Diskriminimi: Ankesat e qytetarëve në rritje, institucionet heshtin

424 ankesa për diskriminim në një vit. 74% kundër institucioneve publike. Qytetarët po flasin më shumë se kurrë, por përgjigjja mungon. Nga shërbimet bazë te vendet e punës, padrejtësia po bëhet normë. Kur shumica e ankesave drejtohen ndaj shtetit, problemi nuk është më rastësor, është sistemik dhe në rritje.

Ida Ismalaj

Gjatë vitit 2025, institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ka trajtuar një numër të konsiderueshëm çështjesh që lidhen me pretendime për diskriminim, duke nxjerrë në pah problematika të thella sociale dhe institucionale në Shqipëri. Të dhënat tregojnë jo vetëm një rritje të ndërgjegjësimit qytetar, por edhe mangësi të vazhdueshme në garantimin e barazisë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi trajtoi 424 çështje gjatë vitit 2025, ku shumica dërrmuese janë ankesa të drejtpërdrejta nga qytetarët, një sinjal i qartë se fenomeni nuk është më i heshtur, por gjithnjë e më i denoncuar.

Individët mbeten zëri kryesor në këtë betejë, por gjithnjë e më shumë po shfaqet edhe roli i organizatave të shoqërisë civile, të cilat jo vetëm ndihmojnë në depozitimin e ankesave, por shpesh bëhen burim informacioni për nisjen e hetimeve. Fusha ku përplaset më fort ky fenomen është ajo e shërbimeve publike. Pothuajse gjysma e çështjeve lidhen me mungesën e shërbimeve bazë, nga strehimi dhe transporti, te kujdesi shëndetësor dhe mbështetja ekonomike. Shumica e këtyre ankesave drejtohen kundër institucioneve publike, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e shtetit dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve më të cenueshëm. Rritja e fortë e ankesave ndaj institucioneve qendrore tregon një hendek të thellë mes politikave dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Sipas të dhënave nga KMD, në vitin 2025, 74.4% e ankesave janë ndaj sektorit publik dhe 25.6% janë ndaj sektorit privat.  Problemet lidhen me mungesën e strehimit, transportit, medikamenteve dhe mbështetjes sociale.

Tregu i punës dhe gjuha e urrejtje mbetet problematike

Edhe tregu i punës mbetet një terren problematik. Rastet e diskriminimit lidhen kryesisht me largimet nga puna dhe pengesat në punësim, shpesh të lidhura me bindjet politike, gjendjen shëndetësore apo përkatësinë sociale. Fusha e punësimit ka regjistruar 167 çështje, me një rritje të dukshme të ankesave ndaj sektorit privat (rritje me rreth 33%).

Paralelisht, gjuha e urrejtjes vijon të jetë e pranishme, madje në një pjesë të madhe të rasteve ajo vjen nga vetë aktorë publikë, duke reflektuar një standard të ulët komunikimi dhe mungesë përgjegjshmërie. Gjatë vitit 2025 janë trajtuar 26 çështje që lidhen me gjuhën e urrejtjes. Pjesa më e madhe e tyre (21 raste) janë drejtuar kundër subjekteve publike, duke ngritur shqetësime serioze për standardet e komunikimit publik dhe përgjegjësinë institucionale.

Ankesat janë përhapur në të gjithë territorin e vendit, me përqendrim në qytete si Tirana, Shkodra, Korça, Durrësi dhe Fieri. Megjithatë, për herë të parë janë regjistruar ankesa edhe nga bashki më të vogla si Has dhe Pustec, si dhe nga shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Kjo tregon një rritje të ndërgjegjësimit dhe besimit për të raportuar diskriminimin, edhe në zona ku më parë mungonte kjo praktikë.

Në fund, shifrat e vitit 2025 tregojnë një të vërtetë të qartë: Ndërsa qytetarët ankohen më shumë, institucionet ende nuk reagojnë ndaj tyre. Diskriminimi në Shqipëri nuk është një fenomen i izoluar, por një problem sistemik që prek shërbimet bazë, tregun e punës dhe jetën sociale. Lufta kundër tij kërkon jo vetëm mekanizma ligjorë funksionalë dhe por edhe përgjegjësi institucionale./acqj.al