Embro Ahmetaj
Imagjinoni për një moment të jeni duke kaluar lekët nga një xhep në xhepin tjetër dhe, befas, t’ju ndalë një dorë. Pa ju dhënë kurrfarë arsyeje, ju shtrëngon të mos e kryeni këtë veprim. Apo të jeni duke kaluar paratë tuaja, të fituara nga paga, nga llogaria juaj tek ajo e bashkëshortes dhe, befas, banka të mos e kryejë këtë veprim.
Kjo është një situatë absurde dhe mund të barazohet me subjektet e Kafkës, personazhet e të cilit gjenden përballë mosarsyes. Epo, ja që nuk është edhe aq absurde. Ditën e martë, nëpunësja e financës së gjykatës u njoftua nga dega e thesarit se paga e muajit gusht ishte bllokuar dhe nuk do të kalonte në llogari. Arsye nuk i dhanë.
Në datën 17.02.2026, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së shoqatave të magjistratëve, shfuqizoi ndryshimet që i ishin bërë ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe e konsideroi antikushtetuese referencën te paga e Presidentit. Po ashtu, Gjykata përcaktoi se cila duhej të ishte mënyra e përllogaritjes së pagës dhe i la afat Kuvendit deri më 31.07.2026 për miratimin e ndryshimeve. Vendimi i plotë gjendet këtu. Koha kaloi dhe Kuvendi, me dashje, nuk veproi. Në këto kushte, në fund të gushtit, si çdo organ publik dhe punëdhënës në vend, gjykatat dhe prokuroritë dërguan në thesar listëpagesat për pagat e muajit gusht, sipas përcaktimeve që kishte bërë Gjykata Kushtetuese.
Në datën 02.09.2026, drejtoritë e thesarit në të gjithë Republikën (siç duket, të koordinuara) bllokuan, pa asnjë shkak, të gjitha pagesat e sistemit gjyqësor në vend. Këtu përfshihen pagat e rojeve, sanitareve, sekretareve, juristëve, ekonomistëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjithë vendin. Për sqarim, Drejtoria e Thesarit është një organ në varësi të ministrit të Financave, i cili likuidon që nga pagat e nëpunësve deri te pagesat e kontratave që shteti ka me kompanitë private. Gjykata është pjesë e këtij sistemi pagesash. Megjithatë, ndryshe nga të gjitha organet e tjera administrative në varësi të ekzekutivit, gjykatat kanë një specifikë, e cila është edhe thelbi i mosmarrëveshjes. Gjykatat janë të pavarura. Buxhetin që kërkojnë dhe ua jep Kuvendi, e administrojnë vetë. Ky është një nga elementet e ndarjes së pushteteve.
Megjithatë, ky rregull është vënë seriozisht në diskutim prej datës 02.09.2026. Kryeministri, ashtu si ministri i tij i Drejtësisë, të cilit i dhemb shpenzimi i parasë publike, në datën 06.09.2026 u shpreh se pagat e pushtetit gjyqësor propozohen nga ekzekutivi dhe miratohen nga legjislativi, a thua se pushteti gjyqësor është Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare apo ndonjë organ ekzekutiv varësie. Duke e çuar deri në fund këtë mendim politik të ekzekutivit, nga Ministria e Financave duket se ka buruar urdhri verbal për bllokimin e fondeve të pagave për të gjithë pushtetin gjyqësor. Në të gjithë këtë ndërmarrje dhe zell për të mos zbatuar ligjin, duket se ekzistojnë dy probleme. I pari është problemi i pavarësisë së gjyqësorit dhe tjetri është koncepti për zbatimin e ligjit.
Thelbi i problemit duket se është pavarësia e gjyqësorit, ndërsa raporti me ligjin dhe detyrueshmëria e vendimeve të gjykatave janë pasojë e kësaj. Rregulli që u mundua t’i paraqiste publikut sot Kryeministri, se pagat e pushtetit gjyqësor propozohen nga ekzekutivi dhe miratohen nga legjislativi, është krejt i gabuar. Më së paku, është një tregim jo i plotë ose mësim i gabuar i rregullit që ka vendosur Kushtetuta. Më e keqja, [që s’dua ta besoj], është evokimi me dashje i fantazmave të së shkuarës, kur pushteti gjyqësor ishte aneks i zbatimit të politikave partiake dhe jo i pavarur.
Pagat e pushtetit gjyqësor caktohen me ligj të miratuar nga Kuvendi. Në funksion të garancisë për pavarësinë e këtij pushteti, ato miratohen me minimum 84 vota. Buxheti vjetor i pushtetit gjyqësor propozohet nga vetë gjyqësori dhe miratohet nga Kuvendi. Ekzekutivi pyetet. Marrëdhënia, në këtë rast, është mes dy pushteteve të pavarura dhe ekzekutivi është në rolin e garantuesit. Ky është rregulli dhe kështu duhet zbatuar. Ideja se, në këtë ekuacion, ekzekutivi ka rol s’është gjë tjetër veçse nevoja për të legjitimuar një veprim që po vazhdon të kryhet.
