Raporti/ Aftësia e kufizuar viktimë e dhunës, barriera edhe në institucionet publike

Institucionet publike në Shqipëri vazhdojnë të mbeten të paarritshme për shumë persona me aftësi të kufizuara. Një raport i Fondacionit “Së Bashku” tregoi se asnjë nga 94 institucionet e monitoruara në Tiranë, Dibër dhe Vlorë nuk ishte plotësisht i aksesueshëm. Mungesa e rampave, informacionit në Braille dhe komunikimit në gjuhën e shenjave po kufizon aksesin në shërbime bazë.

Ida Ismalaj

Një raport i Fondacionit “Së Bashku” mbi aksesueshmërinë në Shqipëri ka nxjerrë në pah realitetin e vështirë me të cilin përballen personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht gratë dhe vajzat viktima të dhunës me bazë gjinore. Nga mungesa e rampave dhe ashensorëve funksionalë, deri te mungesa e informacionit në Braille (sistemi i shkrim-leximit me prekje) apo komunikimit në gjuhën e shenjave, institucionet publike vazhdojnë të mbeten larg standardeve minimale të përfshirjes dhe barazisë.

Në këtë kuadër u prezantua platforma PakTabu.org, një hapësirë gjithëpërfshirëse dhe e aksesueshme që synon të ofrojë informacion mbi shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe mbështetje për personat me aftësi të kufizuara, duke krijuar një mjedis të sigurt për informim, komunikim dhe fuqizim.

Një vëzhgim i realizuar në bashkitë Tiranë, Dibër dhe Vlorë evidentoi mungesë të theksuar të aksesueshmërisë në infrastrukturë, informacion dhe komunikim në institucionet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Në total, vëzhgimi përfshiu 94 institucione, 48 institucione në Tiranë, 15 në Dibër dhe 31 në Vlorë. Monitorimi u zhvillua në bashki, gjykata, komisariate policie, qendra shëndetësore, strehëza dhe qendra të ndihmës juridike falas.

Sipas gjetjeve, asnjë institucion nuk rezultoi plotësisht i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara. Në Tiranë, vetëm 35.4% e institucioneve janë pjesërisht të aksesueshme, në Dibër vetëm 26.7%, ndërsa në Vlorë vetëm 19.4%.

Edhe institucionet që konsiderohen pjesërisht të aksesueshme nuk disponojnë elementët bazë për lëvizje të pavarur si tualete të përshtatura, ashensorë funksionalë, elementë taktilë për orientimin e personave me aftësi të kufizuara në shikim.

Raporti evidenton gjithashtu mungesë të theksuar të aksesit në informacion dhe komunikim për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara që janë viktima të dhunës. Në Tiranë: 79.2% e institucioneve nuk ofrojnë materiale në Braille, mungojnë versionet audio, udhëzimet vizuale, videot me titra, si dhe komunikimi në gjuhën e shenjave. Ndërsa në Dibër dhe Vlorë, aksesi në informacion dhe komunikim rezulton pothuajse inekzistent. Një tjetër problematikë e konstatuar është mungesa e të dhënave të ndara sipas llojit të aftësisë së kufizuar në nivel institucional, çka vështirëson analizën dhe trajtimin specifik të nevojave të kategorive të ndryshme.

Rekomandimet e raportit

Fondacioni “Së Bashku” propozon masa të menjëhershme dhe afatgjata për përmirësimin e situatës, ndër to instalimin e rampave funksionale, sinjalistikë bazë, sportele dhe tualete të përshtatura, materiale informative në formate të aksesueshme.

Raporti rekomandon gjithashtu trajnimin e stafit të institucioneve që janë pjesë e zinxhirit të përgjigjes ndaj dhunës, për komunikim etik dhe gjithëpërfshirës me personat me aftësi të kufizuara. Sipas gjetjeve, një trajnim i tillë nuk ishte zhvilluar gjatë 12 muajve të fundit.

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Ina Majko theksoi rëndësinë e aksesueshmërisë si një e drejtë themelore: “Aksesueshmëria nuk është një element shtesë, por është një e drejtë themelore. Ndërtimi i sistemeve gjithëpërfshirëse nënkupton që çdo individ të ketë akses në shërbime, informacion dhe mbrojtje pa barriera.” Ajo theksoi reformat në vijim, përfshirë Ligjin e ri për Aksesueshmërinë dhe Planin Kombëtar 2026-2030, që synojnë forcimin e shërbimeve gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme gjinore në Shqipëri.

Ndërsa Letizia Fischioni u shpreh:  “Për Bashkëpunimin Italian për Zhvillim, forcimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore janë të ndërlidhura ngushtë dhe përbëjnë prioritete ndërsektoriale që kërkojnë një qasje të integruar, multisektoriale dhe gjithëpërfshirëse.”

Në lidhje me këtë problematikë, Mario De Rosa Sekretar i Parë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë deklaroi: “Përfshirja nuk ka të bëjë vetëm me aksesin, por ka të bëjë me pjesëmarrjen, zërin dhe dinjitetin. Duke punuar së bashku për të hequr barrierat, ne jo vetëm që mbështesim personat me aftësi të kufizuara, por edhe forcojmë shoqëritë tona.”

Nga ana tjetër, Elsona Agolli nga UNFPA Shqipëri theksoi rëndësinë e aksesit në informacion dhe shërbime gjithëpërfshirëse: “Ne besojmë se garantimi i aksesit në informacion dhe shërbime gjithëpërfshirëse, të bazuara në të drejta është thelbësor për të mos lënë askënd pas. Personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht gratë dhe vajzat duhet të fuqizohen për të marrë vendime të informuara për trupin dhe jetën e tyre, të lira nga dhuna dhe diskriminimi.”

Aktiviteti vuri theksin te nevoja për integrimin e aksesueshmërisë në të gjithë sektorët, forcimin e qeverisjes së përgjegjshme gjinore dhe garantimin e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara në proceset vendimmarrëse.

Ky është rezultati i vëzhgimit të organizuar nga Fondacioni “Sё Bashku”, iniciativë e projektit “Zvogëlimi i Dhunës me Bazë Gjinore dhe praktikave të dëmshme përmes Qeverisjes së Përgjegjshme Gjinore”, financuar nga Qeveria e Italisë dhe zbatuar nga UNFPA në Shqipëri në partneritet me Qeverinë shqiptare./acqj.al