Atë që s’e hanë europianët, e hamë ne!

Produkte që refuzohen nga Bashkimi Europian rikthehen në tregun shqiptar. Të dhënat tregojnë mangësi serioze në kontroll, transparencë dhe gjurmueshmëri. Nga fermeri te laboratori, zinxhiri ushqimor ka boshllëqe që ndikojnë drejtpërdrejt te konsumatori. Mes pasigurisë dhe mungesës së informacionit, pyetja mbetet e hapur: a dimë realisht çfarë po hamë çdo ditë?

Rexhina Papa

Në Shqipëri, debati për sigurinë ushqimore rikthehet sa herë qarkullon një lajm për një produkt që del me probleme. Por përtej rasteve sporadike, të dhënat tregojnë një problem më të rëndë: mënyra se si funksionon i gjithë zinxhiri, nga prodhimi te kontrolli.

Sipas të dhënave të siguruara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 26 raste eksportesh të kthyera nga vendet e Bashkimit Europian. Nga këto, vetëm 5 janë asgjësuar dhe 4 janë rieksportuar. Pjesa tjetër, me masën prej rreth 130 ton, është rikthyer në tregun e brendshëm.

Mjafton vetëm ky fakt për të ngritur pikëpyetje për mënyrën se si trajtohen produktet që nuk plotësojnë standardet jashtë vendit.

“Nëse dalin në treg produkte që janë kthyer nga BE, kjo është alarmante, pavarësisht arsyes”, thotë Granit Sokoli, drejtori i qendrës ALERT.

Një nga problemet më të përmendura nga ekspertët është mungesa e informacionit për publikun.

Në rastet kur identifikohen produkte me probleme, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit publikon njoftime të përgjithshme, pa detaje mbi subjektin, markën apo shpërndarjen e produktit.

Nga një kërkesë për informacion për emrat e subjekteve, përgjigjja ka qenë refuzim, me argumentin e “sekretit tregtar”.

Sipas Sokolit, kjo qasje është në kundërshtim me praktikat europiane.

“Në komunikimin e riskut që bëjnë autoritetet e sigurisë ushqimore në vendet e BE dhe në Kosovë, jepet çdo detaj. Ti duhet të japësh emrin e subjektit dhe markën, që konsumatori të dijë saktësisht çfarë të shmangë”, shpjegon ai.

Mungesa e këtij informacioni krijon një efekt zinxhir: dyshimi përhapet te i gjithë produkti vendas.

Rozana, një banore e Shkozës, e përshkruan kështu përvojën e saj si konsumatore:

“Sa herë blej fruta, mundohem të zgjedh ato më të voglat. Thonë që janë më të mira, por meraku ngelet.”

Ndërkohë që besimi ndaj produkteve vendase tronditet, të dhënat tregojnë një rritje të importeve.

Sipas INSTAT, nga viti 2020 deri në vitin 2024 importet janë rritur me rreth 28.5%. Në të njëjtën kohë, diferenca mes importeve dhe eksporteve mbetet e madhe.

Ky zhvillim lidhet jo vetëm me kërkesën e tregut, por edhe me perceptimin e sigurisë për produktet vendase.

Nga ana tjetër, ekspertët e shëndetit theksojnë se rreziku nuk duhet absolutizuar.

Endokrinologia Tea Shehu shpjegon se ndikimi i produkteve me mbetje varet nga disa faktorë.

“Për sa u përket frutave dhe perimeve me mbetje, problemet shëndetësore mund të shfaqen në rast konsumimi të tepruar ose tek persona me sëmundje hormonale paraprake”, thotë ajo.

Sipas saj, grupet më të ndjeshme janë fëmijët, adoleshentët dhe personat me çrregullime hormonale.

“Kjo nuk do të thotë ndalim i plotë, por moderim dhe këshillim i personalizuar”, shton Shehu.

Kapacitetet e kufizuara laboratorike

Kontrolli i produkteve mbështetet në laboratorët e sigurisë ushqimore, por kapacitetet mbeten të kufizuara.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare është laboratori kryesor referencë në vend. Megjithatë, sipas ekspertëve, numri i mostrave të analizuara nuk është i mjaftueshëm për të pasur një pasqyrë të plotë.

“Kjo kthehet në mbingarkesë dhe në një numër shumë të vogël mostrash, që nuk janë tregues i mjaftueshëm për të parë nëse gjithë malli është problematik apo jo”, shpjegon Sokoli.

Në vend funksionojnë 7 laboratorë dhe janë bërë disa investime për pajisje dhe specializim, por një pjesë e tyre janë ende në fazë zhvillimi.

Ekspertja e sigurisë ushqimore Renata Kongoli thekson se mangësitë mbeten të dukshme.

“Ka një nevojë urgjente për përmirësim të kontrollit, gjurmueshmërisë dhe pajisjeve laboratorike për të garantuar që ushqimet që mbërrijnë te konsumatori janë të sigurta”, thotë ajo.

Çfarë ndodh me produktet e kthyera?

Një nga çështjet më të ndjeshme është trajtimi i produkteve të kthyera nga eksporti.

