Ida Ismalaj
Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH), e cila përfaqëson mbi 13.500 persona të verbër në të gjithë vendin ka ngritur prej vitesh shqetësimin për mungesën e financimeve shtetërore dhe pasojat që kjo situatë ka sjellë në ofrimin e shërbimeve për këtë kategori. Edhe pse ekziston një kuadër ligjor që garanton të drejta dhe mbrojtje, në praktikë shumë prej këtyre shërbimeve mbeten të kufizuara ose të parealizuara. Sipas SHVSH, mungesa e financimeve ka çuar në paralizimin e shërbimeve bazë dhe në përkeqësimin e kushteve të jetesës për këtë komunitet.
Problemet sipas shoqatës janë të shumta: Mungesë aksesimi në infrastrukutrë dhe në transportin publik, barriera në arsim dhe punësim, si dhe degradim i institucioneve rehabilituese.
Presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Jonit Ferhati shprehet se mungesa e financimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e strukturave të specializuara.
“Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve dhe Biblioteka Kombëtare e të Verbërve u ndërtuan si modele moderne shërbimi, por sot kjo qendër ka nisur të degradojnë, për shkak të mungesës së financimit dhe mbështetjes institucionale” shprehet Ferhati.
Sipas tij, kjo situatë shkon përtej aspektit financiar: “Kur nuk financohen rehabilitimi, arsimimi dhe shërbimet bazë, rezultati është izolimi dhe përjashtimi i heshtur i komunitetit” thekson ai.
Edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda theksoi mungesën e aksesit në infrastrukturë dhe në transportin publik, si çështjet kryesore që ndikojnë në jetën e përditshme të personave të verbër.
“Është e papranueshme mungesa e aksesimit në infrastrukturë dhe në transportin publik, që personat me aftësi të kufizuar të kenë lëvizje të pavarur. E papranueshme që s’ka vijëzimet e duhura për personat e verbër që të lëvizin lirshëm” shprehet Gajda.
Ai thekson se këto barriera e bëjnë më të vështirë integrimin e plotë në shoqëri, veçanërisht në fushën e arsimit dhe punësimit.
“Kemi vënë re që vetë organet publike nuk e zbatojnë kriterin minimal 1 në 25 punonjës që duhet të jenë persona me aftësi të kufizuara, duke kufizuar mundësitë për punësim dhe pavarësi ekonomike” shton ai.
Ligj me rëndësi historike, por sfida në zbatim
Në vitin 1996, si nismë e Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, u miratua Ligji nr. 8098 “Për Statusin e të Verbërit”, një akt i rëndësishëm që garantonte trajtim dinjitoz dhe përfitime për personat e verbër. Sipas Sinan Tafajt, një nga figurat historike të shoqatës, ky ligj mbetet kryesisht i pazbatuar.
“Shoqata jo vetëm ka kontribuar në hartimin e kësaj kornize ligjore, por ka monitoruar vazhdimisht zbatimin e saj dhe ka reaguar sa herë të drejtat janë cenuar, duke ofruar mbështetje ligjore dhe përfaqësim” shprehet Tafaj.
E themeluar më 8 janar 1991, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë shënon 35 vite veprimtari në mbrojtje të të drejtave dhe përfshirjes së personave të verbër. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka dhënë kontribut të rëndësishëm në legjislacion dhe në ndërtimin e strukturave mbështetëse.
Biblioteka Kombëtare e të Verbërve mbetet një burim i rëndësishëm për akses në dije dhe kulturë, falë përkushtimit të stafit dhe vullnetarëve, edhe pse përballet me vështirësi serioze. Në përvjetorin e 35-të, SHVSH thekson nevojën për bashkëpunim më të fortë institucional, në mënyrë që të drejtat e garantuara në ligj të përkthehen në shërbime reale dhe një jetë më të pavarur për personat e verbër./acqj.al