Denada Jushi
Paketa e maleve u prezantua nga Kryeministri Rama si një projekt ambicioz për investimet në malet e Shqipërisë dhe pritshmëritë ishin në zhvillimin e zonave të Alpeve në Veri apo Malësive të Jugut, por pak ditë më parë u publikuan disa nga zonat ku përfshihen Durrësi, Kavaja e zona të tjera detare, por që tanimë qeveria, mesa duket, i konsideron edhe si vende malore.
Shqipëria është vërtet një nga vendet më të pasura në Evropë për sa i përket relievit malor. Alpet, luginat e thella dhe fshatrat e vendosura në shpate ngjajnë si kartolina turistike dhe janë një potencial i madh për zhvillim ekonomik dhe turizëm.
Megjithatë, edhe pse është prezantuar si një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe për rikthimin e jetës ekonomike në fshatrat e braktisura, zbatimi i paketës së maleve ka paqartësi dhe paradokse, përpos faktit që kriteret e zhvillimit janë ende të panjohura.
Ligji parashikon disa kritere për përzgjedhjen e këtyre zonave:
- Potenciali turistik, ekonomik ose industrial;
- Prania e “poseduesve jopronarë” – një kategori juridikisht konfuze që pengon zhvillimin;
- Vështirësia në pajisjen me leje për shkak të mungesës së dokumentacionit të qartë pronësor.
Qeveria ka deleguar një pjesë të madhe të përgjegjësisë për zbatimin e paketës tek pushteti vendor. Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar kryebashkiakëve disa detyra konkrete për ta vënë në lëvizje këtë projekt.
Së pari, bashkitë duhet të identifikojnë zonat ku mund të zhvillohen investime. Atyre u është kërkuar të përgatisin harta me territoret prioritare ku mund të ndërtohen bujtina, struktura turistike apo aktivitete agroturistike. Këto harta konsiderohen hapi i parë për të orientuar investitorët dhe për të përcaktuar ku mund të ndërhyhet.
Së dyti, qeveria ka vendosur një objektiv prej rreth 1000 investimesh në zonat malore, kryesisht në turizëm rural dhe agroturizëm. Ideja është që këto investime të krijojnë ekonomi lokale dhe të gjenerojnë vende pune në zona që prej vitesh po përballen me emigrim masiv.
Një tjetër element i paketës është tërheqja e kapitalit të diasporës. Qeveria synon që emigrantët shqiptarë të investojnë kursimet e tyre në tokat dhe pronat e familjeve në zonat malore, duke i kthyer ato në bujtina, ferma turistike apo aktivitete ekonomike të lidhura me turizmin.
Por, krahas këtyre objektivave, kryeministri ka vendosur edhe një presion politik mbi pushtetin vendor. Ai ka paralajmëruar se performanca e bashkive në zbatimin e paketës mund të ndikojë në financimet që ato marrin nga qeveria dhe madje edhe në rikandidimin e kryebashkiakëve në zgjedhjet e ardhshme.
ACQJ bisedoi off the record me punonjës të bashkive kryesore për të kuptuar më tepër se ku qëndron problemi. Kryesorja, thonë ata në mënyrë konfidenciale, është pronësia e tokës.
Një nga problemet më të mëdha që u trashëguan pas rënies së sistemit komunist ishte se tokat janë ende të regjistruara si prona shtetërore ose kullota, ndërsa në raste të tjera ekzistojnë konflikte mes familjeve për pronësinë. Në mungesë të certifikatave të pronësisë dhe dokumentacionit të qartë, investitorët nuk mund të aplikojnë për projekte ose të marrin leje ndërtimi.
Një tjetër pengesë është kapaciteti i kufizuar administrativ i shumë bashkive, veçanërisht atyre të vogla. Shumë prej tyre nuk kanë staf të specializuar si urbanistë, planifikues territorialë apo ekspertë për zhvillimin e projekteve të investimit. Përgatitja e hartave të zhvillimit apo analizave të territorit kërkon ekspertizë teknike që jo çdo bashki e ka.
Problemet shtohen edhe më shumë tek mungesa e planeve të detajuara urbanistike në shumë zona malore. Në disa raste nuk është e qartë se cilat zona janë të përshtatshme për ndërtim dhe cilat duhet të mbrohen.
Problemet përkeqësohen kur i shtohet infrastruktura e dobët. Në shumë fshatra malorë mungojnë rrugët, furnizimi me ujë, energji apo lidhja me rrjetin e internetit.
Rreziku për natyrën
Përveç problemeve administrative dhe ligjore, ekspertët e mjedisit si Abdulla Diku paralajmërojnë edhe për rreziqe serioze për ekosistemet malore.
Zonat malore shqiptare janë ndër habitatet më të ndjeshme për biodiversitetin. Ndërtimet e pakontrolluara mund të sjellin shpyllëzim, fragmentim të habitateve dhe humbje të biodiversitetit. Për më tepër, mungesa e standardeve të qarta për tipologjinë e ndërtimeve mund të çojë në një përsëritje të modelit të betonizimit që është parë në disa zona turistike të vendit.
“Paketa e Maleve” mund të jetë një mundësi për të sjellë investime dhe për të ringjallur ekonominë në zonat e braktisura malore. Por deri tani, zbatimi i saj duket se përplaset me një sërë problemesh.
Nëse këto sfida nuk adresohen me transparencë dhe planifikim, nisma që synon të shpëtojë zonat malore mund të përfundojë duke krijuar një tjetër histori të njohur të zhvillimit shqiptar: një projekt që nisi me ambicie të mëdha, por që në terren përfundon me kaos dhe beton./acqj.al