Autor: Elsa Cerpja, JD capelouto, Lorin Kadiu
Partitë politike shqiptare paguan vitin e shkuar afro 30 milionë lekë (277,800$), për firmat e lobimit në Shtetet e Bashkuara për të fituar influencë dhe akses te politikanët amerikanë.
Por, nëse një qytetar shqiptar i hedh një sy këtyre raporteve financiare të fushatave, nuk merr dijeni për këtë.
Shpenzimet për lobim në raportet financiare – të cilat u publikuan nga partitë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 – janë të listuara thjesht si pagesa për “konsultime”, shoqëruar me një hapësirë katrore, ku partitë mund të shtojnë disa fjalë shpjeguese, nëse zgjedhin ta bëjnë.
Në Shqipëri nuk ka informacion të detajuar mbi mënyrën ekzakte se si paratë e partive u shpenzuan ose çfarë morën partitë në këmbim.
Një investigim i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Qendrës së New England-it për Raportim Investigues në Shtetet e Bashkuara zbuloi se mungesa e informacionit mbi lobimin e huaj është vetëm një nga mungesat në ligj që lejon partitë politike shqiptare t’iu fshehin votuesve informacione të rëndësishme.
“Ne nuk kemi ligje të veçanta në Shqipëri për rregullimin e lobimit, – tha Aranita Brahaj, drejtoresha ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencës, e cila avokaton për transparencë qeveritare. Ajo shtoi se aktivitetet e lobingut teknikisht janë të ligjshme. – Meqë shumë prej kontratave janë firmosur me kompanitë amerikane, kanë qenë subjekt i ligjeve amerikane”.
Ndërkohë që informacionet specifike mbi lobimin iu fshihen votuesve shqiptarë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ), iu kërkon lobuesve të deklarojnë dokumentet ku listojnë klientët e huaj për të cilët punojnë dhe atë çfarë bëjnë për gjithsecilin prej tyre – por shumica e këtyre dokumenteve u publikuan disa muaj pas zgjedhjeve në Shqipëri.
Një analizë e dokumenteve portretizon politikanët shqiptarë që përfitojnë nga marrëdhëniet pozitive ndërmjet dy vendeve për përfitimin e tyre politik. Sipas asaj që tregojnë dokumentet, shumë nga puna lobuese bëhet në takime me dyer të mbyllura, me anë të email-eve konfidenciale ose mundësive për të bërë fotografi.
“Partitë tona politike shpenzojnë shumë për lobimet, por ajo çfarë marrin në këmbim është qesharake, e paimagjinueshme dhe e paprekshme për qytetarët”, – tha Afrim Krasniqi, analist politik dhe drejtor ekzekutiv i Institutit për Studimet Politike në Shqipëri, i cili shtoi se shpesh aktivitetet e lobimit rezultojnë në takime formale ose fotografi me zyrtarët amerikanë.
“Pyetja, – tha ai, – është, nëse partitë politike e dinin këtë, kur ato iu dhanë pará firmave të lobimit dhe nëse ne e dinim këtë, kur paguam aq shumë”.
Dokumentet tregojnë se lobuesit e punësuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë vepruan si diplomatë de facto të vendit, për shembull, duke takuar dhe duke kontaktuar zyrtarë amerikanë mbi marrëdhëniet e jashtme me Shqipërinë.
Ndërkohë, lobuesit e partive të pakicës kryesisht kërkuan takime për të diskutuar zgjedhjet ose kërkuan mundësi për fotografi të liderëve të partive me zyrtarë amerikanë, duke përfshirë presidentin Donald Trump.
Qëllimi i vërtetë, sipas Krasniqit, është “thjesht të bëjnë një foto dhe të tregojnë se shteti më i madh në botë është afër meje. Është e thjeshtë, – tha ai. – Nuk ka lidhje me vendin dhe me interesin publik”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili rregullon dhe mbikëqyr zgjedhjet shqiptare, nuk iu kërkon partive të raportojnë veprimtarinë e lobuesve të tyre dhe kontratat me lobuesit nuk janë publikisht të disponueshme për votuesit në ndonjë nga faqet online të qeverisë shqiptare.
“Në shumicën e rasteve besoj se këto lloj financimesh, të lidhura me lobimin, janë të gabuara dhe një koncept abuziv, – tha Krasniqi, – por në përputhje me ligjin shqiptar, shumica e burimeve financiare të siguruara për këto aktivitete lobimi janë legjitime”.
Një seri pagesash të majme
Kontratat e lobimit përbëjnë një përqindje të rëndësishme të buxhetit zgjedhor për tri partitë më të mëdha në Shqipëri.
Partia Socialiste, partia e shumicës, pagoi firmën Ballard Partners më shumë se 14,250,000 lekë deri në shtator, ekuivalenti i 20 mijë dollarëve në muaj.
Këto kosto përbënë thuajse 16 për qind të shpenzimeve zgjedhore të partisë – afërsisht sa pagoi për median dhe më shumë se dyfishin e asaj që pagoi për kostot administrative.
Partia Demokratike e Shqipërisë shpenzoi rreth një të pestën e shpenzimeve të 2017-ës në lobime, në një total prej 12,585,000 lekësh (116,000 $), sipas raportit financiar të partisë.
Në të kishte kontrata me dy grupe lobimi: Barnes & Thornburg dhe Muzin Capitol Partners, kjo e dyta u pagua nga një tjetër firmë dhe jo nga vetë partia.