Ndërhyrja e ekzekutivit për bllokimin e pagave në sistemin gjyqësor ndikon drejtpërdrejt në pavarësinë e magjistratëve. Akoma më e ndjeshme bëhet kjo kur puna vjen te paga. Në funksion të pavarësisë, ata duhen paguar në mënyrë dinjitoze. Një magjistrat i papaguar është një magjistrat i prekshëm dhe, kështu, drejtësia bëhet e prekshme. Ajo që me mund po ndërtohet pas reformës mund të shprishet brenda këtyre ditëve. Paradoksi është se po zhbëhet nga një degë tjetër e pushtetit dhe jo nga faktorë të jashtëm.
Problemi tjetër, po aq i rëndë, ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe rolin e administratës. Ditën e parë të leksionit në Fakultetin e Drejtësisë të bëhet një pyetje: ku ndryshon polici nga një bandit me armë që të kanos për të të marrë kuletën? Ky është një kazus me të cilin profesori nis të shpjegojë bindjen ndaj autoritetit, bindjen ndaj rregullit dhe se çfarë i bën shtetet të drejta. Cili është emëruesi i përbashkët që dallon të mirën nga e keqja, keqbërësin nga ruajtësi i rendit etj.? Pas shumë endjesh në lëmin e filozofisë, njëra nga përgjigjet e drejta është se ligji është ai që shërben si autoritet bindës. Pikërisht ligji na bën t’i bindemi me vullnet policit, ndërsa banditit prej dhunës dhe frikës.
Kufiri që i ndan këto dy botë është patjetër ligji. E nëse një person i veshur me pushtet e shkel me bindje ligjin, s’është gjë tjetër veçse keqbërës. Ai nuk vepron më si autoritet që zbaton atë për të cilën është rënë dakord përmes ligjit, por nga pozita e më të fortit, sepse mund ta bëjë këtë. Keqbërësi s’bën asgjë më shumë. I bindur nga fuqia e krahut, e armës, e njerëzve që ka pas vetes apo e sistemit që mund të ketë korruptuar ose vënë nën thundër me të paaftë, mundet që një ditë të vendosë një gjobë, të marrë kuletën apo edhe të të dhunojë. Këtë, një ditë të bukur, mund ta bëjë edhe ministri i Financave.
Duke e parë botën përmes konsensusit se ligji është ai që rregullon marrëdhëniet në një shoqëri, ky veprim nuk është gjë tjetër veçse ligji i të fortit. Aparati ekzekutiv nuk është duke vepruar nën mbrojtjen e autoritetit publik, por vetëm sepse pas vetes ka shpurën që mund ta kryejë një veprim të tillë.
Kështu, strukturat e shtetit shformohen e thyhen. Nëpunësi i administratës nuk është më i lirë. Ai nuk zbaton ligjin si detyrim bindjeje, por urdhrin e më të fortit. Ai ka frikë! Në rast se nuk zbaton një urdhër të paligjshëm, ka frikë për një të keqe tjetër që mund t’i bëhet: kërcënimi, sharjet, vendi i punës, buka e fëmijëve. Ky është hapi i parë i dëmtimit të vertebrës së funksionimit të shtetit. Jo me ligj, por me urdhra. Përmes kësaj dhune kërkojnë të thyejnë edhe gjyqësorin. Vetëm fakti se kjo ka ndodhur, duke mos iu bindur ligjit, por urdhrit të më të fortit, me guximin e marrë se kështu do të intimidojnë magjistratët, tregon se po tentojnë ta kthejnë kohën pas, atëherë kur të gjithë kishin frikë nga polici si keqbërës dhe jo si ruajtës i rendit publik.
Në vapën e së shtunës, kur të gjithë ishin me pushim dhe kishin bërë paqe me faktin se një javë shkoi pa rrogë, befas doli ministri i Drejtësisë, duke njoftuar se i dhemb paraja publike. Robin Hudi, personazhi i famshëm mitik, kishte të njëjtin zell që paraja të shkonte tek njerëzit e pamundur. Mes absurditetit të së keqes, ku gjenden personazhet e Kafkës, dhe mirësisë së Robin Hudit ndaj të pamundurve, nuk ka asnjë lidhje në kohë apo qëllim.
Megjithatë, diçka i bashkon. Pa dashur të përqas mirësinë fisnike të Robinit me absurdin e ekzekutivit në republikën tonë, ata kanë një të përbashkët: moszbatimin e ligjeve dhe veprimin nga pozitat e forcës. Po, ndërsa Robini luftonte kundër një pushteti të keq, [Krye]ministrat, në këtë absurd ku duket se janë zhytur, po luftojnë shtetin që u është besuar të drejtojnë. Ndaj, përtej zhgënjimit se, për shkak të funksionit që kanë, duhet të jenë aty për të kontribuar për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe jo për ta shkallmuar atë në formën më brutale, deklaratat e tyre, më së paku, duken të pabaza.
