Nga redaksia te pushteti: Lidhjet që po e vrasin lirinë e medias

Kriza e lirisë së medias në Shqipëri nuk është më paralajmërim, por një realitet i rrënjosur në presione politike, interesa ekonomike dhe një sistem informacioni të kapur. Nga pronarët e mediave te institucionet shtetërore, tryeza e ekspertëve nxori në pah një peizazh ku gazetaria e lirë po zbehet dita-ditës.

Ida Ismalaj

Në Shqipëri, kriza e lirisë së medias nuk është më paralajmërim, por është realitet. Në një tryezë të përbashkët të Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Shoqërisë Civile (SCiDEV) dhe Faktoje.al, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore, gazetarë dhe diplomatë ngritën shqetësime të thella mbi situatën e medias, të cilat sipas tyre po shkojnë drejt një regresi të dukshëm, pavarësisht se Progres-raporti i Komisionit Europian për vitin 2025, e cilëson situatën si “përparim të kufizuar”.

Klodiana Kapo, drejtuese e Faktoje.al foli për një klimë ku mediat po humbasin funksionin e tyre bazë: “Besimi i qytetarëve në media vitet e fundit ka rënë ndjeshëm. Ne ndeshemi me tituj sensacionalë, lajme të paverifikuara dhe raportime që shpesh ndjekin interesa politike apo ekonomike.”

Për Blerjana Binon, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, kemi të bëjmë me një sistem të kapur, ku gazetarët përballen me presione, kërcënime dhe mungesë mbrojtjeje nga institucionet: “Pa gazetarë të mbrojtur nuk ka gazetari cilësore. Në vitin 2024, Rrjeti për Gazetarë të Sigurt ngriti alarmin për 45 raste shkeljesh të sigurisë së gazetarëve. Deri në nëntor 2025 kemi mbi 30 raste të tjera. Raportohen në polici, por nuk ka ndëshkime të duhura.”

Fshehja sistematike e ngjarjeve: Narrativa që kontrollohet nga sipër

Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias, i bëri thirrje BE-së që të caktojë vijat e kuqe që nuk duhet të kalohen në raport me median: “Si mund të flasim për progres kur ngjarjet më të rëndësishme të dekadës, si rasti ‘5D’ apo akuzat ndaj zv.kryeministres nga SPAK nuk transmetohen fare?”

Gazetarët në tryezë paralajmëruan se marrëdhënia mes pronarëve të mediave dhe qeverisë është kthyer në një mekanizëm politik dhe ekonomik, që e zhvesh median nga funksioni i saj publik.

Isa Myzyraj nga Asosacioni i Gazetarëve u shpreh: “Nuk ka më media të lirë, kemi pronarë mediash që janë bërë investitorë strategjikë të qeverisë.”

Ndërsa Dhurata Çupi shtoi: Vetëm një televizion, News24 nuk është financuar nga Partia Socialiste gjatë fushatave zgjedhore.

Gazetarja e “Birn” Aleksandra Bogdani kritikoi menaxhimin e fondeve dhe procesin e dixhitalizimit: “Taksapaguesit paguan televizionet e mëdha, të tjerët morën vetëm thërrime. Sot, paguajmë sërish për frekuencat dhe në këmbim marrim kaseta të gatshme, propagandë nga mëngjesi në darkë.”

Në të njëjtën linjë, deputetja Jorida Tabaku akuzoi MIA-n (Agjencinë e Informacionit të Mediave) se është kthyer në zyrën qendrore të PR-it qeveritar: “MIA ka monopolizuar informacionin dhe e shpërndan sipas interesave të qeverisë.”

Erjon Tase theksoi se transparenca për fondet publike është një nga të metat më të rënda: “Çdo vit renditemi në krye të mungesës së informacionit, askush nuk mban përgjegjësi.”

Ambasadori i Holandës, Reinout Vos solli një mesazh të qartë nga partnerët ndërkombëtarë: “Nëse media nuk është e lirë, demokracia nuk funksionon. Gazetarët duhet të mbrohen fizikisht, ligjërisht dhe publikisht.”

Liria e medias, kundrejt lirisë së pronarëve të medias

Një nga gjetjet që u prezantua 1 muaj më parë, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është se si influenca politike, ekonomike, vija editoriale lidhen ngushtë me pronësinë e medias dhe interesat e këtyre pronarëve në fusha të tjera. Siguria e gazetarëve, impakti i medias e mbi të gjitha transparenca për pronarët e mediave në Shqipëri vijojnë të mbeten disa nga rekomandimet e çdo raporti që vjen nga Bashkimi Europian.

Nga tryeza doli e qartë: Shqipëria ka një sistem të kapur, ku politika, biznesi dhe institucionet bashkëveprojnë për të kontrolluar narrativën publike. Gazetarët janë të pambrojtur, informacioni i filtruar, fondet publike të manipuluara dhe besimi i publikut në rënie të lirë. Në këtë terren, demokracia mbetet veçse një fasadë, ndërsa liria e medias, një parim i shkruar, por i pazbatuar./acqj.al