Arsimi në Shqipëri, mes fasadës dhe realitetit në terren

Pas deklaratave optimiste për “arsim cilësor” dhe “mësues të kënaqur”, realiteti në terren tregon një histori tjetër. Shkollat shqiptare përballen me mungesë laboratorësh, mësim me turne dhe klasa të mbingarkuara. Ndërkohë që raportet ndërkombëtare nxjerrin shifra pozitive, rezultatet e PISA-s e vendosin Shqipërinë në fund të listës. Me buxhet vetëm 2.4% të GDP-së, arsimi shqiptar mbetet mes fasadës politike dhe krizës së vërtetë që prek çdo klasë.

Ida Ismalaj

Raporti më i fundit i TALIS (Anketa Ndërkombëtare e Mësimdhënies dhe e të Mësuarit), i realizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD), ka sjellë në vëmendje një panoramë kontradiktore të sistemit arsimor shqiptar.

Sipas të dhënave të raportit, 92% e mësueseve mendojnë se mund të hartojnë detyra mësimore për t’ju përshtatur nxënësve me nevoja të veçanta. 98% e tyre raportojnë se në përgjithësi janë të kënaqur me punën e tyre, shifër më e lartë se mesatarja e OECD. Kryeministri i vendit Edi Rama e cilësoi raportin e TALIS si një anketë që tregon përkushtimin e mësuesve shqiptarë ndaj profesionit.

“Kemi dalë me një rezultat domethënës dhe pozitiv në këtë anketë, duke u rreshtuar përkrah vendeve që nuk janë aspak të dorës së dytë” u shpreh Rama.

Por, ndërsa raporti paraqet shifra që në pamje të parë duken pozitive, realiteti në terren, sipas ekspertëve të arsimit është shumë larg këtyre shifrave.

Eksperti i arsimit, Isa Halilaj foli për rënien e cilësisë dhe interesit për profesionin e mësuesit, duke theksuar se Shqipëria po përballet me një tkurrje të ndjeshme të numrit të nxënësve dhe mbyllje të degëve të mësuesisë në universitete.

“Kemi rënie të numrit të nxënësve me 30%. Buxheti për arsimin duhet të jetë prioritet dhe ky profesion duhet të bëhet i lakmueshëm për të rinjtë”-u shpreh Halilaj.

Ai shtoi se ndonëse janë ndërtuar disa shkolla të reja, kushtet e punës mbeten të vështira, mungojnë laboratorët dhe infrastrukturat bazë. Sipas tij, problemi më i madh mbetet buxheti i ulët, që aktualisht është vetëm 2.4% e GDP-së, ndër më të ultat në rajon.

Megjithë përpjekjet e deklaruara për digjitalizim dhe modernizim, rezultatet e testit ndërkombëtar PISA mbeten treguesi më i qartë i krizës në sistemin arsimor shqiptar. Shqipëria vazhdon të renditet në fund të listës për matematikë, shkencë dhe lexim, duke dëshmuar mungesë të njohurive bazë, të mendimit kritik dhe krijues, si dhe përkeqësim të aftësive krahasuar me vitet e mëparshme.

Halilaj shprehet se “Ne kemi probleme edhe me reformat në arsim. Disa degë në shkencat ekzakte po mbyllen çdo vit. Kemi ende mësim me turne në kryeqytet dhe klasa kolektive në zonat periferike. Në zonat malore nuk pranojnë të shkojnë mësuesit për shkak të rrogës së ulët”.

Në kontrast me entuziazmin zyrtar për mësuesit e kenaqur me kushtet e punëns, ekspertët e arsimit kërkojnë reforma reale, investime në infrastrukturë dhe rritje të buxhetit, në mënyrë që arsimi të mos mbetet vetëm statistikë, por të kthehet në prioritet kombëtar. acqj.al