Ajo që i gjithë ekzekutivi është angazhuar ta bllokojë me tërë zellin e tij është fondi i pagave. Paga, përpos që lidhet me punën e kryer, ka të bëjë edhe me dinjitetin. Me të do të bëhen pagesat e domosdoshme, si në çdo fillim muaji, për fëmijët, prindërit dhe nevojat jetike. Dhe këtu s’janë vetëm pagat e gjyqtarëve. Janë pagat e mbi 2000 punonjësve të tjerë të stafit të administratës gjyqësore, që nga sanitaret deri te sekretaret gjyqësore. Si të tilla, ndryshe nga sa pretendon [Krye]ministri për ndjeshmërinë ndaj parasë publike, këto s’kanë për të shkuar në eter dhe as do të shpërdorohen. Larg qoftë të themi se po i jepen një kompanie që s’e ka bërë punën dhe po paguhet pa të drejtë.
Akoma më keq, të përdoreshin për të bërë ndonjë rregullim oborri gjykate apo zyre sipas qejfeve, nëpërmjet procedurave prokuruese. Do ta kuptoja ministrin sikur të kishte shqetësime të kësaj natyre për përdorimin e buxhetit (në tërësi), por jo për pagat e të gjithë pushtetit gjyqësor. Do të doja të kishte të njëjtin reflektim dhe ta shprehte të paktën dyshimin po aq qartë sa sot, kur ngriti kartonin dhe votoi për rritjen e pagës së vet. Megjithatë, duhet ta them se, nëse kolegët e tij nëpër Evropë do ta bënin këtë veprim, ai do të ishte i vlefshëm për legjislaturën pasardhëse. Por, gjithsesi, kjo është çështje që i përket një pushteti tjetër.
Diku kam lexuar se njerëzit shpesh nuk i duan gjykatësit, sepse i shohin si çelësat e birucës së një aparati ndëshkues, të sertë e të fuqishëm, puthadorë të ligjit, krahu i armatosur i forcës shtrënguese (të shtetit). Kjo mbase është edhe arsyeja, në dialektikën e ndarjes së pushteteve, që ekzekutivi nuk na do. Mbase, në realitetin tonë, kanë arsye më shumë për të qenë të zemëruar. Por kjo nuk është arsye për t’u sjellë brutalisht, vetëm sepse pas vetes ke forcën ekzekutive. Pikërisht për këtë shkak, sepse gjyqësori është dora shtrënguese e shtetit, duhet respektuar edhe më shumë. Vetëm kështu mund të krijohet besimi te shteti, të ngrihen institucione të forta dhe të kuptohet më në fund rregulli se vendimi i gjykatës duhet zbatuar.
Refuzimi i zbatimit nuk është zgjidhje; madje, është i dënueshëm. Këto janë dy parimet themelore; ndryshe, shteti nuk funksionon dot si i tillë. Pa to, republika nuk mund të jetë parlamentare, ndarja e pushteteve shkon për dreq, shteti nuk mund të jetë më i drejtë, institucionet do të jenë ngrehina që strehojnë funksionarë të trembur dhe pa vullnet për të zbatuar ligjin, njerëz të çartur e të trimëruar, zotër të fateve të të tjerëve, me armë në dorë, dhe përfundimi do të jetë një shoqëri që lëngon dhe e refuzon shtetin.
Ata që do të duhej të ishin më të përgjegjshmit, duket se nuk janë. Tani imagjinoni për një moment sikur doreza e sfidës së absurdit, e hedhur nga ekzekutivi, të pranohej nga gjyqësori. Të gjithë shkojmë në punë për pagën dhe, nëse nuk paguhemi në fillim të muajit, nuk kemi detyrim për t’u bindur e për të shërbyer më. Ndaj, paramendoni vetëm për një moment sikur të gjithë gjyqtarët t’i vendosnin togat në dollap dhe të nesërmen të mos dilnin në punë, apo vetëm administrata gjyqësore të mos dilte në punë. Janë dhjetëra shërbime që merren në sportelet e gjykatave, konflikte që nuk zgjidhen e mbeten pezull, të burgosur të cilëve u kalojnë afatet, keqbërës që duhen arrestuar apo të pafajshëm që duhen liruar. Apo imagjinoni sikur të gjithë keqbërësit, për një moment, t’i linin qelitë.
Të gjitha këto kërkojnë një vendim gjykate. Në të gjithë këtë lojë të keqe të shprishjes së shtetit, përgjegjësia dhe përgjegjshmëria për detyrën dhe për atë që jemi betuar të gjithë të bëjmë duket se, deri tani, po ruhen vetëm nga gjyqësori. Dhe, për fat të mirë. Sepse, përndryshe, fundi nuk do të ishte asgjë më tepër se ajo që thotë Shën Agustini: nëse një mbretërie (shtetit) i heq drejtësinë, ajo nuk është gjë tjetër veçse një bandë gangsterësh dhe piratësh.
Ky është një shkrim që ka nisur prej datës 2 shtator dhe ende mund të vazhdojë të shkruhet… /acqj.al