Sa e mbrojtur është tryeza e konsumatorit shqiptar?

Sa i mbrojtur është realisht konsumatori shqiptar? Mes ankesave për produkte ushqimore, boshllëqeve në komunikim dhe mekanizmave që funksionojnë pjesërisht, siguria ushqimore mbetet një proces i brishtë. Një Qendra ALERT tregon se edhe kur qytetarët ankohen, jo çdo rast gjen zgjidhje.

Ida Ismalaj

Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit mbeten një nga sfidat më të ndjeshme të tregut shqiptar, ku besimi i qytetarëve ndaj produkteve dhe shërbimeve lidhet drejtpërdrejt me shëndetin dhe transparencën institucionale. Kur ndodhin shkelje, ankesa mbetet pothuajse i vetmi mjet për të kërkuar zgjidhje dhe për të matur se sa funksionon realisht sistemi i mbrojtjes së konsumatorit.

Gjatë viteve, raportimet e ACQJ kanë ndërtuar një panoramë të vazhdueshme shqetësuese mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri. Hulumtime kanë zbulua shkelje serioze te produktet bazë si qumështi, mishi dhe vezët, ku mungesa e analizave laboratorike e bënte kontrollin formal dhe jo real. Puertej kësaj, roli i AKU-së ndër vite ka treguar një institucion të përqendruar më shumë te dokumentet sesa te mbrojtja reale e shëndetit publik. Njuekohësisht, në mënyrë të vazhdueshme, aksionet shtetërore kanë zbuluar mijëra tonë ushqime të pasigurta në treg, ndërsa raportimet më të fundit dëshmojnë se rreziku për konsumatorët mbetet i pranishëm dhe i pandërprerë.

Këto problematika, por jo vetëm, u trajtuan në një aktivitet që bëri bashkë përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe medias, ku u prezantuan gjetjet nga ankesat e mbledhura përmes Linjës Kombëtare Jeshile për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Sipas drejtorit Ekzekutiv të Qendrës ALERT, Granit Sokolaj, problemi kryesor që del nga ankesat është mungesa e komunikimit mes konsumatorit dhe operatorit tregtar.

“Shumë raste kalojnë drejtpërdrejt në ankesë pa u tentuar më parë zgjidhja me subjektin. Ndërkohë që kemi parë se në rastet kur komunikimi ndodh, shpesh ka tentativa për zgjidhje,” shprehet ai.

Të dhënat e prezantuara nga raporti tregojnë se nga 71 raste të trajtuara, 52 ankesa (73%) janë zgjidhur, 12 raste (17%) mbeten të pazgjidhura, ndërsa 7 ankesa (10%) janë ende në proces. Edhe pse shumica e rasteve gjejnë zgjidhje, 1 në 4 ankesa vijon të mbetet problematike, duke reflektuar boshllëqe në mekanizmat e përgjegjshmërisë dhe ndërhyrjes. Ankesat kanë vijuar sidomos gjatë muajve të verës, veçanërisht për produktet ushqimore, duke e bërë këtë sektor të ndjeshëm ndaj shkeljeve.

Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali vlerësoi qëllimin e nismës në mbrojtjen e konsumatorit dhe kontributin konkret që projekti jep në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në nivel politikash, autoritetet pranojnë se perceptimi i sigurisë ushqimore është po aq i rëndësishëm sa vetë kontrolli.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri u shpreh se projektligji aktual që është hedhur për Konsultim Publik për sigurinë ushqimore, synon të krijojë një sistem më të besueshëm për qytetarët.

“Për mua kjo është shumë e rëndësishme, pasi do të garantojë sigurinë ushqimore në të gjithë hapat dhe do të rrisë besimin e konsumatorit,” nënvizon ai.

Ndërkohë, zv.ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit Enkelejd Musabelliu vuri theksin te përgjegjësia e përbashkët për fuqizimin e konsumatorit: “Na takon të gjithëve bashkë, sidomos shoqërisë civile dhe medias, që të ndërgjegjësojmë konsumatorin, për të drejtat e tyre.”

Takimi synoi që të krijojnte një dialog të hapur midis institucioneve publike, organizatave të shoqërisë publike dhe aktorëve të interesuar, për të identifikuar zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për konsumatorët.

Siguria ushqimore në Shqipëri vijon të mbetet një proces në ndërtim, ku transparenca, komunikimi dhe ndërgjegjësimi i konsumatorit janë ende hallka të dobëta. Në një treg që synon integrimin europian, mbrojtja e konsumatorit nuk mund të mbetet vetëm një premtim politik, por duhet të përkthehet në garanci reale për çdo qytetar.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit, Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri”./acqj.al