Redaksia ACQJ
Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë vetëm “pak përparim” në fushën e lirisë së shprehjes. Progres Raporti i Komisionit për vitin 2025 nënvizon se problemet e vjetra të pronësisë së përqendruar në media, mungesës së transparencës dhe presioneve ndaj gazetarëve vazhdojnë të frenojnë pavarësinë e medias dhe besimin publik.
Në raportin e fundit të Progresit, Komisioni Europian e përshkruan situatën e lirisë së shprehjes në Shqipëri si pothuajse të pandryshuar. Vendi mbetet “mesatarisht i përgatitur” në këtë fushë dhe, për të dytin vit me radhë, vlerësohet se ka bërë vetëm hapa të kufizuar përpara. Ajo që bie në sy është kontrasti mes premtimeve për reforma dhe realitetit në terren, ku ndikimi politik e ekonomik mbi media mbetet i thellë.
Raporti tregon se pavarësia dhe pluralizmi mediatik janë ende të penguar nga ndërthurja e interesave politike dhe biznesore, mungesa e transparencës për burimet e financimit dhe përqendrimi i pronësisë. Kjo gjendje krijon një peizazh mediatik ku pak duar kontrollojnë shumë zëra, ndërsa shumica e gazetarëve përballen me pasiguri ekonomike dhe presion të vazhdueshëm editorial. Në prill 2024, AMA nisi të publikojë në faqen e saj të internetit informacione të përmbledhura mbi strukturat e pronësisë dhe pronarët përfitues të mediave audiovizive me licencë. Megjithatë, faqja nuk tregon interesat e fshehura apo konfliktet e mundshme të interesit të pronarëve dhe personave të lidhur me ta.
Blerjana Bino, Drejtoresha Ekzekutive e SciDev dhe partner kombëtar i rrjetit SafeJournalists shton mbi këto gjetje të raportit se “Problmet sistemike të medias në Shqipëri dhe ndërlidhjet shumë të forta mes pronarëve të medias, politikës, interesave të fshehura, pushtetit ekonomik dhe në disa raste edhe atij të krimit, krijojnë një mjedis ku bëhet pothuajse e pamundur të ushtrohet profesioni i gazetarit nv interes të publikut dhe në liri editoriale. Shohim shpesh që media përdoret si një instrumet për të avancuar interesa të caktuar të ndërthurur, por që nuk janë në interes të publikut.”
Një zhvillim pozitiv ishte nisja e dialogut të strukturuar mes institucioneve shqiptare dhe aktorëve të medias për të diskutuar reformat ligjore në këtë fushë. Megjithatë, Komisioni Evropian thekson se ky proces duhet të çojë në rezultate konkrete, përfshirë konsultimin me Komisionin e Venecias, përpara se të miratohen ndryshimet.
Ndërkohë, incidentet me punonjës të medias që kanë ndodhur gjatë vitit 2025, tregojnë se sfidat mbeten serioze. Rastet e intimidimit, fyerjeve publike, fushatave të njollosjes dhe padive strategjike ndaj gazetarëve (SLAPP) mbetën të përhapura. Organizatat e medias regjistruan 45 raste të shkeljes së sigurisë së gazetarëve në vitin 2024, ndërsa shumë sulme mbeten pa ndëshkim.
“Kemi edhe 38 raste të tjera incidentesh me gazetarë për periudhën kohore janar – tetor 2025, dhe të dhënat tona tregojnë se ka një numër rastesh të shumta për këtë vit, të cilat janë denoncuar në polici, duke treguar edhe një ndërgjegjësim për përdorimin e mekanizmave ligjore ekzustuese për mbrojtjen e gazetarëve,” vijon Bino.
Ajo më tej shton se mbetet shqetësues fakti që numri i incidenteve mbetet ende i lartë dhe se vitet e fundit është rritur numri i sulmeve digjitale dhe kibernetike, si dhe fushatat e koordinuara kundër zërave dhe mediave të pavarura.
Përpjekjet për të ngritur pika kontakti në Polici dhe në Ministrinë e Brendshme janë përshëndetur, por mungon një gjurmë konkrete ndjekjeje penale ndaj autorëve të kërcënimeve apo dhunës, pavarësisht denoncimeve të herëpashershme nga ana e organizatave të shoqërisë civile dhe vetë medias.
Në të njëjtën kohë, gazetarët në Shqipëri vazhdojnë të punojnë në kushte të pasigurta dhe shpesh të padrejta. Pasiguria në punë, mungesa e kontratave afatgjata dhe vonesat në paga janë bërë të zakonshme, veçanërisht në mediat lokale dhe online. Organizatat e lirisë së medias raportuan të paktën 13 ankesa formale në Inspektoratin e Punës midis shtatorit 2024 dhe marsit 2025.
Një pikë tejet e rëndësishme në progres raport ishte ajo e vetëçensurës, ku ngarkesa e tepërt e punës, presioni politik dhe varësia ekonomike kanë forcuar fenomenin në shkallë të gjerë tek gazetarët.
“Në mënyrë urgjente duhen adresuar kushtet e punës dhe të drejtat e gazetarëve në redaksi, pasi duke mos adresuar këto nevoja themelore, gazetarët si rojtarë publikë, është e vështirë të pritet që të mund të zhvillojnë gazetari të pavarur dhe në interes të publikut.” përfundon Bino.
Në planin institucional, Komisioni shpreh shqetësim për pavarësinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), ku ndikimi politik dhe ekonomik vazhdon të jetë i dukshëm në përzgjedhjen e anëtarëve të bordit. Edhe në Radio Televizionin Shqiptar, zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm dhe shkarkimi i Këshillit Drejtues nga Parlamenti janë cilësuar si shkelje të parimeve ligjore dhe të meritës, që vënë në dyshim pavarësinë e shërbimit televiziv publik.
Problematike mbetet edhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit. Komisioneri për të Drejtën e Informimit mori mbi 360 ankesa nga gazetarët për refuzim informacioni në vitin 2024, shumica e të cilave lidhen me praktika të zvarritjes apo përgjigje të pjesshme nga ana e institucioneve publike. Edhe pse një pjesë e këtyre rasteve u zgjidhën në fazën administrative, raporti thekson se mungesa e standardeve të qarta për “interesin publik” mbetet një justifikim i përdorur gjerësisht për të mos dhënë informacion.
Pavarësisht togfjalëshit të zakonshëm “zhvillim i limituar” rekomandimet e vitit të kaluar, dhe atij paraardhës mbeten ende të pazbatuara: forcimi i transparencës së pronësisë dhe financimit të medias, rritja e autonomisë së rregullatorëve dhe transmetuesit publik dhe heqja e dispozitave penale për shpifjen dhe garantimi i kushteve të drejta të punës për gazetarët. Liria e medias në shqipëri mbetet ende në vendnumëro. /acqj.al