Familjet shqiptare në krizë, 25 divorce për 100 martesa

Familja shqiptare po hyn në një krizë të re sociale: martesa më pak, divorce më shumë dhe një brez i ri që përballet me vështirësi ekonomike, pasiguri dhe emigrim. Me 25 divorce për 100 martesa në vitin 2024, statistikat zbulojnë një realitet që kërkon urgjentisht reforma dhe mbështetje institucionale.

Ida Ismalaj

Familjet shqiptare po përballen me një transformim të thellë social, ekonomik dhe demografik, i cili po pasqyrohet qartë edhe në statistikat zyrtare të martesave dhe divorceve. Raporti i fundit për vitin 2024 tregon një tablo shqetësuese: 25 divorce për 100 martesa.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se vitin e kaluar kishte 16.120 martesa me rënie 7.7% në krahasim me 2023, ndërsa divorcet ishin 4.100 ose 65 më pak se në 2023. Edhe pse numri i divorceve ka luhatje, raporti i tyre për 100 martesa është rritur dukshëm. Në vitin 2021, për çdo 100 martesa kishte vetëm 15.8 divorce, ndërsa më 2024 ky raport arrin në rreth 25 divorce për 100 martesa, niveli më i lartë i 5 viteve të fundit. Shumë çifte përballen me vështirësi të mëdha ekonomike: Paga të ulëta, qira të larta dhe pamundësi për të blerë banesa. Këto kushte shtyjnë martesën në moshë më të vonë ose e bëjnë çiftin të mos martohet fare.

Ligji dhe statistikat tregojnë se gratë janë ato që nisin shumicën e proceseve të divorcit. Pjesëmarrja më e lartë e grave në tregun e punës dhe autonomia financiare kanë ndryshuar dinamikën brenda çiftit. Gratë kanë më shumë mundësi të largohen nga një marrëdhënie që nuk funksionon, pa u ndjerë të detyruara të qëndrojnë për arsye ekonomike.

Avokati Alban Duraj shpjegon se “divorcet në vendin tonë janë rritur ndjeshëm dhe kjo duhet të shqetësojë institucionet. Mungesa e mbështetjes institucionale për ruajtjen e stabilitetit familjar është shqetësuese.”

Nevoja për reforma ligjore

Një projektligj që synon të thjeshtojë divorcet me marrëveshje është në Kuvend që nga marsi 2025, por ende nuk është miratuar. Ky ndryshim do të lejonte që marrëveshja e firmosur pranë ndërmjetësit ose noterit të kishte vlerë ligjore si titull ekzekutiv, duke shmangur proceset e gjata gjyqësore.

Duraj thekson se “ndryshimi i Kodit të Procedurës Civile dhe i Kodit të Familjes është domosdoshmëri. Veçanërisht, në rastet kur martesa zgjidhet me marrëveshje, aktet e firmosura pranë ndërmjetësit duhet të regjistrohen menjëherë në gjendjen civile, pa qenë e nevojshme ndërhyrja e gjykatës për urdhrin e ekzekutimit”.

Ai propozon ndërhyrje të menjëhershme në forcimin e këshillimit familjar dhe mbështetjes psikologjike; politika sociale dhe ekonomike për familjet me të ardhura të ulëta dhe fushata ndërgjegjësuese mbi ndarjen e përgjegjësive dhe komunikimin në çift.

Me uljen e martesave, vendi po lëviz drejt një cikli me më pak lindje, popullsi më të vjetër dhe me më pak burime njerëzore për zhvillim ekonomik. Në 6 mujorin e parë 2025 lindjet ranë me 6.5% dhe shtesa natyrore po shkon drejt zeros. Në disa qytete, tkurrja ishte më e lartë se 35%.

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë që nuk ka paketa ndihme financiare ose mjete lehtësuese për familjet e reja. Teksa çmimeve banesave, qirave dhe shërbimeve arsimore janë në rritje, gjithnjë e më shumë të rinjtë po zgjidhin të largohen nga vendi, në kërkim të një jete më të mirë.

Shifrat e divorceve dhe ulja e martesave nuk janë thjesht statistika, por janë shenjë e një krize të thellë brenda familjes shqiptare. Pa ndërhyrje urgjente, politikat sociale dhe reforma ligjore, tendenca e rritjes së divorceve pritet të thellohet më tej, duke e lënë famljen shqiptare në një situatë gjithnjë e më të paqëndrueshme. /acqj.al