Ida Ismalaj
Kujdesi shëndetësor në banesë është një nevojë jetike për mijëra të moshuar dhe pacientë kronikë në Shqipëri, të cilët për shkak të problemeve shëndetësore apo kushteve të vështira të transportit e kanë të pamundur të arrijnë në qendrat shëndetësore. “Together for Life” thekson përmes një raporti gjithpërfshirës se ky shërbim ka përmirësuar ndjeshëm aksesin në kujdes për mijëra pacientë gjatë viteve të fundit, por paralajmëron se mungesa e një financimi të qëndrueshëm rrezikon vazhdimësinë e tij.
Ky shërbim u pilotua për herë të parë në vitin 2021 si një tipologji e re e kujdesit shëndetësor në vend dhe synon t’u ofrojë pacientëve një gamë më të gjerë shërbimesh në shtëpi, përmes infermierëve të trajnuar. Projekti ka mbështetur 150 qendra shëndetësore dhe vetëm gjatë vitit të fundit kanë përfituar rreth 4800 pacientë nga shërbimi në banesë. Megjithatë, vlerësohet se 15-20 mijë qytetarë kanë nevojë për këtë kujdes.
Të moshuarit përballen me barriera të mëdha për të marrë shërbim
Në takimin e sotëm gjatë të cilit u shpalosën edhe gjetjet e vlerësimit, u theksua se një pjesë e madhe e të moshuarve në Shqipëri përballen me probleme të theksuara të lëvizshmërisë. Sipas vlerësimeve, rreth 35% e personave mbi 70 vjeç kanë vështirësi në lëvizje, ndërsa kjo përqindje rritet ndjeshëm mbi moshën 85 vjeç.
Sëmundje si artriti, osteoporoza, frakturat nga rrëzimet, goditja në tru dhe sëmundja e parkinsonit janë ndër shkaqet më të zakonshme që kufizojnë lëvizjen e të moshuarve. Si pasojë, shumë prej tyre e kanë të pamundur të arrijnë në qendrat shëndetësore për të marrë shërbimin.
Për të vizituar një qendër shëndetësore, shumica e pacientëve kanë nevojë për ndihmën e familjarëve ose për transport të paguar, që shpesh është i papërballueshëm. Kjo situatë sjell kosto të konsiderueshme financiare për familjet.
Një pacient nga Dibra e përshkruan kështu vështirësinë për të marrë shërbim:
“Qendrën Shëndetësore e kemi larg një orë e gjysmë në këmbë. Nuk kam fuqi të shkoj deri atje në këmbë dhe detyrohem të përdor ndonjë mjet këtu në lagje që më çon kundrejt pagesës sepse makina punon me naftë dhe nafta kushton.”
Nga ana tjetër, edhe vetë stafet shëndetësore përballen me mungesë pajisjesh për pacientët me nevoja të veçanta.
“Në qendrën shëndetësore kemi dy dyshekë ajri dhe dy karroca. Ua kemi shpërndarë pacientëve. Kërkesa kemi, por nuk i plotësojmë dot” shprehet një infermier nga Dibra.
Të dhënat e projektit Health for All (HAP) tregojnë se vetëm 8.9% e pacientëve invalidë raportojnë se mund të vizitojnë ndonjëherë qendrën shëndetësore pa ndihmë.
Barriera kryesore për pacientët me vështirësi në lëvizje mbetet pamundësia për të arritur fizikisht në qendrën shëndetësore. Në vitin 2023, 63.8% e pacientëve raportuan se nuk mund të ecnin deri në qendrën shëndetësore dhe 38.7% deklaruan se nuk mund të përballonin kostot e transportit.
Together for Life evidentoi gjithashtu probleme me mungesën e mjekëve dhe infermierëve në zonat rurale dhe të thella. Në shumë raste, bluzat e bardha nuk pranojnë të punojnë në këto zona, duke kufizuar më tej aksesin e pacientëve në shërbime.
