Denada Jushi
“Jam e shqetësuar për modelin që po u paraqitet fëmijëve sa i takon monitorimit në shkolla, sepse jam nënë dhe të dhënat e fëmijës tim mund të jenë nesër në duar të gabuara.”
Ky ishte mesazhi që mbërriti në redaksinë e ACQJ në fillim të gushtit nga F.Y., prind i cili do të çojë fëmijën në një nga shkollat e përzgjedhura për projektin “Smart City”.
Çfarë është projekti “Smart City”?
20 shkolla të Tiranës do të lidhen me sistemin “Smart City”, ku inteligjenca artificiale do të analizojë pamjet dhe do të sinjalizojë situata të konsideruara të rrezikshme.
Qeveria e paraqiti këtë plan si një mënyrë për të rritur sigurinë në shkolla, pas ngjarjeve të përsëritura që kanë ndodhur në këto ambiente!
Natyrisht që siguria është shumë e rëndësishme, por në këtë rast ka një sërë shqetësimesh që lidhen me implementimin e këtij modeli, sepse në qendër të monitorimit janë fëmijët!
Edhe pse pjesë e projektit “Smart City”, ky është një sistem monitorimi që do të shtrihet në 873 lokacione në Shqipëri, në 24 qytete dhe 28 pika të kalimit kufitar.
Përse ka ngritur shqetësim?
Prej vitesh ekziston në këto shkolla monitorimi i ambienteve, në korridore apo oborre, por futja e elementeve të AI në analizimin e pamjeve mund të konsiderohet shqetësim.
Ministria e Brendshme thotë për ACQJ se nuk do të vendosen kamera të reja në 20 shkollat e përzgjedhura, por sistemet ekzistuese do të integrohen në platformën qendrore.
“Funksionalitetet inteligjente realizohen nga platforma e analizës video dhe jo nga vetë kamerat”, thotë Ministria e Brendshme.
Pra, AI do të analizojë automatikisht pamjet dhe do të identifikojë “ngjarje ose sjellje të programuara paraprakisht si potencialisht të rrezikshme ose të dyshimta”.
Por nuk është ende e kuptueshme se çfarë konkretisht konsideron algoritmi sjellje të dyshimtë te një fëmijë dhe sa saktë mund ta përcaktojë atë.
Denisa Kele, eksperte e cybersecurity dhe inteligjencës artificiale, thotë se duhet bërë dallim mes identifikimit të një objekti dhe interpretimit të sjelljes njerëzore.
“Të identifikosh në një pamje një objekt që ngjan me një armë është teknikisht më e matshme; të përcaktosh nëse sjellja e një nxënësi është ‘agresive’ apo përbën rrezik është shumë më komplekse dhe e varur nga konteksti”, thotë Kele.
Mund të ndodhë që sistemet të prodhojnë alarme për situata që nuk përbëjnë rrezik, por edhe të mos identifikojnë një rrezik real.
“AI mund të asistojë sigurinë, nuk duhet të shndërrohet në një ‘gjykatës algoritmik’ të sjelljes së fëmijëve”, thotë Kele.
Një nga pikëpyetjet që nuk është sqaruar është se kush do t’i ruajë pamjet dhe për sa kohë.
Iu drejtuam Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Arsimit, por e vetmja që u përgjigj ishte Ministria e Brendshme, e cila na tha se Policia e Shtetit nuk do të ketë akses në të gjithë materialin filmik të shkollave.
Pamjet do të ruhen lokalisht nga institucionet arsimore për maksimum 30 ditë. Policia do të marrë vetëm sinjalizimet e gjeneruara nga sistemi. Por këto alarme përkatëse do të ruhen në sistemin qendror të Policisë së Shtetit për një vit.
Ministria thotë gjithashtu se nuk do të përpunohet audio dhe se të dhënat do të qëndrojnë brenda territorit shqiptar.
Ekspertja Kele ngre si shqetësim edhe një çështje tjetër. Edhe nëse njohja e fytyrës nuk përdoret aktualisht, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se infrastruktura nuk mund ta mundësojë në të ardhmen.