Sipas të dhënave të AKU, shumica e tyre nuk asgjësohen, por rikthehen në treg ose rieksportohen.

Për disa raste, arsyeja lidhet me etiketimin. AKU ka sqaruar se vetëm dy raste kanë qenë për mangësi në etiketim.

Por për ekspertët, kjo nuk e zbut problemin, përkundrazi.

“Ekziston rreziku që ato të ridrejtohen në tregun e brendshëm, nëse nuk ushtrohet mbikëqyrje e fortë”, paralajmëron Kongoli.

Fermeri mes kostos dhe tregut

Në këtë zinxhir, një rol kyç ka fermeri.

Mirlind Saraçi, fermer nga Lushnja, flet për vështirësitë e përditshme në prodhim.

“Kostot janë rritur për gjithçka, ndërsa fitimi është përgjysmuar. Plehrat, pesticidet, nafta, çdo gjë është më shtrenjtë”, thotë ai.

Ai shton se kontrolli në terren pothuajse mungon.

“AKU-në nuk e kam parë, jo vetëm te mua, po te asnjë serrë.”

Sipas tij, mungesa e kontrollit dëmton fermerët e rregullt.

“Nëse një produkt del me pesticide mbi normë, nuk dihet kush është përgjegjës. Shitet me të njëjtin çmim për të gjithë.”

“Qeveria duhet të bëjë laboratorin, nëse analiza nuk del e pastër të asgjesohet produkti, të ndërgjegjësohen fermerët.”, shprehet ai.

Një hallkë shumë e rëndësishme që mungon në vendin tonë është roli i agronomit, pa firmën e të cilit nuk duhet të niset asnjë ngarkesë askund. Por puna e tij nuk është vetëm të kontrolloj dërgesat, të shohi dokumentet dhe analizat. Agronomi duhet të ndjek ecurinë e prodhimit që nga mbjellja, të rekomandojë plehrat e duhura për tokën dhe bimën.

“Drejtoria e Bujqësisë së Lushnjes ka 20 agronom, po unë nuk njoh asnjë prej tyre, nuk dalin në terren.”, rrëfen fermeri. Ai prej vitesh tashmë orjentohet dhe blen pesticide dhe plehra të tjerë kristalor për të ushqyer tokën nga Italia me kompaninë ku ka punuar vite më parë në emigrim. Sipas tij dhe pse çmimet janë rritur, këto impute nuk janë cilësore dhe nuk e kryejnë funksionin e tyre, kështu ai është detyruar t’i blej nga jashtë me kosto më të lartë për të qenë i sigurt.

Në teori, agronomi duhet të ndjekë procesin e prodhimit dhe të garantojë standardet. Në praktikë, kjo shpesh nuk ndodh.

Nga kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përsa i përket numrit të agronomëve në vend, nuk është marr një përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

“Fermerët këshillat i marrin nga dyqanet e inputeve bujqësore, që shpesh kanë interesa tregtare”, thotë Eduard Sharka, Kryetar Nderi i Sindikatës së Fermerëve.

Pesticidet nuk janë të ndaluara për tu përdorur, por frutat e perimet janë të ndaluara për tu vjelë pa mbaruar afati i skadencës së pesticidit, pas të cili ai nuk përbën më rrezik në shëndet. Kur fermerët shohin që çmimi i tregut është rritur ata nxitojnë ta vjelin atë për ta shitur duke mbyllur sytë ndaj këtij rregulli. “Kjo rregullohet duke shtuar përgjegjësinë e agronomit, i cili nuk ta firmos çertifikatën e origjinës nëse ti shkel karencën.”, shpjegon Sharka.

Krijimi i urdhërit të agronomit, është një domosdoshmëri sipas Sharkës, sidomos në një moment kur dhe interesi për profesionin është shumë i ulët.

“Është një nga profesionet më të diskriminuara” thotë Sharka, duke bërë krahasimin me vendet e rajonit, por dhe mbështetjes që marrin fermerët përballë fitimit që i sjellin buxhetit të shtetit.

Si ekonomist ai përmend miliarda për kredi të buta pa u përdorur, 1.5% të buxhetit të shtetit që shkon për bujqësinë dhe rreth 20% të GDP-së që gjenerohet prej saj. 20% e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë shkon për paga direkte, ndërkohë që rajoni jep 80%, dhe gjysmën e gjenerimit të fitimit që sjell bujqësia në Shqiperi. Bujqësia jep shumë dhe merr pak.

Të gjitha këto elemente lidhen mes tyre.

Mungesa e informacionit, kapacitetet e kufizuara laboratorike, kontrolli i dobët në terren dhe presioni ekonomik mbi fermerët krijojnë një sistem me shumë boshllëqe.

Këto boshllëqe nuk janë gjithmonë të dukshme, por efekti i tyre është i prekshëm për konsumatorin.

Në fund, ai mbetet mes dyshimit dhe zgjedhjes.

Dhe pyetja që mbetet është: a e dimë vërtet çfarë po konsumojmë?/acqj.al