Denada Jushi
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në 7 vite prej krijimit të saj si Strukturë ka luajtur rol thelbësor sa i takon luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
Prej 7 muajsh në krye të institucionit është tashmë Klodjan Braho, i cili bëri sot një raportim mbi punën e institucionit gjatë drejtimit të tij.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar raportoi një rritje të performancës gjatë periudhës 1 janar – 15 korrik 2026.
Të dhënat tregojnë se SPAK ka përfunduar 183 procedime penale, ose 64.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Premtimi i bërë nga zoti Braho në zgjedhjen e tij në krye të SPAK ishte fokusimi te sekuestrimet dhe hetimet pasurore.
Nga ky raport dëshmohet se janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 440 milionë euro dhe janë dërguar në gjykatë dhjetëra dosje të reja për korrupsion dhe krim të organizuar.
Sipas raportit gjashtëmujor, në fillim të vitit 2026 SPAK kishte 616 procedime aktive, ndërsa më 15 korrik numri i tyre kishte zbritur në 551, ose rreth 10.5% më pak. Në të njëjtën kohë, raporti mes procedimeve të përfunduara dhe procedimeve të reja është rritur nga 61% në vitin 2025 në 166.4% në vitin 2026, çka tregon se institucioni ka mbyllur më shumë dosje sesa ka regjistruar të reja.
Gjatë periudhës 1 janar – 15 korrik 2026 janë regjistruar 110 procedime të reja, kundrejt 182 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 39.6% më pak. Sipas SPAK, më shumë se gjysma e tyre, 62 procedime ose 56.4%, janë iniciuar nga vetë Struktura e Posaçme dhe jo si rezultat i kallëzimeve të jashtme, duke reflektuar një rol më aktiv në identifikimin e veprave penale.
Raporti evidenton gjithashtu përparim në reduktimin e dosjeve të mbartura nga vitet 2019–2021.
Në fushën e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, aty ku është edhe interesi më i shtuar, SPAK bën me dije se gjatë kësaj periudhe janë hetuar 13 procedime penale, ku përfshihen 16 zyrtarë ose ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe drejtues institucionesh. Mes tyre janë 5 kryetarë ose ish-kryetarë bashkish, 5 drejtues ose ish-drejtues institucionesh qendrore, 3 gjyqtarë, ish-gjyqtarë ose prokurorë, 2 ministra ose ish-ministra dhe 1 deputet.
Një nga rezultatet më të forta të raportit lidhet me goditjen financiare ndaj grupeve kriminale. SPAK njofton se gjatë kësaj periudhe gjykatat kanë vendosur masa sekuestroje preventive në pesë procedime penale, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 440 milionë eurosh. Pasuritë e sekuestruara përfshijnë mbi 150 mijë metra katrorë prona, më shumë se 60 vila, apartamente dhe hotele, mbi 10 shoqëri tregtare, 620 llogari bankare, si dhe rreth 100 automjete dhe mjete lundruese. Për krahasim, gjatë gjithë periudhës 2020–2025, vlera totale e pasurive të sekuestruara kishte qenë rreth 220 milionë euro.
Por një nga problematikat që është diskutuar në raport me punën e SPAK kanë qenë masat e sigurisë, të konsideruara si “teprim” i masave shtrënguese.
Sa i përket masave të sigurisë, raporti tregon se ato janë caktuar për 7 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë. Në total, gjykatat kanë vendosur 97 masa sigurimi ndaj 94 personave, ku 37 masa, ose 38.1%, kanë qenë “arrest në burg”. Më 15 korrik 2026, në institucionet e paraburgimit ndodheshin 292 persona të lidhur me çështjet e SPAK, nga të cilët 233 në fazën e gjykimit dhe 59 në fazën e hetimeve paraprake.
Edhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së SPAK. Gjatë gjashtëmujorit janë trajtuar 40 kërkesa për ndihmë juridike nga autoritetet e huaja, ndërsa prokurorët shqiptarë kanë dërguar 107 kërkesa për ndihmë juridike në vende të Europës, Amerikës Latine dhe rajonit. Gjithashtu, janë krijuar 6 skuadra të reja të përbashkëta hetimore, duke e çuar në 33 numrin total të skuadrave aktive. Në të njëjtën periudhë, 36 persona janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa në bashkëpunim me autoritetet e huaja janë sekuestruar 4 ambiente banimi, 3 troje, 2 automjete dhe 1 motomjet.
Kreu i SPAK, zoti Braho, iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve kur u pyet për çështjen e zonjës Balluku. Mbi pritshmëritë për zhvillime të reja, ai u shpreh se do të presë përfundimin e hetimeve për të vijuar më tej me këtë çështje.
Ndërsa për rastin e arrestimit të Ermal Beqirajt, zoti Braho tha se SPAK ka qenë në dijeni prej disa ditësh dhe ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet franceze për kryerjen e veprimeve. Mbetet, në ditët në vijim, tha ai, të njihen edhe më shumë detaje të reja./acqj.al