“Nëse kamerat kanë rezolucion dhe cilësi të mjaftueshme, funksione të reja analitike, përfshirë potencialisht njohjen e fytyrës apo forma të tjera të analizës biometrike, mund të shtohen më vonë përmes software-it”, thotë ajo.
Të drejtat e fëmijëve
Për Suela Koçibellinj, aktiviste për të drejtat e fëmijëve, teknologjia mund të përdoret për sigurinë, por nuk mund të zëvendësojë mekanizmat njerëzorë të parandalimit.
“Masat e para duhet të kishin nisur nga fuqizimi i mekanizmave njerëzorë të parandalimit: komunikimi dhe bashkëpunimi mes fëmijës, prindit dhe mësuesit”, thotë Koçibellinj.
Edhe për të, problemi nuk janë kamerat, sepse ato ekzistojnë prej vitesh; ndryshimi është implementimi i AI.
“Nëse sistemi nuk kufizohet vetëm në regjistrimin e pamjeve, por analizon dhe interpreton sjellje apo situata, atëherë çështja bëhet shumë më sensitive.”
Koçibellinj kërkon që prindërit të dinë çfarë analizon sistemi, kush verifikon një alarm dhe çfarë ndodh përpara se një sinjalizim teknologjik të sjellë pasoja për nxënësin.
“Fëmija i tyre nuk duhet të përballet me pasoja vetëm sepse një algoritëm ka interpretuar gabimisht një sjellje, një lojë apo një situatë krejt normale për moshën e tij.”
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se data 14 shtator, që përkon me ditën e parë të këtij sezoni shkollor, do të përdoret për njohje dhe diskutime me prindërit e këtyre 20 shkollave.
Ministrja pranoi kështu se deri më tani nuk ka pasur një proces paraprak diskutimesh, por vetëm implementim!
Projekti prek të miturit. Një pjesë e pyetjeve iu drejtuan institucioneve përgjegjëse për arsimin, mbrojtjen e të dhënave dhe administrimin vendor.
Ministria e Arsimit u pyet se cilat kritere janë përdorur për përzgjedhjen e 20 shkollave, nëse prindërit, nxënësit dhe stafi janë informuar dhe sa alarme ka prodhuar sistemi. Deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk dha përgjigje.
Bashkia e Tiranës u pyet për 20 shkollat, teknologjinë, administrimin e të dhënave, mundësinë e njohjes së fytyrës dhe arsyen e zgjedhjes së modelit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Edhe Bashkia nuk iu përgjigj pyetjeve.
Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale iu kërkua të sqaronte nëse ishte konsultuar paraprakisht, nëse është kryer një vlerësim i ndikimit mbi mbrojtjen e të dhënave, DPIA, cila është baza ligjore për përpunimin e imazheve të mijëra të miturve dhe nëse mund të përdoret njohja e fytyrës.
Komisioneri thotë se përgjegjësia për të dhënat është e institucionit që do të merret me përpunimin e tyre dhe nuk pohon apo mohon nëse ka pasur konsultim për këtë çështje, por thotë se është duke e mbikëqyrur, pa qenë e qartë në çfarë mënyre.
Mungesa e këtyre përgjigjeve tregon që, edhe në çështje sensitive siç janë rastet kur në thelb janë fëmijët, institucionet nuk përgjigjen as për transparencën dhe as për përgjegjësitë që ato duhet të kenë!
Por, nëse shkojmë për të parë modelet që na ofron Europa, aty ku aspirojmë të shkojmë, shohim një qasje krejtësisht tjetër!
Europa vendos kufij!
Përvoja europiane tregon se kamerat dhe analiza algoritmike e pamjeve nuk trajtohen si e njëjta gjë.
Në Francë, Bashkia e Nice-s përdori një algoritëm për të analizuar automatikisht dhe në kohë reale pamjet e kamerave pranë hyrjeve të shkollave, për të identifikuar automjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme.
Më 30 janar 2026, Conseil d’État vendosi se ligji francez lejonte videomonitorimin e hapësirës publike, por kjo nuk mund të interpretohej si leje për analizimin sistematik dhe automatik të pamjeve nga algoritmet. Për këtë nevojitej bazë ligjore.
