Qendra për Gazetari Cilësore dërgoi 18 kërkesa zyrtare për marrje informacioni pranë institucioneve qendrore dhe lokale dhe mori vetëm shtatë përgjigje të plota. Rreth gjysma e kërkesave u injoruan, duke mos marrë asnjë përgjigje.
Autor: Geri Emiri
Lorin Kadiu, gazetar pranë Qendrës për Gazetari Cilësore, ka tre muaj që pret që Bashkia e Tiranës t`i nisë përgjigjen e një kërkese për informacion, ndonëse institucioni ka konfirmuar që pyetjet e tij i ka marrë.
“Pyetjet e mia lidhen me standardet e 25 kopshteve të rikonstruktuara në kuadër të nismës “Adopto një kopsht”, – u shpreh gazetari, i cili e ka dërguar kërkesën më 31 tetor 2017.
Pritja deri në harresë duket se po ndodh gjithnjë e më shumë, sa herë që pranë institucioneve qendrore dhe lokale kërkohet informacion.
Vetëm gjatë vitit 2017 raportohet se 541 qytetarë, gazetarë apo organizata u ankuan pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit për mosmarrje të një përgjigjeje nga institucioni ku kanë kërkuar informacion. Shumë të tjerë thjesht heqin dorë nga procesi, në rast se nuk marrin përgjigje brenda kohës zyrtare të pritjes.
E drejta për t`u informuar është një nga të drejtat themelore në një shoqëri demokratike, bazuar në parimin se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë materiale dhe informacione që zotërohen nga autoritetet publike.
Në Shqipëri e drejta për t’u informuar mbi dokumente që zotërohen nga autoritetet publike është rregulluar me ligj që prej vitit 1999, por që në praktikë ka qenë e vështirë të zbatohet.
Pas përpjekjeve disavjeçare të shoqërisë civile Kuvendi i Shqipërisë miratoi në shtator të vitit 2014 një ligj të ri, të përmirësuar për marrjen e informacionit, i cili mes të tjerash e shkurtoi në 10 ditë pune kohën në të cilën një institucion i kthente përgjigje qytetarit apo gazetarit për kërkesën e tij.
Me ligjin e vjetër afatet ishin të tejzgjatura, ku autoriteti publik kishte 15 ditë kohë të përgjigjej, nëse do e pranonte apo jo kërkesën për informacion dhe, kur përgjigjja ishte pozitive, ajo duhej t`i kthehej të interesuarit brenda 40 ditëve. Në total duheshin rreth dy muaj për të marrë një përgjigje zyrtare.
Me ligjin e vitit 2014, çdo qytetar mund të plotësojë formularin e kërkesës për informacion dhe t’ia dërgojë nëpërmjet email-it ose postës autoritetit publik, pa dhënë arsyet përse e kërkon informacionin.
Për të siguruar zbatimin e këtij ligji, është krijuar institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ku vetë komisioneri raporton në Kuvend ose në komisionet parlamentare të paktën një herë në vit ose sa herë që kërkohet prej tyre.
Një nga funksionet bazë është angazhimi i këtij institucioni në zbatimin e ligjit, duke vendosur edhe sanksione, në rast se konstaton shkelje të tij.
Por, me gjithë legjislacionin e avancuar, respektimi dhe zbatimi i tij nga ana e institucioneve lë për të dëshiruar. Nga një testim që qendra kreu në të dytin vit radhazi, rezultoi se institucionet në nivel qendror dhe lokal nuk e respektojnë të gjitha ligjin për të Drejtën e Informimit.
Nga 18 kërkesa për informacion që u dërguan në vitin 2017 nga gazetarët e qendrës në institucione të ndryshme, rezultoi se shtatë përgjigje u kthyen brenda afatit zyrtar dhe të plota, tri përgjigje u kthyen brenda afatit zyrtar, por të paplota dhe tetë prej kërkesave për informacion, megjithëse kanë kaluar rreth tre muaj, ende nuk kanë marrë përgjigje.
Nga testimi i ligjit për të Drejtën e Informimit në vitin 2016, rezultoi se nga 12 kërkesa, pesë prej tyre nuk morën asnjë përgjigje, ndërsa në tri raste përgjigjja ishte jo e plotë.
Nga të dhënat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit rezulton se gjatë vitit 2017 janë depozituar 541 ankesa dhe janë gjobitur vetëm katër drejtues institucionesh dhe tre koordinatorë për të drejtën e informimit.
Një shifër që është shumë herë më e vogël krahasuar me ankesat e depozituara te ky institucion nga personat që pretendojnë se iu është kufizuar e drejta për t`u njohur me dokumentet zyrtare.
Pas zgjedhjeve të qershorit 2017, qeveria Rama 2 u ridimensionua në një kabinet më të vogël, duke shkrirë kështu disa ministri dhe duke lënë 11 në total. “Defektet e mandatit të parë, por edhe sfidat e këtij mandati tregojnë se na duhet një qeveri më e vogël dhe më bashkëvepruese”, – tha Rama në gusht të vitit të kaluar.
Por, nga ana tjetër, shkrirja e disa prej ministrive ka sjellë një situatë të mjegullt sa i takon funksioneve të tyre, duke iu sjellë vështirësi gazetarëve dhe qytetarëve në lidhje me përcaktimin e institucionit që ka kompetencën t`i përgjigjet kërkesës së tyre për informim.
Brendon Xhavara, gazetar pranë qendrës, kërkoi informacion lidhur me Planin e Veprimit të Komunitetit Rom dhe Egjiptian 2016-2020, por u përball me paqartësinë se cilës ministri i përkiste zbatimi i këtij plani pas ristrukturimit të tyre.
“Me shkrirjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë isha i paqartë dhe i painformuar se cili institucion do e zbatojë këtë plan”, – tha Xhavara.
Krijimi i faqeve të reja të internetit për ministritë dhe mospublikimi në kohë i programeve të transparencës, që janë detyrim sipas ligjit për të Drejtën e Informimit, ka sjellë edhe probleme në gjetjen e kontakteve të koordinatorëve për të drejtën e informimit në institucionet përkatëse.
Në fund, nga tri institucionet ku Xhavara u drejtua, përgjigje kthyen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ndërsa institucioni që e krijoi këtë situatë, Kryeministria, nuk ktheu asnjë përgjigje, duke shkelur ligjin për të Drejtën e Informimit, që afat për kthimin e saj ka 10 ditë pune.