Bankat: rriten kreditë me probleme

Të blesh një shtëpi apo të nisësh një biznes shpesh nis me një kredi bankare. Por pas rritjes së kreditimit në Shqipëri po shfaqen edhe sinjale paralajmëruese. Qindra miliona euro kredi klasifikohen si me probleme, ndërsa rritja e kostos së jetesës dhe pasiguria ekonomike po e bëjnë më të vështirë për shumë familje dhe biznese shlyerjen e detyrimeve.

Denada Jushi

Të blesh një shtëpi, të nisësh një biznes apo të studiosh në një universitet botëror janë disa nga shtysat që i kanë çuar qytetarët shqiptarë në kërkim të kredive bankare.

Një punonjëse e sektorit bankar në nivel të ulët i tha ACQJ-së se shumica e kërkesave për kredi lidhen me blerjen e një shtëpie, kryesisht nga çiftet e reja. Por çfarë ndodh më pas?

Pasiguria ekonomike, jo pak herë, bën që këto kredi të shndërrohen në kredi me probleme, sepse për arsye të ndryshme mund të mos përballohen.

Raportet e fundit mbi sektorin bankar, sipas Raportit të Stabilitetit Financiar, tregojnë se kreditë me probleme në Shqipëri kanë shfaqur një rritje.

Të dhënat tregojnë se në gjysmën e parë të vitit 2025 raporti i kredive me probleme arriti në 4.12% të totalit të kredive. Ky tregues vijoi të rritet gjatë vitit, duke arritur në gusht nivelin 4.19%, që konsiderohet edhe niveli më i lartë i regjistruar gjatë atij viti.

Edhe pse niveli i kredive me probleme mbetet relativisht i ulët krahasuar me periudhat e mëparshme, luhatjet e këtij treguesi sugjerojnë se duhen marrë masa që ky fenomen të mos rritet më tej.

Në sistemin bankar shqiptar llogariten rreth 362 milionë euro kredi me probleme, ndërsa në një periudhë tjetër të vitit 2025 kjo shifër vlerësohej rreth 357 milionë euro. Kjo do të thotë se bankat mbajnë në bilanc qindra milionë euro kredi që konsiderohen me risk për t’u rikuperuar.

Sipas të dhënave të raportuara për sistemin bankar, stoku i kredive me probleme ka arritur rreth 36 miliardë lekë. Rritja e këtij stoku është vërejtur kryesisht në disa kategori të caktuara kredie, si kreditë në lekë, kreditë afatgjata dhe kreditë për individë.

Sipas analizës së raportit, rreziku i kredive konsiderohet ende i kontrolluar.

Po çfarë ndodh në nisje të vitit 2026?

Të dhënat paraprake tregojnë se raporti i kredive me probleme e nisi edhe vitin 2026 me një rritje të lehtë. Në janar të këtij viti, ky tregues u regjistrua në nivelin 3.85%. Megjithatë, në bazë vjetore raporti mbetet në rënie, pasi një vit më parë ishte në nivelin 4.12%.

Megjithatë, kjo analizë bazohet vetëm në muajt e parë të vitit.

Në të njëjtën kohë, stoku i kredive me probleme në fund të janarit vlerësohet në rreth 36.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Këto luhatje shihen të lidhura edhe me kompleksitetin e zhvillimeve ekonomike.

Shumë faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në pasigurinë e individëve apo bizneseve dhe, në rast se ekonomia përballet me goditje të jashtme ose me një ngadalësim të aktivitetit ekonomik, aftësia paguese e huamarrësve mund të përkeqësohet.

Këto shqetësime janë shtuar edhe për shkak të zhvillimeve në ekonominë globale. Tensionet në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj Iranit kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, për pasojë edhe në Shqipëri, duke rritur rreziqet për një rritje të inflacionit dhe për pasoja të dukshme në ekonomi.

Sipas analizave ekonomike që edhe ACQJ ka bërë gjatë viteve 2025–2026, por edhe sipas analizave të realizuara jashtë Shqipërisë, në rajon dhe më gjerë, disa faktorë që mund të kenë ndikuar në rritjen e kredive me probleme janë rritja e kostos së jetesës, e cila e bën më të vështirë për familjet shlyerjen e kësteve mujore të kredive.

Një tjetër faktor është rritja e shpejtë e kreditimit, sidomos për blerjen e banesave dhe për financimin e aktiviteteve të biznesit. Në vitet e fundit, një numër në rritje familjesh kanë marrë kredi për blerjen e shtëpive ose për investime në pasuri të paluajtshme.

Për këtë arsye, autoritetet financiare kanë shtuar vëmendjen ndaj ritmeve të kreditimit dhe cilësisë së portofolit të bankave. Banka e Shqipërisë ka theksuar se është e nevojshme të monitorohet me kujdes efekti që mund të ketë zgjerimi i shpejtë i kreditimit dhe konkurrenca në treg mbi standardet e kreditimit.

Institucionet kanë marrë disa masa rregullatore për të kufizuar rrezikun financiar. Megjithatë, të dhënat tregojnë se gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar këto masa nuk kanë sjellë një frenim të ritmeve të kredidhënies, sidomos në kreditë që përdoren për financimin e blerjes së banesave.

Qindra miliona euro kredi me risk për rikuperim dhe një stok prej mbi 36 miliardë lekësh dëshmojnë se një pjesë e konsiderueshme e huamarrësve vazhdon të përballet me vështirësi në shlyerjen e detyrimeve./acqj.al