Ida Ismalaj
Ndërkohë që ligji ‘Mbi mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit’ ekziston në letër, zbatimi i tij në terren duket se mbetet një ‘mjegull’ tymi. Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) për periudhën 2025-janar 2026, rezulton se janë kryer mijëra inspektime, por shifrat e gjobave flasin për një realitet tjetër nga ai që shohim çdo ditë nëpër bare.
Duhani vijon të pihet lirisht në ambientet e mbyllura të shumë bareve, restoranteve dhe klubeve të natës në të gjithë vendin, edhe pse ligji anti-duhan e ndalon qartë prej 20 vitesh.
Një ndër faktorët kryesorë që mund të ketë ndikuar në rritjen e këtij fenomeni është edhe aksioni i fundit i qeverisë ndaj bizneseve, për lirimin e hapësirave publike. Me tavolinat e larguara nga verandat dhe trotuaret, shumë klientë janë rikthyer në ambientet e brendshme, ku cigaret ndizen lirshëm. Kjo situatë është kthyer në problem për personat që nuk pijnë duhan, të cilët janë “të detyruar” të konsumojnë diçka në një ambient me tym ose të qëndrojnë në verandën e lokaleve, në të ftohtin e dimrit apo në vapën e verës.
Historia e një ligji që nuk po zbatohet
Ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” u miratua për herë të parë në vitin 2006. Qëllimi ishte që të ndalohej pirja e duhanit në ambientet e mbyllura publike për të mbrojtur shëndetin e konsumatoreve. Megjithatë, zbatimi i dobët bëri që institucionet të ndërhynin sërish në vitin 2014. Në atë kohë, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj njoftoi ashpërsimin e masave dhe rritjen e gjobave për bizneset që nuk respektonin ligjin.
Ligji hyri në fuqi më 23 gusht të atij viti dhe nga 1 shtatori filloi një fushatë e gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi e publikut, si dhe e kontrollit dhe e monitorimit për zbatimin e këtij ligji nga bizneset. Lokalet hoqën tavollat e duhanit nga tavolinat dhe në xhamat hyrëse vendosën shenja ndaluese për mospirjen e duhanit brenda lokaleve dhe qytetarët u mësuan me idenë se ambientet e mbyllura duhej të ishin pa tym. Kontrolli ishte i fortë dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISSH) gjobiste shkelësit. Por, ky efekt zgjati pak. Pas disa vitesh, shkeljet nisën të rikthehen. Ministrja e Shëndetësisë e asaj kohe Ogerta Manastirliu në vitin 2019, paralajmëroi ashpërsim të masave dhe shpalli “luftë” ndaj shkelësve të ligjit të ri anti-duhan. Ligji i ri “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” parashikon një sërë masash të reja, si ndalimin e përdorimit të cigareve elektronike dhe nargjiles në ambiente të mbyllura, aplikimin e të njëjtave rregulla për cigaret tradicionale dhe dyfishimin e gjobave për subjektet që përsërisin shkeljet.
Sipas ligjit të ri, nëse një biznes kapet duke shkelur ligjin dy herë brenda dy muajve, gjoba do të jetë dyfishi i asaj të parë. Në rast se shkelja përsëritet brenda një viti, subjekti mund të gjobitet deri në gjashtëfishin e gjobës fillestare dhe në raste të përsëritura mund të përballet edhe me mbyllje aktiviteti dhe heqje licence. Megjithatë, 20 vite pas miratimit të tij, ligji anti-duhan në vendin tonë, duket se ekziston më shumë në letër.
Kontrollet në rënie, shkelje në rritje
Të dhënat tregojnë se kontrolli në terren është dobësuar ndjeshëm. Sipas Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, në vitin 2015 u kryen 22.125 inspektime në të gjithë vendin. Ndërsa gjatë periudhës 2025-janar 2026 janë kryer vetëm 5.239 inspektime.
Edhe gjobat kanë rënë ndjeshëm: Sipas Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, 16 gjoba janë vendosur në vitin 2025 ndaj bareve dhe restoranteve në shkelje të ligjit anti-duhan dhe 71 gjoba në vitin 2024. Një shifër shumë e ulët inspektimesh dhe gjobash krahasuar me përhapjen e fenomenit.
Sipas ekspertit Roland Shuperka, një nga hartuesit e ligjit anti-duhan, problemet kanë nisur që në formulimin fillestar të tij. Ai thotë se përkufizimi i “hapësirës së mbyllur” ka qenë i paqartë dhe ka krijuar hapësira për abuzim. “Sot shumë lokale përdorin struktura me xhama ose veranda të mbyllura, të cilat në praktikë funksionojnë si ambiente të brendshme, por shpesh konsiderohen si hapësira gjysmë të hapura për të shmangur ndalimin e duhanit” shprehet Shuperka.
Sipas tij, situata aktuale ku duhani pihet lirisht në ambiente të brendshme është e papranueshme.
“Organet ligjzbatuese duhet ta marrin situatën në dorë. Të vendosen të gjitha subjektet abuzuese para ligjit” tha ai.
Mjekët paralajmërojnë për rreziqet
Ndërkohë që ligji anti-duhan mbetet i dobët në zbatim, mjekët paralajmërojnë për pasojat serioze që po shfaqen në shëndetin e popullsisë. Sipas ekspertit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, Shqipëria po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve me kancer, ku duhanpirja luan një rol kryesor: “Veçanërisht shqetësues është kanceri i mushkërive, i cili lidhet drejtpërdrejt me konsumimin e duhanit dhe ka incidencë më të lartë tek meshkujt” tha Ylli.
Ndërsa pneumologu Arben Tanka foli për shtim të rasteve me kancer në mosha gjithnjë e më të reja: “Probabiliteti për të zhvilluar kancer të mushkërive është rreth 25 herë më i lartë tek duhanpirësit krahasuar me ata që nuk pinë duhan. Sot po shohim pacientë edhe në moshën 30-vjeçare të diagnostikuar me këtë sëmundje, si pasojë e fillimit të duhanit në moshë të re” thote ai.
Duhani përmban rreth 7000 substanca kimike, nga të cilat 70 janë kancerogjene të njohura. Rreth 85% e rasteve të kancerit të mushkërive lidhen drejtpërdrejt me duhanpirjen.
Në Shqipëri, rreth 40% e popullsisë rezulton duhanpirëse, ndërsa të dhënat tregojnë se në vitin 2025 janë regjistruar 7076 raste të reja me kancer, duke e bërë këtë sëmundje shkakun e dytë të vdekjeve pas sëmundjeve kardiovaskulare. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tumoret e lidhura me duhanin në Shqipëri pritet të rriten me rreth 60% deri në vitin 2030.
Sot, më shumë se 20 vite pas miratimit të tij, ligji anti-duhan duket se përballet me të njëjtin problem: Mungesën e zbatimit. Inspektimet e pakta dhe gjobat e rralla nuk kanë arritur të ndryshojnë realitetin në terren, ku tymi i duhanit vazhdon të mbushë ambientet e mbyllura të shumë lokaleve.
Me një mesatare prej 1 gjobë për çdo 327 inspektime, efikasiteti i ISHSH-së mbetet i diskutueshëm. Derisa numri i inspektimeve të mos përkthehet në ajër të pastër për qytetarët, këto shifra do të mbeten thjesht letra që nuk mbrojnë askënd përveç atyre që shkelin ligjin me vetëdije./acqj.al