Sipas analizës, çdo shërbim i ri kërkon financim të dedikuar. Aktualisht, kostoja minimale për një infermier që ofron shërbim në banesë është rreth:
- 2700 lekë në muaj për materiale,
- 3000 lekë në muaj për transport.
Mirela Rrumbullaku, nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi tha se pacientët me pamundësi lëvizjeje janë ndër grupet më të margjinalizuara.
“Ankesat bëhen nul sepse pacientët kërkojnë zgjidhje emergjente. Në bazë të ligjit, procedura kërkon kohën e vet dhe nuk ka më vlerë.”
Ajo shton se në shumë qendra shëndetësore mungojnë edhe mekanizmat bazë për të paraqitur një ankesë: “Në qendrat shëndetësore nuk ke një derë po të duash të bësh një ankesë për shërbimin aty. Nuk duhet ta kërkojë qytetari shërbimin, por duhet t’i ofrohet atij.”
Institucionet: Financimi është i mundur
Nga ana e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, zv.drejtori Markens Shllaku deklaroi se financimi i kujdesit parësor është rritur ndjeshëm në vitet e fundit,
“Financimi i shërbimit parësor nga viti 2013 që ishte 50 milionë euro, në vitin 2025 është 140 milionë euro. Është financuar afërsisht 3 herë më shumë,” u shpreh ai.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2025 janë kryer rreth 390 mijë shërbime në kujdesin parësor. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ka kapacitete financiare për të mbështetur shërbimin, që të mos ndalojë edhe pas përfundimit të financimit nga projekti.
“Rekomandimi i Bankës Botërore për Shqipërinë është 50 euro/ banorë. Ne kemi 75 euro/banorë financimin, pra i kemi mundësitë e financimit.”
Raporti i Together for Life paraqiti disa rekomandime kryesore për institucionet shtetërore, ndër të cilat nevojën për një qasje më të strukturuar dhe të qëndrueshme në organizimin dhe financimin e shërbimeve shëndetësore, veçanërisht për kategoritë më të prekura të popullsisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të marrë në konsideratë financimin e shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë, me qëllim garantimin e aksesit të pacientëve të moshuar dhe të invalidizuar në shërbime cilësore dhe të vazhdueshme.
Në të njëjtën kohë, nënvizohet rëndësinë e rritjes së transparencës në menaxhimin e financave të sektorit shëndetësor. Rekomandohet konsolidimi dhe publikimi i të dhënave financiare për shëndetësinë, duke përfshirë të gjitha burimet e financimit dhe analiza më të detajuara të shpenzimeve, në mënyrë që publiku dhe institucionet mbikëqyrëse të kenë një pasqyrë më të qartë mbi përdorimin e fondeve.
Një tjetër problem i evidentuar lidhet me mungesën e specialistëve në qendrat shëndetësore. Raporti sugjeron plotësimin e strukturave me profesionistë të tillë si psikologë dhe fizioterapistë, të cilët konsiderohen thelbësorë për të adresuar në mënyrë më gjithëpërfshirëse nevojat e pacientëve.
Për të përmirësuar menaxhimin e këtij shërbimi, ekspertët rekomandojnë gjithashtu që Kujdesi Shëndetësor në Banesë të përfshihet si një produkt i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo do të mundësonte gjurmimin më të qartë të shpenzimeve dhe investimeve të dedikuara për këtë shërbim, duke rritur përgjegjshmërinë institucionale.
Në aspektin e motivimit të personelit shëndetësor, Together for Life propozoi krijimin e një sistemi pagese që kombinon pagën bazë me një shpërblim shtesë, të lidhur me numrin e pacientëve që mbulon çdo infermier, dhe nevojën për rritjen e transparencës në procesin e vlerësimit të cilësisë së barnave, si dhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi të drejtat e tyre për të marrë medikamente cilësore./acqj.al