeve të prapambetura: “Ka likuidime të papaguara që nga viti 2019, në vlerën 195 milionë lekë.”
Një rrezik kombëtar i dokumentuar
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të rrezikut nga katastrofat natyrore në Europë. Indeksi Botëror i Rrezikut për vitin 2021 tregon se ekonomia e vendit është veçanërisht e ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe tërmeteve. Mesatarisht, rreth 30 mijë persona preken çdo vit nga fatkeqësitë natyrore dhe mbi 95% e bashkive shqiptare janë goditur të paktën një herë nga një katastrofë. Raporti paralajmëron se ndryshimi i klimës mund të rrisë më tej ashpërsinë dhe frekuencën e fatkeqësive të lidhura me motin, duke e bërë koston njerëzore dhe ekonomike edhe më të lartë.
“Pa harta të përditësuara, pa investime të drejtuara nga rreziku real dhe pa një vizion afatgjatë për territorin, Shqipëria do të vazhdojë të përmbytet çdo vit” thekson eksperti Kalaja.
Derisa planifikimi të përshtatet me realitetin e ri klimatik, përmbytjet mund të mbeten më pak fatkeqësi natyrore dhe më shumë rezultat i zgjedhjeve njerëzore./acqj.al