Në Suedi, një shkollë në Skelleftea përdori njohjen e fytyrës për regjistrimin e prezencës së nxënësve. Autoriteti suedez i mbrojtjes së të dhënave vendosi gjobë prej 200 mijë koronash suedeze dhe konstatoi shkelje të rregullave të GDPR për përpunimin e të dhënave biometrike.
Këto dy raste janë dëshmia më e qartë se teknologjia në shkolla nuk ndalohet, por japin shembuj se si kalimi nga regjistrimi i pamjeve te analizimi algoritmik i njerëzve kërkon një nivel tjetër kontrolli ligjor.
Megjithatë, edhe pse në Shqipëri prej vitesh gjithçka ndërmerret e bëhet në emër të integrimit të vendit në BE, në këtë rast Shqipëria shkoi drejt modelit të Abu Dhabit, paradoksalisht një vend që nuk shquhet për respektimin e të drejtave të njeriut!
Abu Dhabi është pjesë e një shteti të kritikuar vazhdimisht nga organizatat ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut.
Marrëveshja e financimit është lidhur me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit, ndërsa Ministria e Brendshme konfirmon se më 19 dhjetor 2025 është nënshkruar marrëveshja me përfaqësuesit e konsorciumit ndërkombëtar Presight AI për implementimin e “Smart City”.
Por kontrata e plotë, anekset, specifikimet teknike, mënyra e përzgjedhjes së operatorit dhe vlera e veçantë e komponentit të 20 shkollave nuk u vunë në dispozicion pas kërkesës për informacion.
As nuk u shpjegua përse dhe mbi ç’baza u zgjodh modeli “Abu Dhabi”.
Ministria argumentoi se dokumentacioni përmban elementë teknikë dhe operacionalë që lidhen me sigurinë dhe citon marrëveshjen e huas me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit, e cila parashikon konfidencialitet për dokumentet, të dhënat dhe materialet e ADFD-së.
Por ajo që e bën edhe më të diskutueshëm projektin, veç problematikave dhe paqartësisë që lidhen me survejimin, është kostoja financiare.
Qeveria shqiptare ka siguruar një kredi prej 118.5 milionë dollarësh nga Fondi i Abu Dhabit për këtë projekt. Sipas asaj që është publikuar deri më tani në media, pasi institucionet refuzuan të japin të dhëna zyrtare, afati i shlyerjes do të jetë 15-vjeçar, me një normë interesi prej 4% në vit.
Natyrisht, ky projekt është më i gjerë se shkollat në Tiranë; ai do të shtrihet në të gjithë vendin.
Kostoja e projektit ngre pikëpyetje serioze, e mbi të gjitha mungesa e transparencës e rrit këtë pikëpyetje!
Këtu pastaj futet edhe elementi i transparencës: qeveria lejon analizimin e pamjeve të fëmijëve apo qytetarëve, por dokumentacioni që do të lejonte kontrollin publik të teknologjisë, kostos dhe garancive të saj nuk është bërë i aksesueshëm.
Nga bisedat që kryem në terren me prindër, përgjigjja e tyre është e unifikuar:
“Ende nuk dimë si funksionon.”
Me gjithë përpjekjet për të kuptuar më shumë mbi projektin “Smart City” apo për t’u njohur më tepër me kontratat, çfarë parashikojnë dhe nëse ka pasur konsultim, edhe në përfundim të këtij shkrimi pikëpyetjet janë ende të mëdha!
Institucionet nuk përgjigjen dhe “fshihen” pas konfidencialitetit, por ndërmarrin, pa asnjë konsultim paraprak, veprime kundrejt fëmijëve, ndërsa prindërit do t’i njoftojnë vetëm ditën e parë të shkollës!
Për këtë çështje ka një diskutim të hapur e të vazhdueshëm në Europë, Amerikë e vende të tjera, ku shpeshherë “Qytetet Smart” janë konsideruar si një “makth oruellian” që rrezikon ta kthejë shoqërinë në një model “Big Brother”, duke e paraqitur teknologjinë si progres, por në të vërtetë duke sakrifikuar privatësinë dhe lirinë./acqj.al