Përmbytje, dëborë dhe zjarre, Shqipëria përballet me humbje brenda javës!

Brenda pak ditësh, Shqipëria u godit nga përmbytje, dëborë dhe zjarre, duke nxjerrë në pah një shtet të papërgatitur. Rrugë të reja u shembën, fshatra mbetën pa energji, qindra hektarë u përmbytën dhe biznese u shkrumbuan.

Denada Jushi

Shqipëria, në një javë, u përball me të (pa)priturat e motit, por jo vetëm, duke shkaktuar dëme dhe situata të vështira për dhjetëra familje e qytetarë të vendit.

Reshjet e para të dëborës në vend nuk kaluan pa problematika, nga bllokimet e fshatrave, në kolapsimin e rrugëve e deri te ndërprerjet energjitike.

Unaza në Burrel, e sapo ndërtuar, ka dalë jashtë funksionit. Kjo shembje ka bërë të pamundur përdorimin e këtij aksi. Automjetet janë të detyruara tanimë të kalojnë përmes qytetit.

Shqetësim ka në rrugët dytësore në Tropojë dhe Kukës. Në Shkodër është bllokuar segmenti rrugor “Bogë-Qafë Thore-Theth”, për shkak të rrezikut nga ortekët e dëborës, ndërsa nuk lejohet qarkullimi i automjeteve gjatë natës.

Në Qafën e Vishës, rrëshqitjet e gurëve nga faqet e malit detyruan autoritetet të bllokojnë përkohësisht qarkullimin.

Në aksin kombëtar që lidh Tepelenën me Gjirokastrën, prej disa ditësh qarkullimi bëhet vetëm përmes një korsie, për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave, pranë zonës së quajtur “Shkalla e Zezë”.

Në zonën e Korçës, rruga Qukës-Qafë Plloçë mbetet e pashfrytëzueshme që kur, katër ditë më parë, rrëshqiti një masiv shkëmbor.

Në disa zona, për shkak të dëborës e në zona të tjera për shkak të përmbytjeve, shumë fshatra e rajone kanë mbetur pa energji elektrike.

Situata me motin në qarkun e Beratit ka shkaktuar që 10 fshatra në Njësinë Administrative Potom në Skrapar të jenë pa energji elektrike.

Era e fortë ka lënë që prej mëngjesit të sotëm pa drita 10 fshatrat: Backë, Gjergjovë, Koprenckë, Gërmenj, Visockë, Qafë Helms, Melskë, Nikollarë, Dyrmish dhe Staraveckë.

Po ashtu, në Qarkun e Korçës vijojnë problematikat e lidhura kryesisht me furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën rrugore, si pasojë e kushteve atmosferike.

Të njëjtat probleme shfaqen edhe në veri të vendit.

Fshatrat Bilaj dhe Mulqin janë nën ujë, ndërsa një pjesë e mirë e zonës ka 48 orë pa energji elektrike, për shkak të një shtylle të tensionit të lartë që kalon përtej lumit Ishëm dhe telat e së cilës janë të kapura mes pemëve. Rënia e pemëve ka shkaktuar prishjen e linjave elektrike, duke lënë banorët pa drita në temperatura të ulëta.

Problematikat më të theksuara raportohen në Bashkinë Malësi e Madhe, ku, veç mungesës së energjisë, reshjet e dëborës kanë bllokuar fshatra të tërë.

Edhe pse shiu ka pushuar përkohësisht, qindra hektarë të tërë janë nën ujë në të gjithë vendin.

Familje të cilat përballen me baltën që lë pas shiu në shtëpitë e tyre dhe me faturat e dëmeve ekonomike, për të cilat ende nuk ka një përllogaritje nga qeveria se sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit.

Përmbytjet në Shqipëri gjatë tri dekadave të fundit kanë shkaktuar rreth 2,5 miliardë dollarë dëme ekonomike, pa sjellë asnjë përgjegjësi penale për institucionet që administrojnë sistemin hidrik dhe menaxhimin e emergjencave.

Këto të dhëna dalin nga një auditim i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili evidenton neglizhencë afatgjatë në mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, mungesë menaxhimi efektiv të riskut nga përmbytjet dhe mospërshtatje të politikave me kushtet klimatike, në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen civile.

Që nga viti 1990, Shqipëria ka përjetuar të paktën tetë përmbytje të rënda, duke prekur dhjetëra mijëra familje dhe duke shkatërruar banesa, toka bujqësore dhe infrastrukturë nga Shkodra e Lezha deri në Vjosë dhe Vlorë.

Megjithë përmasat e dëmeve, drejtësia ka hapur vetëm dy hetime, njëri i mbyllur pa përgjegjësi penale dhe tjetri ende në proces, pa të dyshuar. Po ashtu, edhe sivjet Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për 3 vepra: “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Edhe këtë vit, thonë ekspertët, fatura do të jetë e majme, ndaj Shqipëria ka nevojë emergjente të investojë më shumë në masat që duhen ndërmarrë për përballimin e fatkeqësive të mundshme natyrore.

Sikur kjo të mos mjaftonte, mbrëmjen e të enjtes në kryeqytet një zjarr masiv përfshiu 50 magazina dhe rrezikoi ndërtesat aty pranë. Dhjetëra biznese të vogla, sa hap e mbyll sytë, humbën të gjithë kapitalin e tyre, duke dalë në rrugë, pa asnjë të ardhme. Një dëm kolosal ekonomik për ta.

Kryetarja e komanduar Anuela Ristani tha se bëhet fjalë për biznese tekstilesh dhe se do të ketë një moment për bilancin dhe evidentimin e dëmeve që kanë ndodhur.

“Dëmi është voluminoz. Nuk mund të flasim paraprakisht, pasi ka një proces”, u shpreh ajo.

E ndërsa pritet përllogaritja e këtyre faturave të majme të ngjarjeve që kanë ndodhur në më pak se pesë ditë, këto situata treguan qartë edhe një herë tjetër se Shqipëria nuk është e përgatitur për t’u përballur me situata të tilla./acqj.al