Ida Idmalaj
Situata e ndotjes në Shqipëri po bëhet çdo vit më shqetësuese dhe këtë e tregojnë qartë pamjet që vijnë nga bregdeti i Velipojës, nga liqeni i Komanit dhe lumi Vjosa. Këto zona që shquhen për bukurinë e tyre dhe për një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj, sot po përballen me një nivel ndotjeje që nuk mund të injorohet më. Problemi nuk është i izoluar dhe as i rastësishëm, ai po shfaqet sidomos pas periudhave të reshjeve të dendura të shiut.
Prurjet e shumta dhe reshjet e rëna gjatë ditëve të fundit, nga lumenjtë dhe përrenjtë e territorit të qarkut të Shkodrës kanë bërë që i gjithë bregdeti i Velipojës, mjaft i frekuentuar gjatë verës, të mbushet me mbetje plastike të cilat kanë krijuar një katastrofë mjedisore. Brezi rënor i bregdetit të Velipojës i përngjan një landfilli mbetjesh plastike. Kudo shishe plastike, por edhe mbetje të tjera, të kthyera mbrapsh nga baticë-zbatica e detit.
Po ky problem shfaqet edhe në zonat malore rreth Komanit, ku liqeni shpesh mbulohet nga qese, shishe dhe materiale plastike që vijnë nga lartësitë. Ndërkohë, lumi Vjosa po vuan nga mbeturinat e hedhura në brigje dhe mungesa e monitorimit mjedisor.
Eksperti dhe drejtuesi i “Eko Mendje” në Shkodër Mirsad Basha, e përshkruan këtë situatë si pasojë të drejtpërdrejtë të keqmenaxhimit dhe mungesës së monitorimit të zonës:
“Kjo vjen si pasojë e një keqmenaxhimi që ka ndodhur në qytete të ndryshme, sidomos në zonat turistike. Sikur të kishte më shumë monitorime, kontrolle, vendosje të gjobave ndaj bizneseve abuzuese dhe ndaj familjarëve që hedhin mbeturina pa kriter, por edhe monitorime më të rregullta nga bashkitë, nuk do të kishim raste të tilla.”
Sipas Bashës, ndotja që shohim sot nuk ka lidhje me turistët: “Janë mbetje tona, të cilat shpërthejnë në kohën e reshjeve, duke krijuar një imazh tepër negativ për turizmin dhe dëmton reputacionin e zonave që janë ndër më të bukurat në Shqipëri”.
Basha shpjegon se situata është bërë fenomen masiv dhe se grupet e vullnetarëve shpesh ndërhyjnë me aksione pastrimi, por problemet rikthehen shumë shpejt sepse rrënja e ndotjes vazhdon të jetë e njëjtë. Në zonat malore, ku pastrimi nuk kryhet shpesh, mbetjet grumbullohen me vite, derisa një rrjedhë e fortë uji i hedh të gjitha në liqene e lumenj.
Ai kujton se dekada më parë situata nuk ka qenë kështu.
“Dikur ka pasur më shumë monitorime mjedisore, më shumë pika kontrolli dhe vetë drejtuesit e institucioneve të mjedisit ishin më aktivë në terren. Sot, hallkat e kontrollit janë dobësuar dhe pasojat po i shohim të gjithë.”
Kjo situatë është një thirrje urgjente për institucione më aktive, komunitete më të përgjegjshme dhe politika më të ashpra kundër ndotjes. Sepse natyra nuk mund të mbrohet vetë, por pasqyron mënyrën se si sillemi ne me të. /acqj.al