Lëvizja Socialiste për Integrim kishte vetëm një kontratë njëmujore me McKeon Group, në një total prej 1,942,500 lekësh, një përqindje relativisht e vogël e shpenzimeve të saj.
Qëllimi “i vërtetë” i influencës shqiptare
Përpara zgjedhjeve, lobuesit e Partisë Socialiste në Shtetet e Bashkuara kontaktuan zyrtarë, duke përfshirë këtu anëtarët e Kongresit, një zëvendësasistent të presidentit Donald Trump dhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit, për qëllimin e marrëdhënieve zyrtare SHBA-Shqipëri, sipas dokumenteve të DOJ.
“Përmirësimet e marrëdhënieve Shqipëri-Shtete të Bashkuara janë të rëndësishme për suksesin e partisë, – tha Robert Wexler, një ish-kongresmen i Shteteve të Bashkuara dhe një nga lobuesit e Partisë Socialiste. – Këto të dyja janë të gërshetuara në një mënyrë shumë të drejtpërdrejtë”.
Wexler tha se gjatë zgjedhjeve ishte shumë e rëndësishme për partinë politike që t`i jepte formë “perceptimit të shqiptarëve se si politikanët po menaxhojnë marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara”.
Të dhënat tregojnë se në javët dhe muajt pas zgjedhjeve, lobuesit e Ballard Partners, përfshirë Wexler-in, vazhduan të kontaktojnë zyrtarët dhe ligjbërësit amerikanë.
Qëllimi zyrtar, sipas dokumenteve të arkivuara nga DOJ, ishin “marrëdhëniet amerikano-shqiptare”.
Në një email, drejtuar më shumë se 60 anëtarëve të stafit të përfaqësuesve në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, në nëntor të vitit 2017, Wexler dërgoi përditësime mbi “zhvillimet e fundit në lidhje me Shqipërinë”, sipas dokumenteve të DOJ.
Ai shkroi se informacioni u shpërnda për llogari të Partisë Socialiste të Shqipërisë, por bashkëngjiti artikuj që kryesisht ishin për lajme të përgjithshme mbi Shqipërinë dhe jo të lidhura specifikisht me vetë partinë.
Në një dokument mbi punën e tyre për Partinë Demokratike, Muzin Capitol Partners thanë se “promovuan lidershipin konservativ në Shqipëri te liderët politikë dhe liderët e biznesit në Shtetet e Bashkuara”.
Firma, e drejtuar nga ish-asistenti i fushatës zgjedhore të Donald Trump, Nick Muzin, mundësoi takime me kongresmenë.
Gjithashtu, raportonte ndihmën që i dha liderit të partisë, Lulzim Basha, për të bërë një fotografi me presidentin Trump dhe mundësoi një artikull pro Partisë Demokratike të Shqipërisë në Breitbart News.
LSI i pagoi MCKeon Group 15,000 dollarë për shërbime që përfshinë mundësimin e takimeve në Uashington dhe sigurimin e pjesëmarrjes së kryetarit të partisë, aktualisht presidenti shqiptar, Ilir Meta, në inaugurimin e Trumpit, sipas asaj që tregojnë dokumentet.
Lobuesit gjithashtu prezantuan liderët e partisë me pesë anëtarë të Kongresit.
Krasniqi tha se, në një kohë kur të gjitha partitë kryesore politike lobojnë në Amerikë, ndikimi tek opinionet e votuesve është i vogël.
Brahaj ra dakord, duke thënë se rezultati i lobimeve ishte “jo shumë cilësor”.
Organizata e Brahajt i ka kërkuar partive politike të kenë më shumë transparencë sa i përket lobimeve dhe t`i bëjnë këto dokumente të arritshme për publikun.
Nuk ka “linjë të qartë”
Pavarësisht se ligjet shqiptare për financimin e fushatave zgjedhore nuk e ndalojnë përdorimin e fondeve të fushatës për lobim në Shtetet e Bashkuara, disa ngrenë pyetjen nëse është e përshtatshme të përdorësh paratë e donatorëve dhe taksapaguesve kryesisht për të blerë foto me zyrtarë amerikanë ose për të deleguar funksionet tipike, diplomatike të qeverisë.
“Ne mendojmë se është shumë më mirë të kesh një linjë të qartë, – tha Wilmot, – që publiku të paguajë për të mirat publike”.
Një analizë e punës së lobuesve të huaj në Shtetet e Bashkuara sugjeron se është më tipike për një zyrtar të qeverisë – jo të partive politike – të paguajë për lobuesit në Uashington.
Firmat që punuan për partitë shqiptare në vitin 2017 gjithashtu përfaqësuan qeverinë e Republikës Dominikanë, Republikës së Turqisë, Republikës së Kosovës, Republikës së Arabisë Saudite dhe Republikës së Guatemalës.
Shumë vende të tjera ballkanase, përfshirë Kosovën, Malin e Zi dhe Greqinë së fundmi, kanë punësuar lobues që të punojnë për ta në Uashington; në këto raste ata janë regjistruar si zyrtarë të qeverisë dhe jo si një parti politike.
Të gjitha konvertimet USD-ALL janë bazuar në kurset e këmbimit të muajit qershor 2018.
*Fotoja kryesore në fillim të artikullit, Kongresi American. Foto: Pixabay