Ida Ismalaj
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë ngritur shqetësimin për rritjen e çmimit të karburantit, duke paralajmëruar masa emergjente nëse institucionet nuk ndërhyjnë.
Sipas një letre të përbashkët drejtuar institucioneve, çmimi i naftës ka pësuar rritje të ndjeshme në periudhën e fundit, duke rritur drejtpërdrejt kostot operative të operatorëve të transportit publik.
Rritja e çmimit të karburantit në vend nuk lidhet vetëm me luhatjet në tregjet ndërkombëtare, por edhe me strukturën e tij të brendshme fiskale. Sipas një analize të ALTAX, çmimi i një litri nafte në Shqipëri qëndron mbi 200–201 lekë, ku mbi gjysma përbëhet nga taksat dhe detyrimet fiskale. Kjo do të thotë se edhe në kushte stabiliteti në tregjet globale, çmimi mbetet i lartë për shkak të barrës së brendshme fiskale, duke e bërë sektorin e transportit publik veçanërisht të ndjeshëm ndaj çdo rritjeje të mëtejshme.
Paralelisht, ekspertët paralajmërojnë se rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga konflikti në Lindjen e Mesme, po shton rrezikun e një vale të re inflacioni të importuar në Shqipëri, duke ndikuar jo vetëm në karburant, por edhe në kostot e transportit dhe çmimet e produkteve bazë.
“Rreth 60–65% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat, përfshirë akcizën, TVSH-në, taksën e karbonit dhe taksën e qarkullimit. Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet me ngarkesën më të lartë tatimore mbi karburantin në Europë,” thuhet në letrën e dërguar institucioneve.
Kreu i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, deklaron se që prej nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, operatorët kanë kërkuar mbështetje financiare dhe lehtësime fiskale, por pa marrë ende përgjigje nga institucionet përgjegjëse.
“Karburanti përbën rreth 45% të kostove operative, ndërsa rritja e çmimeve të mirëmbajtjes së autobusëve e rëndon më tej situatën. Duhet të merren masa, siç kanë vepruar vendet e rajonit. Në Kosovë, transporti publik nuk paguan taksë qarkullimi dhe nuk aplikohet akciza. Së fundmi, është miratuar edhe një rritje e subvencioneve me rreth 30%,” shprehet ai.
Ndërkohë, kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, paralajmëron reduktim të menjëhershëm të flotës:
“Në kushtet e një situate emergjente, me rritje të ndjeshme të çmimit të naftës, transporti publik nga dita e hënë do të reduktojë me 30% flotën e autobusëve. Kjo nuk vjen si presion, por si pamundësi ekonomike. Pasojat do t’i ndjejnë si operatorët, ashtu edhe qytetarët.”
Reduktimi i flotës pritet të sjellë vonesa dhe mbingarkesë në linjat urbane, duke prekur drejtpërdrejt mijëra qytetarë që varen nga transporti publik çdo ditë.
Memaj shton se mbështetja ndaj sektorit mund të realizohet përmes subvencionimit për litër naftë, si gjatë krizës së luftës në Ukrainë, ose përmes uljes së taksave:
“Reduktimi i premtuar i akcizës me 20% nuk ka ndikim real për transportin publik, pasi përkthehet në rreth 7 lekë për litër. Ndërhyrja duhet të jetë më e fortë dhe urgjente, pasi çmimi i karburantit është rritur me rreth 70 lekë për litër.”
Shoqatat kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme për të lehtësuar barrën fiskale mbi karburantin, duke propozuar rishikimin dhe uljen e taksës së qarkullimit, vendosjen e një mekanizmi fleksibël të akcizës sipas praktikave të vendeve të Bashkimit Europian, si dhe një trajtim fiskal të diferencuar për transportin publik, duke e konsideruar atë si një shërbim me interes publik.
Në mungesë të masave konkrete, operatorët paralajmërojnë se shërbimi i transportit publik mund të përkeqësohet ndjeshëm, duke rrezikuar lëvizshmërinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të sektorit.
Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse./acqj.al