Ida Ismalaj
Qytetarët po rrezikojnë jetën çdo ditë duke pritur autobusin… Stacionet e autobusëve në Tiranë prej vitesh janë shndërruar në pika të nxehta të kaosit urban. Aty ku duhet të nisë një udhëtim i sigurt për qytetarët, shpesh nis pasiguria. Mungesa e sinjalistikës, ndalesat e autobusëve në mes të rrugës, korsitë e bllokuara nga biçikletat apo automjetet dhe stacionet e vendosura në mënyrë të gabuar, e kanë kthyer transportin urban në një burim të përditshëm rreziku.
Gjatë viteve të fundit janë dokumentuar të paktën 10 incidente të lidhura me autobusët, përplasje me makina, dalje nga rruga, goditje me automjete të parkuara apo edhe me këmbësorë. Ngjarja e e fundit e 1 dhjetorit në “Rrugën e Kavajës”, ku një autobus humbi kontrollin dhe goditi një vajzë me biçikletë, riktheu edhe një herë vëmendjen tek një problem që nuk po zgjidhet. Trafiku rëndohet çdo ditë, ndërsa policia ndërhyn me raste, me gjoba dhe karrotrecë.
Në shumë zona të kryeqytetit, stacionet kanë vetëm një tabelë e vetme metalike, pa informacione, pa strehë, pa stol dhe shpesh të vendosura në trotuare të ngushta ose pranë korsive të biçikletave.
Kreu i Shoqatës së Transportit Urban Dashnor Memaj shprehet se janë disa stacione që përbëjnë një rrezik për burime aksidentesh, pasi janë stacione pa fushëpamje të duhur, pa hapësira dhe pa korsitë e dedikuara.
Memaj tha: “Në Tiranë janë disa stacione që përbëjnë një rrezik për burime aksidentesh. Duhet një ndërhyrje dhe studim nga Bashkia e Tiranës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe nga specialistë të ndryshëm privat, për të përcaktuar stacionet e qëndrimit, për të marrë pasagjerë dhe pa u bërë pengesë për mjetet e tjera dhe pa qenë burim aksidenti”.
Në pjesën më të madhe të rasteve autobusët ndalojnë në mes të rrugës, duke krijuar një zinxhir problemesh, trafik, konfuzion dhe rrezik për pasagjerët që zbresin apo hipin në urban.
Në zona të tilla si Rruga e Dibrës, Rruga e Kavajës, Astiri, Liqeni i Thatë apo edhe qendra e qytetit, mjetet e transportit publik ndalojnë në mes të rrugës, duke krijuar probleme me trafikun, për shkak të mungesës së korsive të dedikuara.
Një nga shembujt më problematikë është edhe stacioni pranë rrethrrotullimit të Saukut. Deri para pak kohësh autobusët ndalonin brenda rrethrrotullimit, pa sinjalistikë dhe pa vizat e bardha, ndërsa tani është zhvendosur pak më tutje, por sërish pa elementë sigurie.
Memaj shprehet se stacionet pranë kryqëzimeve pengojnë qarkullimin dhe rrisin rrezikun e aksidenteve, ndërsa si grup interesi nënvizoi se ka kërkuar herë pas here stacione të mirëfillta që plotësojnë standardet, jo vetëm në infrastrukturën me xhepa përkatës, por edhe me tabela elektronike, me sisteme informacioni, me strehë dhe stolat përkatës, si dhe akses për personat me aftësi të kufizuara, pasi shumë pak stacione i përmbushin këto kërkesa.
“Janë disa stacione që janë afër kryqëzimeve që përbëjnë një fluks të lartë të makinave, që pengojnë qarkullimin e mjeteve. Duhet të jenë në distanca më të largëta dhe me xhepat përkatës, për t’u cilësuar stacion i mirëfillltë i transportit publik. Aq më tepër në një rrethrrotullim nuk mund të ketë një stacion të transportit publik. Si grup interesi, kemi kërkuar herë pas herë stacione të mirëfillta që plotësojnë standardet, jo vetëm në infrastrukturën me xhepa përkatës, por edhe me tabela elektronike, me sisteme informacioni, me strehë qëndrimi dhe stolat përkatës. Prandaj duhet një ndërhyrje emergjente nga institucionet për të përcaktuar këto stacione, ku nuk përbëjnë pengesa për qarkullimin, nuk përbëjnë burim aksidenti, të plotësojnë kriterët për të gjitha kategoritë, duke përfshirë dhe personat me aftësi të kufizuar, të kenë kushtet e përshtatshme. Janë shumë pak stacione që e përmbushin këtë kriter”. u shpreh ai.
Transporti urban në Tiranë është bërë simbol i një sistemi të mbingarkuar dhe të paorganizuar. Aksidentet, trafiku dhe pasiguria nuk mund të zgjidhen me masa të pjesshme apo gjoba sporadike.
Qyteti ka nevojë për një reformim të plotë: Stacione funksionale, korsi të respektuara, sinjalistikë të qartë dhe planifikim të qendrueshëm. Vetëm kështu transporti publik mund të kthehet në një shërbim të sigurt, të besueshëm dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët./acqj.al